Pretendimi: Aktori Robert De Niro del në mbrojtje të Izraelit duke u përplasur me një grup protestuesish pro-palestinezë
Verdikti: E pavërtetë
Artikuj të shpërndarë në mediat online në vendin tonë, por edhe në rrjetet sociale pretendojnë se aktori i njohur, Robert De Niro është përplasur me një grup protestuesish pro-palestinezë.
“Mjaft folët marrëzira”/ Robert De Niro del në mbrojtje të Izraelit dhe përplaset me protestuesit”-shkruajnë mediat online.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Artikulli i publikuar shoqërohet edhe me një video, ku shihet dhe dëgjohet De Niro duke bërtitur, i rrethuar nga një grup njerëzish.
“Ky nuk është një film”- thotë aktori. “Kjo është e vërtetë. Tani për tani ju duhet të dëgjoni, duhet të punoni, duhet të përfundoni punën tuaj”-thekson ai.
Duke përdorur këto fjalë të tij, mediat online dhe përdorues në rrjetet sociale kanë aluduar se Robert De Niro ka sulmuar protestuesit anti-izraelitë në Nju Jork.
Mirëpo, verifikimet e kryera nga kolegët e “Usa Today” tregojnë se video e aktorit duke bërtitur nuk ka lidhje me protestat pro-palestineze që po zhvillohen në kampuset e kolegjeve në të gjithë SHBA-në.
Zëdhënësja e kompanisë Netflix, Rabia Ahmad, tha për “USA Today” se video tregon De Niro duke bërë prova për miniserialin “Zero Day”. Xhirimet për këtë serial të Netflix po zhvilloheshin në qytetin e Nju Jorkut më 27 prill.
Stan Rosenfield, një zëdhënës i De Niro tha se një kalimtar e kishte kapur videon gjatë prodhimit të shfaqjes dhe kishte keqinterpretuar përmbajtjen e saj në mediat sociale.
“Video është një fragment i vogël nga seriali i Netflix “Zero Day”, ku personazhi i luajtur nga De Niro po i bërtet një grupi që janë paguar për të luajtur në këtë serial dhe se kjo ishte 100% pjesë e skenarit,” tha Rosenfield në një email për kolegët e “USA Today”.
Faktoje ka verifikuar edhe më herët informacione të rreme që tentojnë të përfshijnë aktorin e njohur, Robert De Niro në qëndrimet pro dhe kundër Izraelit.