BallinaFaktometerE PavërtetëShqipëria nuk është vendi me papunësinë më të ulët në rajon, siç deklaron kryeministri Rama

Shqipëria nuk është vendi me papunësinë më të ulët në rajon, siç deklaron kryeministri Rama

ILDA KURTI & AURORA SHPATAJ

Kryeministri Rama, gjatë një interviste deklaroi se Shqipëria, është vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Nga një kërkim në raportet zyrtare ndërkombëtare, për nivelin e papunësisë në Ballkan, rrëzohet ky pretendim i kryeministrit. Nga ana tjetër Shqipëria mbetet një vend me nivel të lartë të punësimit në të zezë, një tjetër sektor që u godit rëndë nga pandemia, por për të cilin nuk ka shifra zyrtare për pasojat.


Më datë 3 dhjetor kryeministri Rama në një intervistë për emisionin “Politiko“, deklaroi se Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon.

“Banka Botërore ka bërë raportin e papunësisë dhe Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Njëmbëdhjetë pikë diçka përqind. Më të ultën në rajonin tonë.”-shprehet Rama gjatë intervistës.

“Faktoje” vendosi të provojë vërtetësinë e deklaratës së kryeministrit Rama. Referuar raporteve të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, vendi me papunësinë më të ulët në rajon rezulton Serbia, ndërsa Shqipëria i paraprin Serbisë, me shifra papunësie pak më të lartë se Serbisë.

Grafiku i marrë nga Banka Botërore

Edhe sipas grafikut ilustrues të Bankës Botërore që kryeministri Rama ka marrë si referencë, Shqipëria renditet e dyta për nivelin e papunësisë në Ballkanin Perëndimor.

“Faktoje” bëri një verifikim të dytë duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Trading Economics mbi shkallën e papunësisë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe sipas këtij burimi, Serbia paraqet numrin më të ulët të shifrës së papunësisë në rajon, ku tremujori i dytë i këtij viti paraqitet me 7.30%, shifër e cila shkoi në 9.00% përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Ndërkohë, Shqipëria është vendi i dytë me shkallën e papunësisë më të ulët në Ballkanin Perëndimor, ku bazuar në raportin e publikuar në  tremujorin e dytë paraqitet me 11.90% dhe tremujori i tretë i këtij viti paraqitet me shifrën 12.50%.

Pasi kontaktuam me eksperten Ornela Liperi, ajo mori si burim Komisionin Europian, i cili llogarit shifrat e papunësisë për vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Edhe sipas këtij raporti, Shqipëria del e dyta në renditje, pas Serbisë.

Raporti i Komisionit Europian përgjatë vitit 2020

Sipas këtij raporti, Shqipëria është me një nivel papunësie prej 12.0% , ndërsa  Serbia me 10.4%, ose vendi me nivelin më të ulët të papunësisë në Ballkanin Perëndimor. Kosova ka nivelin më të lartë me shifrën 25.7% e ndjekur nga Mali i Zi me 17.3% e më pas Bosnje -Hercegovinë me 15.7%.

 Tabela për vendet e rajonit në lidhje me nivelin e papunësisë.

Nisur nga gjetjet e “Faktoje” dhe burimet e sugjeruara nga ekspertët, vendosëm që deklaratën e kryeministrit Rama ta kategorizojmë si të pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img