Çfarë ofron platforma Help4U?! 

Faktoje testoi platformën e prezantuar sot gjatë aktivitetit kundër bullizmit, nga 8 pyetjet te një fletëpalosje me adresa për të kërkuar ndihmë

27
Mirela Kumbaro

Nga Jona Cenameri

Nëse je një gjimnazist që përballet me bullizmin në shkollë dhe, pas prezantimit të ministrave të Arsimit dhe të Brendshëm, vendos të kërkosh ndihmë përmes platformës Help4U, duhet t’u përgjigjesh tetë pyetjeve, të shkarkosh një fletëpalosje dhe më pas të kërkosh ndihmë në gjashtë faqe të tjera interneti.

Prezantimi i platformës Help4U

Më 26 nëntor, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilluan një aktivitet ndërgjegjësues kundër bullizmit dhe dhunës verbale në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, ku prezantuan platformën Help4U, si pjesë e paketës së sigurisë në shkolla.

“Të tilla programe janë shumë të rëndësishme. Bullizmi dhe çdo formë tjetër dhune dhe agresioni verbal që ne bëjmë ose pësojmë, nuk është çështje fushatash. Është jeta jonë e përditshme”, deklaroi Kumbaro.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Ministrja, e cila një pjesë të mirë të fjalës së saj ia kushtoi respektimit të kufijve personalë dhe të drejtës së vajzave për të thënë “jo”, u kërkoi gjimnazistëve t’i konsideronin dy ministrat si shokë.

“Unë kam ardhur sot bashkë me shokun tim Ervinin dhe dua të na konsideroni si shokë, jo si ministra. Kemi plot detyra të tjera, hapësira të tjera ku ne ushtrojmë funksionet tona si ministra”, u shpreh Kumbaro.

Ajo evidentoi gjithashtu bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat në dispozicion të nxënësve për adresimin e problematikave të tyre.

“Keni psikologët, keni punonjësit socialë, keni këtu një oficere sigurie fantastike, nga më të mirat që ne kemi në gjithë sistemin arsimor”, deklaroi ministrja.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit, gjatë aktivitetit u prezantua nga Drejtoria e Krimit Kibernetik edhe platforma Help4U, e cila, sipas ministrisë, u lehtëson të rinjve mundësinë për të denoncuar rastet dhe “unifikon në një adresë të vetme gjithë institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbështetjen e nxënësve”.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme i kushtoi një njoftim të posaçëm prezantimit të platformës.

Faktoje vendosi ta testojë platformën.

Në kërkim të ndihmës

Që në faqen hyrëse të Help4U, ndeshemi me një sqarim: platforma shërben për marrjen e këshillave dhe ndihmës. Ajo nuk mbledh të dhëna personale.

Help4U

Pasi përzgjodhëm gjuhën shqipe, nisëm procedurën. Dy pyetjet e para kërkojnë të identifikojmë shtetin ku ka ndodhur ngjarja dhe grupmoshën tonë: deri në 13 vjeç ose nga 14 vjeç e lart.

“Për çfarë jeni të shqetësuar?”

Në pyetjen e tretë, “Për çfarë jeni të shqetësuar?”, hasim vështirësinë e parë.

Ndërsa Kumbaro foli para gjimnazistëve për bullizmin dhe agresionin verbal, problematika që qëndrojnë edhe në titullin e njoftimit të Ministrisë së Arsimit, asnjëra prej tyre nuk figuron si kategori më vete në pyetësorin që testuam.

Platforma na ofron tri alternativa: manipulim ose mashtrim përmes një identiteti të rremë, ngacmim ose shantazh (kjo e fundit në parim mund të jetë e shprehur edhe përmes kërcënimeve verbale) dhe shpërndarje të imazheve seksuale.

Alternativa “Ngacmim ose shantazh”, (që në pamje të parë duket se mund të përfshijë format e bullizmit për të cilat foli ministrja), në shpjegimin e saj i referohet konkretisht shantazhit seksual.

