.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriShqipëria ende pa një bursë energjie, ALPEX nis trajnimet por jo operimin

Shqipëria ende pa një bursë energjie, ALPEX nis trajnimet por jo operimin

Shqipëria ende pa një bursë energjie, ALPEX nis trajnimet por jo operimin

Bursa Shqiptare e Energjisë nuk nisi operimin as më 23 nëntor siç u premetua nga qeveria. Data që do shënonte zyrtarisht nisjen e punës për këtë projekt të rëndësishëm në fushën e energjisë, rezultoi të ishte në fakt çelja e periudhës së trajnimit të ALPEX nëpërmjet platformës së tregtimit. Faktoje mësoi se operimi i Bursës pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm.

 Esmeralda Topi

 “Për sa i përket ngritjes së bursës shqiptare që tashmë prej kohësh ne i kemi hedhur të gjitha hapat e duhura, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me konsorciumin grek dhe si datë finale për nisjen e operimeve është dhënë 23 nëntori i këtij viti, kur ne do të përformojmë duke përmbushur kështu një kusht tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e tregut shqiptar, ashtu sic kërkohet edhe nga BE.”deklaroi më 13 maj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku pas një takimi në Tiranë me homologun e saj grek Kostas Skrekas.

Por koha tregoi se edhe këtë herë afati për nisjen e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë u shkel. Nga një verifikim i Faktoje rezulton se më datë 23 nëntor, ALPEX nisi trajnimin përmes platformës së saj të tregtimit, por jo operimin e shumëpritur të bursës.

“Data 23 Nëntor 2022 shënon çeljen zyrtare të periudhës së trajnimit nëpërmjet platformës së tregtimit të ALPEX me qëllim garantimin e një fillimi të sigurtë për Bursën Shqiptare të Energjisë. Ky trajnim do t’i mundësojë ALPEX-it në rolin e operatorit të tregut si dhe pjesëtarëve të tjerë potencial të tregut të marrin pjesë në një ambient tregtimi për të përfituar njohuritë e duhura që lidhen me mënyrën e ofertimit të energjisë elektrike në tregun e organizuar si dhe rezultatet e këtij procesi në një mjedis real.” – shkruhet në njoftimin zyrtar të ALPEX.

Çelja zyrtare e periudhës së trajnimit do të thotë që operatorët e regjistruar do të mund të kryejnë procedurat e tregtimit në një formë simulimi për të kaluar më pas në fillimin e plotë të funksionimit të Bursës.

Më 24 nëntor, Faktoje kontaktoi me Kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, për të mësuar nëse autoritetet i kanë kërkuar ERE-s shtyrjen e afatit të operimit.

“Sot kemi një takim me palën kosovare këtu në Entin Rregullator të Energjisë. Është një takim për fillimin e Bursës. Nuk ka shtyrje afati.”- tha Ahmeti në një komunikim telefonik për Faktoje.

Takimi të cilit i referohet z.Ahmeti në fakt konfirmon indirekt shkeljen e afatit për nisjen nga puna të bursës së energjisë.  Referuar njoftimit të ERE-s, bordi zhvilloi një takim konsultues mbi përcaktimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike më 24 nëntor, rregulla të cilat do t’i shërbejnë operimit të bursës.

“Në kuadër të miratimit të Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike të cilat do ti shërbejnë operimit të Bursës se energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, Enti Rregullator i Energjisë mirëpriti ditën e djeshme, datë 24 nëntor 2022, përfaqësues të Rregullatorit të Kosovës (ZRRE) të cilët zhvilluan një seancë publike të përbashkët me palët e interesit të të dy vendeve, ndër të cilët mund të përmëndim AAES, AK, FTL, KOSTT, KURUM, KESH, KESKO.” – shkruhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të Entit Rregullator të Energjisë.

Por pavarësisht se bursa nuk është bërë ende operacionale, edhe autoritetet përgjegjëse nuk e pranojnë shtyrjen e afateve. Në një komunikim me Faktoje, zëvendësministri i energjisë Ilir Bejta thotë se ALPEX ka nisur fazën e parë të ‘punës’ dhe për këtë i referohet periudhës testuese.

“Filloi periudha e testit të thatë ose dry run siç quhet, proces që zgjat tre deri në pesë muaj. Regjistrim, trajnim, certifikim i operatorëve.”

Operimi i Bursës Shqiptare të Energjisë pritet të nisë në pranverën e vitit të ardhshëm, përkatësisht në muajt mars-prill. Ekspertët e shohin funksionimin e saj si një mundësi për rritjen e konkurrueshmërisë në tregun shqiptar të energjisë. Po ashtu, vënia në punë e saj sipas ekspertëve do të rrisë transparencën.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike u themelua më 5 tetor të 2020 me aksionerë kryesorë operatorët e transmetimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa platforma e tregtimit të saj u ndërtua nga një konsorcium grek në janar të këtij viti.

Faktoje ka ndjekur edhe më herët zhvillimet mbi zvarritjet e vazhdueshme të këtij projekti të rëndësishëm në fushën e energjisë.

Lexo edhe:

https://faktoje.al/odisea-e-burses-shqiptare-te-energjise-zvarritje-dhe-shkelje-afatesh/

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img