Britania njoftoi rezervistët, por jo për mobilizim

2

Pretendimi: Britania ka thërritur 100 mijë rezervistë ushtarakë për mobilizim në përgatitje për luftë të mundshme me Rusinë.

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

——————————————————————————————————-

Më 26 nëntor 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, u shpërnda alarmi (arkivuar këtu) se Britania e Madhe u ka dërguar thirrje për mobilizim 100 mijë rezervistëve ushtarakë në përgatitje për një luftë të mundshme me Rusinë.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të frikësohen nga prognoza e një lufte tjetër botërore.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Në brendinë e vetë artikullit që mban titullin alarmues shpjegohet se bëhet fjalë për një letër me të cilën rezervistëve iu kërkua të përditësonin informacionin e tyre të kontaktit dhe të jepnin detaje në lidhje me punësimin e tyre aktual dhe aftësitë profesionale, jo një urdhër mobilizimi. 

Sipas mediave britanike të cituara edhe nga vetë artikulli, Wes Streeting, ministri i Mbrojtjes, tha se ky veprim synonte të verifikonte nëse të dhënat personale të këtyre veteranëve janë ende të sakta, si dhe të shihte se çfarë përvojash e aftësish mund të kenë fituar ata që nga largimi nga forcat e armatosura.

Streeting tha se vendimi për të kontaktuar 100 mijë pjesëtarë të të ashtuquajturës Rezervë Strategjike ishtë një hap i arsyeshëm, duke pasur parasysh kërcënimet me të cilat përballen Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj, por nuk është sinjal se lufta është në horizont.

“Deri në një farë mase ajo që po ndodh sot duhet të jetë rutinë, por nuk ka ndodhur për disa kohë. Ne u kemi shkruar Rezervës tonë Strategjike. Këta janë njerëz që kanë shërbyer më parë në forcat tona të armatosura. Ne u kemi shkruar atyre për t’u siguruar që detajet e tyre janë të përditësuara. Dhe gjithashtu, që ne të kemi një të kuptuar të përvojës dhe aftësive që ata kanë zhvilluar që nga largimi nga forcat e armatosura. Ky duhet të jetë informacion që unë mendoj se qeveria duhet ta ketë si standard, cilido qoftë mjedisi i kërcënimit,” tha Streeting.

Ai shtoi se bëhej fjalë për një masë paraprake, e cila, nëse nuk do të merrej, do të ngrinte pikëpyetje në rast se do të shpërthente një luftë, e ndjekur nga një hetim publik për të përcaktuar nëse qeveria e asaj kohe kishte qenë e përgatitur.

“Kjo është një çështje e tillë që nëse nuk e bëjmë tani, në një kohë kur nuk jemi përballë një rreziku të menjëhershëm lufte në vendin tonë, por ndërkohë përballemi me një mjedis kërcënues në Evropë, atëherë, nëse nuk e ndërmarrim këtë hap tani, në të ardhmen, pas 20 apo 30 vitesh, gjatë një hetimi publik, njerëzit do të pyesin: ‘Pse nuk ishte gati Ministria e Mbrojtjes? Pse nuk i dispononin ata këto informacione?'”, shpjegoi Streeting

Sekretari i Mbrojtjes i bëri këto komente pasi gazeta The Telegraph zbuloi se këto letra u ishin dërguar veteranëve, në një periudhë tensionesh të shtuara me Rusinë dhe Iranin.

Rezerva Strategjike është menduar të shërbejë si një shtyllë thelbësore e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në kohë lufte. Atyre do t’u kërkohej të mobilizoheshin në mbështetje të forcave të rregullta ushtarake dhe të rezervistëve të rregullt, të cilët do të dërgoheshin të parët në betejë.