Në pyetësorin e testuar për grupmoshën nga 14 vjeç e lart, një nxënës që përballet me fyerje, poshtërim apo përjashtim nga bashkëmoshatarët nuk gjen një alternativë të posaçme për të përshkruar situatën e tij.

Për të vijuar testimin, përzgjodhëm të tria alternativat.

Pesë pyetjet e mbetura kërkojnë të dinë nëse e njohim autorin, ku, kur dhe sa shpesh ka ndodhur ngjarja, si dhe nëse ajo mund të përsëritet.

Tetë pyetje më vonë

Përfunduam pyetësorin duke simuluar situatën e një adoleshenti që ishte përballur me tri forma të abuzimit seksual, më shumë se një herë gjatë muajit të fundit, nga një autor i panjohur, dhe që nuk e dinte nëse ngjarja mund të përsëritej.

Në fund, platforma na ofroi një fletëpalosje në format PDF, e cila niste me mesazhin:

“Ju nuk jeni në rrezik. Ne e marrim situatën tuaj shumë seriozisht. Kjo tregon dhunë seksuale.”

Help4U

Dokumenti përmban një përmbledhje të përgjigjeve tona, informacion mbi të drejtat e viktimave dhe një listë institucionesh e organizatash ku mund të kërkojmë ndihmë.

Tetë pyetje më vonë, ne dimë më shumë për të drejtat tona, por institucionet ende nuk dinë asgjë për ne. Për të kërkuar ndihmë, duhen ndërrmarë akoma hapa të tjerë shtesë.

Nga një adresë e vetme në gjashtë adresa të tjera

Për të parë se si funksionon unifikimi i institucioneve përgjegjëse për sigurinë e nxënësve, për të cilin flet Ministria e Arsimit, Faktoje ndoqi të gjashtë lidhjet që platforma rekomandon për përdoruesit në Shqipëri.

Help4U

E para na çon në faqen “Fëmijë të Sigurt Online” të Policisë së Shtetit, ku gjejmë materiale ndërgjegjësuese dhe, në fund të faqes, një tjetër link për denoncimin e krimit kibernetik.

ALO 116 111 na orienton drejt linjës ekzistuese të ndihmës dhe raportimit të dhunës ndaj fëmijëve.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike na pret me një faqe në gjuhën angleze, me video ndërgjegjësuese, kuize dhe informacione mbi aktivitetet e institucionit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive na drejton në faqen e tij kryesore, ndërsa Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në një faqe që shpjegon detyrat dhe përgjegjësitë e njësive për mbrojtjen e fëmijëve.

Ministria e Arsimit nuk figuron mes gjashtë adresave që na sugjeron fletëpalosja.

Megjithatë, mes tyre gjejmë edhe një platformë ku mund të raportojmë konkretisht bullizmin: iSIGURT.al.

Platforma iSIGURT.al funksionon që prej vitit 2015.

Çfarë është e re?

Në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Help4U prezantohet nga Drejtoria e Krimit Kibernetik, pa u përmendur origjina e platformës apo institucionet që e kanë zhvilluar atë.

Help4U është një projekt ndërkombëtar i Europol dhe qendrës kërkimore CENTRIC , i lançuar më 18 nëntor 2025, me fokus mbështetjen e fëmijëve dhe adoleshentëve që përballen me abuzimin seksual online.

Sot, platforma përfshin mbi 20 vende dhe ofrohet në 21 gjuhë.

Në maj të këtij viti, Policia e Shtetit organizoi një aktivitet koordinues me Europol për implementimin e këtij projekti në Shqipëri.

Më 19 nëntor, vetëm një javë përpara aktivitetit të sotëm, Ministria e Brendshme kishte prezantuar tashmë disponueshmërinë e platformës në shqip. Në atë njoftim, ministria e përshkruante më saktë edhe funksionin e saj: informim, këshillim dhe mbështetje.

Artikulli paraprakElon Musk nuk parashikon komunikimin e njeriut me kafshët në 2028
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.