Video e një shpërthimi në Afrikën e Jugut po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se ushtria ka shkatërruar tunele nëntokësore që përdoreshin për trafikimin e fëmijëve. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se shpërthimi në video ishte në të vërtetë shpërthimi aksidental i një tubacioni nëntokësor gazi.
————————————————————-
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullojnë pamje nga një kamera sigurie që tregojnë një shpërthim të fortë në një rrugë qyteti. Disa përdorues i përdorën këto pamje për të pretenduar, çuditërisht, se ushtria në Johanesburg, Afrikë e Jugut, kishte ekzekutuar një aksion “ndaj një baze të nëndheshme në Johannesburg që përdorte tunele për kontrabandën e njerëzve, u shpëtuan 767 fëmijë, dhe nga këta 234 vajza.”
Përballë këtij pretendimi befasues, “Faktoje” vendosi të verifikojë vërtetësinë e këtij lajmi.
Me anë të motorit të kërkimeve të imazheve Google Reverse Image Search, konfirmuam se shpërthimi kishte ndodhur vërtet në Johanesburg, qytetin më të madh në Afrikën e Jugut.
Një kërkim pasues në Google mbi “shpërthimin në Johanesburg” zbuloi se ky shpërthim ndodhi më 19 korrik 2023, në rrugën Lillian Ngoyi në Johanesburg. Si pasojë humbi jetën një person, dhe u plagosën 41 të tjerë.
Megjithatë, raportimet në media nuk përmendin ndonjë aksion ushtarak kundër trafikut të fëmijëve, diçka aq e vlefshme për shoqërinë, nëse do të ekzistonte.
Në fakt, që pas shpërthimit, dyshimet e para për shkakun e tij nuk ishin një aksion ushtarak i planifikuar aq keq sa la të vdekur një person dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Zyrtarët e qytetit dyshuan, që në 19 korrik, se kishte shpërthyer një tubacion gazi. Gazetarët raportuan nga vendngjarja se atje ndihej ende një “erë e rëndë gazi”. Të premten, më 21 korrik, këto dyshime u konfirmuan. Johan La Grange, inxhinier civil dhe konsulent i qytetit të Johanesburgut tha se “ky ishte një shpërthim i pastër gazi.” Menaxheri i qytetit, Floyd Brink tha se teknikët në vendngjarje kishin zbuluar një tub të vjetër gazi.