Pretendimi: Një alarm për tërmet të fuqishëm në 17 shtete paralajmëron lëkundje edhe në Shqipëri.
Verdikti: Mungon konteksti
___________________________________________________
Një alarm për një tërmet të fuqishëm në 17 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, është shpërndarë në rrjetet sociale pas tërmetit të 18 nëntorit në Rumani.
“Alarm për tërmet të fuqishëm në 17 shtete, lëkundjet mund të prekin edhe Ballkanin”, njoftohet në postimin e publikuar nga Lajmial.com në Facebook.

Publikimi i referohet një njoftimi të sistemit Android Earthquake Alerts, i cili kishte përllogaritur fillimisht një tërmet me magnitudë 6.5 në zonën sizmike të Vranceas në Rumani.
Njoftimi ishte real, por ashtu siç shpjegohet më tej në artikull, lidhet me mundësinë që lëkundjet e tërmetit në Rumani të jenë ndjerë edhe në territore të tjera pranë epiqendrës dhe nuk përbën paralajmërim për një tërmet të ardhshëm në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar për Fizikën e Tokës në Rumani, tërmeti ndodhi më 18 nëntor 2026, në orën 01:48:55 sipas kohës shqiptare, me magnitudë lokale 5.7 dhe në një thellësi prej 120.8 kilometrash.

Radio România raportoi se diferenca mes magnitudës së njoftimit të Google dhe asaj të konfirmuar nga sizmologët lidhet me teknologjitë dhe metodat e ndryshme të përllogaritjes që përdorin dy sistemet.
Edhe Inspektorati i Përgjithshëm për Situatat e Emergjencës në Rumani sqaroi se njoftimi i Google nuk duhet ngatërruar me sistemin zyrtar të paralajmërimit të autoriteteve rumune.

Sistemi Android Earthquake Alert përdor sensorët e telefonave celularë për të identifikuar lëkundjet pasi një tërmet ka nisur. Në kushte të caktuara, ai mund të njoftojë përdoruesit disa sekonda përpara mbërritjes së valëve sizmike në vendndodhjen e tyre.

Vetë Google sqaron se përllogaritjet fillestare të magnitudës dhe intensitetit të lëkundjeve mund të përmbajnë pasaktësi.
Përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve potencialisht të prekura nuk dëshmon se në territorin shqiptar janë ndier lëkundje apo se do të përsëriten tërmete të fuqishme.

Kontrolli i Faktoje në platformën e monitorimit sizmik EarthquakeToday, e cila grumbullon të dhëna nga USGS dhe Qendra Sizmiologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), nuk evidentoi në listën e ngjarjeve të datave 19-25 nëntor ndonjë tërmet të fuqishëm me epiqendër në Shqipëri.






