Qeveria nuk ka asnjë plan për të ndërprerë energjinë elektrike pas orës 22.00 gjatë periudhës së dimrit. Lajmi i publikuar në portalin daily-albania.com me titullin “Edi Rama: Në dimër do fiken dritat pas orës 22:00!” është i pavërtetë. Qeveria shqiptare nuk i përfshin kufizimet në planin e masave për energjinë elektrike.
Esmeralda Topi
Qeveria shqiptare nuk ka plan për ndërprerjen e energjisë elektrike pas orës 22.00. Lajmi i publikuar në portalin daily-albania.com më 2 shtator me titullin “Edi Rama: Në dimër do fiken dritat pas orës 22:00!” është i pavërtetë.
Portali daily-albania.com i referohet një deklaratë të bërë nga kryeministri Edi Rama në përfundim të Samitit për Ballkanin e Hapur, mbajtur në Beograd.
“Rama tha se Evropa po paraqet plane strikte për të përballuar krizën energjetike, siç është fikja e dritave pas orës 22:00. Gjë që nënkupton se e njëjta gjë mund të aplikohet edhe në vendin tonë.”- shkruan ndër të tjera portali, që pasi e bën fakt ndërprerjen e energjisë në titull, në brendësi të lajmit e lë të hapur si mundësi rikthimin tek kufizimet për shkak të krizës.
Faktoje verifikoi deklaratën të cilës i referohet portali daily-albania.com.
Gjatë komunikimit në konferencën për mediat pas Samitit “Open Balkan”, Kryeministri Edi Rama foli për krizën, duke sjellë si shembuj vendet që kanë ndërmarrë masa kufizuese të energjisë por në asnjë moment nuk e ka bërë fakt apo lënë të kuptohet se kjo do të ndodh edhe në Shqipëri.
“Sot që flasim, në Kosovë ka orë të tëra ndërprerje energjie, ky është fakt, por në ndërkohë edhe në vende si Britania e Madhe, si Franca, si Gjermania po paraqiten plane shkurtimesh të energjisë elektrike që duken si të dala nga kapitujt e një libri të Saramagos dhe jo nga realiteti i Bashkimit Europian, plane që përfshijnë fikjen e dritave pas orës 10 të darkës në rrugë, në vitrina dyqanesh, që do të thotë mbyllje të çdo aktiviteti, restorantesh, baresh, klubesh e që do të thotë mbyllje e jetës në orën 10, njësoj si në kohën e pandemisë për të kursyer energji elektrike.”- deklaroi Rama më 2 shtator.
Ndërkohë edhe në dalje të tjera publike, Rama ka përforcuar qëndrimin e qeverisë për të mos patur ndërprerje dritash gjatë periudhës së dimrit.
“Kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës etj., etj. masa të kësaj natyre. Ne nuk kemi një plan të tillë shkurtimesh drastike. Ne nuk kemi një plan të tillë detyrimesh të kësaj natyre apo penalitetesh…”- ka thënë Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Paketës së Dytë të Rezistencës Socialë, më 8 shtator.
Në një reagim për Faktoje, Zyra e Shtypit pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë konfirmon se “nuk ka asnjë kufizim të energjisë elektrike, as ide dhe as plan të tillë.”
Faktoje verifikoi edhe planin e masave për energjinë elektrike që ka bërë publik qeveria në kuadër të krizës. Plani nis me rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë që harxhojnë më shumë se 800 kwh energji në muaj. Vijon me fushatat informuese dhe ndërgjegjësuese të kursimit të energjisë për familjarët, masat detyruese për uljen e konsumit nga institucionet shtetërore, ngritjen e Task Forcës së Energjisë si dhe incentivimin e abonentëve familjarë për të vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit, duke mbuluar 70% të kostos.