Pretendimi: Këto makina në Kaliforni nuk janë djegur nga flakët, sepse flaka nuk e shkrin aluminin

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se zjarret në Kaliforni në Janar 2025 ishin si pasojë e “djegies me energji”. Si ‘provë’ për këtë sillen foto të disqeve prej alumini të makinave të prekura nga flakët, të cilat kanë shkrirë. 

Sipas postimit të mësipërm, shkrirja e disqeve nuk mund të jetë pasojë e flakëve, “sepse flaka nuk e shkrin aluminin.”

Ndoshta një flakë e zakonshme nuk e shkrin aluminin, por ‘zjarret e egra’ si ato që përfshinë Kaliforninë mund të arrijnë temperatura deri në 1200 gradë celsius, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, temperatura e shkrirjes së aluminit të pastër është 660 gradë celsius.

Kështu, zjarret në Kaliforni mund të kenë arritur temperatura djegie mjaftueshëm të larta për të shkrirë, madje dhe djegur, aluminin.

Në fakt, kjo ka ndodhur edhe më parë, në raste të tjera zjarresh masive. 

Rrota alumini të shkrira pas zjarreve në Kenwood, Kaliforni në vitin 2018

Një copë alumini e shkrirë nga zjarri ‘Camp Fire’ në qytetin Paradise, Kaliforni në 2018

Alumin i shkrirë lënë pas nga zjarri ‘Bear Fire’ në Berry Creek, Kaliforni në 2020

 Një curril alumini i shkrirë lënë pas nga zjarri ‘Park Fire’ në Kaliforninë e Veriut në 2024

Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendime lidhur me zjarret në Kaliforni.