BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingOdisea e Bursës Shqiptare të Energjisë, zvarritje dhe shkelje afatesh 

Odisea e Bursës Shqiptare të Energjisë, zvarritje dhe shkelje afatesh 

Esmeralda Topi 

Qeveria shqiptare ka shkelur afatin e vendosur për vënien në punë të Bursës Shqiptare të Energjisë. Edhe këtë mandat, socialistët e kanë në listën e prioriteteve projektin e tregtimit të energjisë elektrike. Në Programin Qeverisës 2021-2025 shkruhej se Bursa e Energjisë do të niste punën në shkurt 2022. Ky angazhim nuk u përmbush, madje është fshirë nga dokumenti në fjalë. Së fundmi, Ministria e Energjisë ka dalë me një afat të ri sipas të cilit Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të bëhet operacionale në fund të këtij viti.

Në programin qeverisës 2021-2025 qeveria angazhohej që Bursa Shqiptare e Energjisë të ishte krejtësisht opercionale në shkurt të 2022.

“Bursa Shqiptare e Energjisë do të bëhet krejtësisht operacionale në shkurt të vitit 2022.”- shkruhej në programin që qeveria prezantoi në 16 shtator të 2021.

Screenshot nga programi qeverisës 2021-2025 (SHTATOR 2021)

Disa muaj më vonë, ky afat është fshirë nga programi qeverisës 2021-2025. Në pikën dedikuar bursës, pjesa më e rëndësishme e angazhimit nuk gjendet.

Screenshot nga programi qeverisës 2021-2025 (MAJ)

Në shkurt, muajin kur bursa mendohej se do të ishte operacionale, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike-ALPEX njofton në faqen e saj zyrtare se operimi i tregut është planifikuar për në fund të vitit.

“Alpex do të vazhdojë të punojë drejt implementimit të Modelit të Synuar Evropian për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda të Njëjtës Ditë duke synuar të bëhet edhe Operator i Emëruar i Tregut të Energjisë Elektrike NEMO. Operimi I tregut (go-live) është planifikuar për tremujorin e fundit të vitit 2022.”- shkruhet në deklaratën për shtyp të shoqërisë në 10 shkurt 2022.

Screenshot nga faqja zyrtare e Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX

Dy muaj pasi kishte kaluar afati për përmbushjen e këtij zotimi, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me ministrin e Energjisë dhe ambientit në Qeverinë Greke Kostas Skrekas, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi një afat të ri për nisjen e tregtimit të parë të energjisë elektrike përmes bursës shqiptare ALPEX.

“Si datë finale për nisjen e operimeve është dhënë 23 nëntori i këtij viti ku ne do të përformojmë duke përmbushur kështu një kusht tjetër të rëndësishëm për liberalizimin e tregut shqiptar.”-tha Balluku në 13 maj të këtij viti.

Foto nga takimi i zhvilluar në 13 maj 2022

Faktoje kontaktoi me përfaqësuesit e Bursës Shqiptare të Energjisë mbi vonesat dhe ecurinë e këtij projekti. Në përgjigje të interesit tonë Drejtori i Zhvillimit të Biznesit në ALPEX Vasil Shpata thotë se vonesat kanë ardhur për shkak të procedurave të ndërlikuara të projektit.

“Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike arriti të përmbushë me sukses një proces të ndërlikuar, siç ishte ai i përzgjedhjes së ofruesit të shërbimit, në një kohë relativisht të shkurtër, duke marrë në konsideratë kompleksitetin e këtij projekti, i cili aktualisht ka hyrë në fazën e implementimit të tij. Kujtojmë që Bursës Energjitike të Malit të Zi-BELEN, iu deshën afërsisht 4 vjet për të përmbyllur këtë proces, ndërsa Bursa Energjitike e Maqedonise se Veriut MEMO, edhe pse ka disa vite që operon, nuk ka arritur ende të përmbyllw procesin e përzgjedhjes së ofruesit të shërbimit.”- shkruan përfaqësuesi i ALPEX Vasil Shpata për Faktoje.

Edhe në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë tejkalimi i afateve lidhet me procedurat e zgjatura të përzgjedhjes së Ofertuesit të Shërbimit për bursën.

