Okulisti Rubin Topi “viktimë” e këshillave mjekësore të portaleve

1058

Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online me qëllim përfitimi është kthyer në një shqetësim serioz. “Faktoje” verifikoi këtë herë se si portalet kanë përdorur imazhin e mjekut të njohur okulist Rubin Topi me qëllim rritjen e klikimeve përmes një lajmi të rremë.

Esmeralda Topi

Lajmet që publikohen vetëm me qëllimin për të mbledhur sa më shumë klikime për përfitimin personal të personave që i menaxhojnë këto faqe, zënë një pjesë të madhe të “informacionit” që shpërndahet në rrjetet sociale. Ky është qëllimi i publikimit të shpërndarë nga portali gazetayte.online me titullin e bujshëm, por të gënjeshtërt, “Lamtumirë Insulinë..!? Mjeku Shqiptar: Sëm undja e sheqerit shërohet për një ditë..!?”

Screenshot nga portali gazetayte.online

Më tej në brendësi të lajmit të publikuar më 17 korrik nga portali në fjalë, pretendohet se deklarata bombastike që prek të gjithë diabetikët në Shqipëri, vjen nga një mjek kirurg nga Kamenica i identifikuar si Arbër Morina.

“Me anë të një postimi në Facebook, kirurgu nga Kamenica, Arbër Morina ka pretenduar se Diabeti Mellitus Tip-2 dhe Obeziteti Morbid mund të shërohen përmes risisë shkencore në kirurgjinë metabolike. Ai shkruan “Lamtumirë Insulinës dhe të gjitha mjekimeve dhe komp.likaci.oneve nga diabeti” dhe më pas ka lënë numrin e tij të telefonit për pacientët dhe familjarët e interesuar” , shkruhet në brendësi të artikullit.

Ka shumë elementë në këtë artikull që të bëjnë të dyshosh. Së, pari është lajmi i bujshëm për gjetjen e një zgjidhjeje kaq të rëndësishme siç është fjala për trajtimin e të sëmurëve diabetikë. Nga verifikimet rezulton se ky lajm është publikuar nga portalet tri vite më parë, kur një postim në rrjetet sociale i një mjeku me emrin Arbër Morina, në këtë periudhë rezultonte endoskopist në Kosovë, njoftonte trajtimin e diabeti nëpërmjet operimit të pacientëve. Edhe në këtë periudhë, lajmet dhe postimet e tilla ngjallën skepticizëm dhe komente të lexuesve.

Screenshot nga portali gazetayte.online

I njëjti lajm, është rimarrë nga portalet ditët e fundit me një fotografi, e cila i përket okulistit të njohur nga Shqipëria Rubin Topi. “Faktoje” kontaktoi me mjekun Topi, i cili theksoi se është përdorur në mënyrë abuzive figura e tij, pasi nuk ka sugjeruar dhe as nuk ka dhënë miratimin për publikime të tilla.

“Ma ka nisur një kolege e imja, mjeke e përgjithshme përpara disa ditësh këtë artikull. U habita kur e pashë me thënë të drejtën. Nuk me kishte ndodhur ndonjëherë. E lexova artikullin dhe rezultonte që një mjek nga Kosova pretendonte për këtë rezultat…për identitetin e të cilit nuk jam i sigurtë nëse është i saktë e aq më pak për përmbajtjen e artikullit.”, pohon ai, teksa sqaron më tej se fotografia që është përdorur nga portali gazetayte.online është shkëputur nga një intervistë televizive që ai ka dhënë më herët.

“Në thelb kanë marrë një foto timen gjatë një interviste televizive dhe ia kanë vënë si foto një artikulli që si përmbajtje nuk ka asnjë lidhje me mua si mjek apo individ. Mjafton ky fakt për të kuptuar që është një mashtrim i rëndomtë.”, thekson për “Faktoje”, mjeku okulist Rubin Topi.

Skema të tilla fiktive, që përdorin figurat e mjekëve të njohur përdoren për të mashtruar përdoruesit e mediave online me qëllim rritjen e klikimeve.

“Nuk di se çfarë veprimesh ligjore mund të ndërmerren por ky dezinformim i qëllimshem i publikut është i dënueshëm.”, thotë mjeku Rubin Topi.

 ‘Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.