Që nga shpërthimi i pandemisë “Covid-19” më 9 mars e deri më 5 prill, në Shqipëri kanë humbur jetën 21 persona nga 361 të identifikuar si të prekur nga virusi. Shqipëria vijon të ketë numër të lartë të shëruarish, por nga ana tjetër renditet si vendi me vdekshmërinë më të lartë në raport me të infektuarit nga “Covid-19” në rajon.
Në javën e 5 të masave, që prej identifikimit të personave të parë që ishin prekur me koronavirus, Shqipëria ka një shifër prej 5.8 qind të vdekshmërisë mes një totali prej 361 të infektuarish nga koronavirusi.
Me këto shifra, vendi ynë renditet me numrin më të lartë të vdekjeve mes të prekurvë në Ballkan por edhe më gjerë, siç vërehet edhe nga tabela ilustruese më poshtë.
Nga raportimet e “Worldmeter”, përpunues i të dhënave mbi pandeminë “Covid-19”, vërehet se Shqipëria në raport edhe me vendet e tjera të botës ka një përqinde të lartë të vdekshmërisë mes të infektuarve.
Me këtë shkallë vdekshmërie Shqipëria ia kalon edhe Kinës dhe Italisë, të konsideruara si dy ndër “Vatrat” më të mëdha të pandemisë së “Covid-19”. Në Itali kanë humbur jetën 15,887 persona ndërsa janë infektuar 128,948 në total. E shprehur në përqindje në Itali kanë vdekur 1,2 % e të infektuarve. Kina “numëron” 3,331 persona që kanë humbur jetën nga 81,708 të infektuar në total nga “Covid-19, ose 0,4 për qind e të infektuarve.
“Faktoje” pyeti Shefen e Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Najada Çomo, lidhur me vdekshmërinë relativisht të lartë të të infektuarve me “Covid-19”
“Ne po bëjmë të pamundurën për çdo njeri! Kemi shpëtuar shumë jetë njerëzish që kanë qenë shumë rëndë! Kjo vlen shumë…shumë! Jetët e humbura nuk janë shumë duke parë edhe grup-moshën dhe Co-Morbiditetet,(**sëmundje të tjera shqoqëruese) një pjesë kanë humbur jetën brenda pak minutash ose orëve që kanë ardhur në spital”- tha Çomo për “Faktojen”., duke pohuar se një pjesë e pacinetëve kanë humbur jetën edhe si pasojë e sëmundjeve bashkëshoqëruese.
“Një grup pacientësh kanë ndërruar jetë, edhe nga zemra, mushkëria. Jetët e humbura kanë marrë asistencën maksimale mjekesore. Çdo mjekim e kemi, do ja dalim”- tha Çomo.
Për mjekun infektolog, Pëllumb Pipero strategjia e ndjekur në raport me rastet e dyshuara mund të jetë një tregues.
“Mendoj se vende të ndryshme kanë aplikuar strategji apo veprim jo të njëjtë në raport me udhëzimet e OBSH-së. Vendi ynë ka qasje më shumë me gjurmimin e rasteve të kontaktit. Unë e kam konsideruar testim për konfirmim, jo për depistim. Për pasojë ne kemi përqindje pozitiviteti më të lartë, pasi rastet janë kontakt i afërt, por rastet pozitive në vlerë absolute me të vegjël (ndërkohë që sipas epidemiologëve dhe studimeve respektive pas çdo rasti pozitiv të konfirmuar janë së paku dhe 10-15 raste të tjerë pozitiv por asimptomatik) dhe rrjedhimit përqindja e vdekjeve del relativisht e lartë”- i tha “Faktojes”, Pëllumb Pipero.
Pipero shtoi gjithashtu edhe se shifrat e deritanishme nuk mund të konsiderohen si një pasqyrë reale e pandemisë.
“Duhet të presim përfundimin e pandemisë për të kuptuar realisht shifrat dhe përqindjet”, u shpreh Pipero.