“Procedurat e përzgjedhjes u zgjatën përtej afateve të synuara duke e shtyrë procesin e funksionimit të bursës. Në fund të vitit 2021 u arrit përzgjedhja e këtij Ofruesi Shërbimi me fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga Bursa e Athinës “Hellenic Exchanges – Athens Stock ExchangE S.A.”, Grupi i bursës së energjisë elektrike të Greqisë me dy kompanitë e saj “Hellenic Energy Exchange S.A.” dhe “Enex Clearing House S.A.”- shkruhet në raportin vjetor të ERE-s për vitin 2021.

Raporti i Entit Rregullator thekson se tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë do të nisw në nëntor, ndërkohë që detajohen edhe disa afate të tjera.

“Sipas kalendarit të tregjeve të parashikuara në termat e referencës, tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë për tregun e Shqipërisë do të nisë në muajin Nëntor 2022 dhe në muajin janar 2023 do të kemi tregtimin për tregun e Kosovës dhe bashkimin e të dy tregjeve Shqipëri-Kosovë. Ndërkohë parashikohet që në dhjetor të vitit 2023 të nisë tregtimi i energjisë elektrike brenda të njëjtës ditë për tregun e Shqipërisë dhe dy muaj më pas të kemi bashkimin e tregjeve brenda të njëjtës ditë për të dy tregjet.”- shkruhet në raportin e vitit 2021.

Edhe raporti periodik i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, që vlerëson avancimin e reformave të sektorit të energjisë, për gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në publikimin e muajit nëntor vë në dukje vonesën në krijimin e bursës në Shqipëri për shkak të procedurave tenderuese të përzgjedhjes së Ofertuesit të Shërbimit për bursën.

Screenshot nga raporti i Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë 

Për ekspertin Eduard Gjokutaj problemi kryesor i vonesave lidhet me optimizmin me të cilin janë bazuar autorët e programit, që sipas tij nuk përkon me realitetin e tregut energjetik në Shqipëri.

“Ky realitet pamundëson realisht bursë funksionale, për aq kohë sa nuk janë realizuar shumica e objektivave të planit te konsolidimit financiar. “- thekson Gjokutaj për Faktoje.

Nga ana tjetër ai nënvizon:

“Mungesa e angazhimit të partnerëve të huaj me përvojë në këto momente (Banka Botërore) apo shtete që janë investuar në gjenerim si dhe papastërtitë fiskale të bilanceve financiare të kompanive publike të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes e furnizimit janë një problem po aq madhor, i cili anashkalohet nga ministritë që janë të lidhura me sektorin sipas fushave respektive të mbulimit.”- thotë Eduard Gjokutaj për Faktoje.

Por eksperti për energjinë Lorenc Gordani e sheh me një tjetër sy zvarritjen e procesit në këto vite. Sipas tij, shkelja e afateve ka qenë e qëllimtë.

“Për qeveritarët, për autorietet publike, për kompanitë publike e gjithë të tjerët i hapet shumë punë dhe i ulet fitimi. Sepse ata janë në treg, ata nuk kanë ndonjë shqetësim për ta prishur status quo-në. Por do të jenë të detyruar që t’i ndërmarrin këto hapa, edhe pse nuk kanë interes. Praktikisht kjo e ka penguar procesin që duhej të ishte realizuar që në 2017, por që është zvarritur ndër vite.”- thekson Gordani për Faktoje.

Bursa Shqiptare e Energjisë nuk është vetëm një projekt ambicioz i qeverisë drejt integrimit në Tregun Europian të Energjisë Elektrike, por është edhe një nga rekomandimet kyçe në Progres Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

“Vijimi i diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë elektrike përtej burimeve hidrike dhe ngritja e Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX dhe tregut të organizuar të energjisë elektrike të ditës në avancë.”- shkruhet në Progres Raportin e vitit 2021, në kapitullin dedikuar Energjisë.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin fillestar të qeverisë se Bursa Shqiptare e Energjisë do bëhej tërësisht operacionale në shkurt 2022, ta kategorizojmë Të Pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img