.

.

BallinaPertejSi po tkurren bizneset buzë detit Jon nga kriza e COVID-19

Si po tkurren bizneset buzë detit Jon nga kriza e COVID-19

MERXHAN DACI & JOEL ÇELA

Në një rrugëtim të Faktoje për të vëzhguar si po përballet biznesi turistik me krizën e pandemisë, u ndalëm në Himarë. Ndër zonat më të populluara të jugut nga turistë vendas dhe të huaj deri para një viti, bizneset në Himarë përballen me përgjysmim të të ardhurave, çka mund të kuptohet lehtë vetëm duke parë frekuentimin e ulët nga pushuesit.


Zyhdi Imeraj është pronar i dy apartamenteve dhe një marketi në qytetin e Himarës, ku punon bashkë me gruan. Ai tregon se çdo vit ka një xhiro mbi 6 milionë lekë të vjetra përgjatë sezonit veror, por sivjet situata ka ndryshuar.

Pallati ku ndodhen hyrjet e Zyhdiut

“Sivjet jemi shumë të shqetësuar. Puna ka ardhur në rritje çdo vit, vetëm këtë vit ka qenë në ulje. Unë në çdo vit kam zënë edhe muajin qershor, por qershori qe zero fare, s’pata asnjë. Vjet ishte 50 mijë lek (të vjetra) hyrja, sivjet tek 40 dhe s’po gjejmë. I gjithë sezoni shkon 6 milionë lekë e lart, po ishalla të vejnë 2-3 milionë këtë vit. Qershori bosh, tani pothuaj bosh. S’kemi bërë akoma as 1 milion lekë, që ne 1 milion i bëjmë për 15 ditë.” – tha ai.

Maria menaxhon Golden Hotel në plazhin e Potamit në Himarë, i cili është hapur para 5 vitesh. Ajo tregon se ndonëse i kanë ulur çmimet në krahasim me vjet,  sërish punojnë me gjysmë kapaciteti.

Golden Hotel në Himarë

“Vitin e kaluar kemi punuar vetëm me euro, tani punojme me lekë. Tani po i japim me nga 35 mijë lekë, me 50 mijë nuk bëhet fjalë as në gusht. Kemi 11 dhoma, as gjysma të zëna, vjet kemi qen plot. Kishim majin të prenotuar. Të paktën gjysmën e hotelit të prenotuar. Edhe pastaj u anuluan, edhe tani vazhdojnë anulojnë. Mund të prenotojë sot p.sh. dhe pas 1 jave ose 2 javësh e anulon.” – thotë ajo.

Në Himarë, shumë pronarë hotelesh apo apartamentesh që jepen me qira gjatë sezonit tregojnë se mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë nga COVID-19 i ka penalizuar, për shkak se numri më i madh i turistëve janë të huaj. Ky kufizim ka ndikuar drejtpërdrejtë në mirëqenien e banorëve të zonës por  edhe shumë të tjerëve që vinin nga qytete të tjera si punonjës sezonalë në Himarë.

“Unë dhe vjehrra po punojmë këtë vit, ngaqë s’ka njerëz s’kemi marrë fare as punëtorë. Zakonisht marrim 2 të tjerë për pastrimin. Nuk leverdis që të marrësh dikë tjetër.”- tregon pesimiste Maria.

Por si e shohin Himarën pushuesit që prej vitesh i kalojnë pushimet e verës jashtë Shqipërisë dhe këtë vit ka bërë një zgjedhje të detyruar?

Ornaldo me bashkëshorten kishin planifikuar të udhëtonin drejt Greqisë, por për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve, ndryshuan destinacion në minutat e fundit. Disa miq iu sugjeruan Himarën, pasi edhe çmimet ishin më të ulëta se vitet e kaluara.

“Kemi prenotuar ne momentet e fundit, rreth një javë para nisjes, dhe mundëm të rezervojmë hotelin me një cmim prej 24 Euro/nata. Mund të themi që ishim me fat ose pandemia kishte bërë efektin e vet. Disa miqtë tanë të afërt rezervuan dy javë pas nesh dhe cmimet janë 4000 lekë nata.

Plazhi deri ditët e para të javes ishte pothuajse bosh. Vetëm disa çadra dhe shezlone të zëna. Ndërsa nga mesi i javës filloi të popullohej disi. Darka i gjen pothuajse bosh të gjithë restorantet dhe tek-tuk të zë syri ndonjë tavolinë plot.” – tha ai.

Lokale të boshatisura në Himarë

Stela Rrusha është një nga 3 anëtarët e familjes që punojnë në Napolon Complex në Qeparo, fshat që është pjesë e Bashkisë Himarë. Ajo thekson se pritshmëritë janë të ulëta këtë vit pasi janë anuluar shumë prenotime, të cilat bëhen që në janar. Efektet e pandemisë e goditën rëndë financiarisht familjen që punon prej 20 vitesh në këtë biznes.

Napolon Complex në Qeparo

“Kemi 20 dhoma, aktualisht 7 janë të zëna, ndërsa vjet në këtë periudhë ishim pothuajse plot. Kishim shumë prenotime, që në janar. Njëzet dhoma ishin të prenotuara për në maj, me të huaj, por punuam pak. Pothuajse të gjithë e anuluan. Zakonisht sezonin e fillojmë në maj dhe mbaron në 15 shtator. Këtë vit e hapëm nga fundi i majit dhe shpresojmë që të kemi deri në fund të gushtit, por jo plot.” – tha ajo.

Përmasat reale të goditjes nga pandemia të bizneseve turistike perceptohen vetëm kur Stela vë në dukje diferencën mes asaj që familja e saj fitonte çdo vit dhe pritshmërive të sotme.

Zakonisht presim 80 mijë euro, këtë vit presim 30-40 mijë euro.” – thekson Stela.

Lokale të boshatisura në Himarë

Sipas Censusit të vitit 2011 Himara ka 7,818 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 27,049 banorë.  Nëse kërkon për akomodim në zonën e Himarës përmes platformës Booking.com, gjen së paku 120 mundësi.

Zona e Rivieres Shqiptare pret numrin më të madh të turistëve të huaj kryesisht nga Polonia, Gjermania, dhe vendet skandinave.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img