.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëShkollat 9 vjeçare në Bërxullë dhe Vorë u hapën brenda afatit të parashikuar në projekt

Shkollat 9 vjeçare në Bërxullë dhe Vorë u hapën brenda afatit të parashikuar në projekt

Tre vite pas dëmtimit nga tërmeti, nxënësit e shkollës 9-vjeçare Vorë dhe asaj në Bërxullë, më në fund po e zhvillojnë procesin mësimor në ndërtesat e reja. Faktoje verifikoi në terren se dy objektet arsimore, të cilat janë financim i EU4school kanë përfunduar. Në nisje të vitit të ri shkollor, kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera premtoi hapjen sa më parë të këtyre shkollave.

—————————————————————————————————

“Së shpejti hap dyert për të pritur nxënësit nëpër banka, Shkolla 9-vjeçare Vorë dhe Shkolla 9-vjeçare Bërxullë”, shkroi në një postim në Facebook më 12 shtator, kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera.

Screenshot postimi i kryetarit të Bashkisë së Vorës, Blerim Shera

 Në lidhje me këtë premtim të zotit Shera, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Vorës.

Screenshot, kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Vorës bën të ditur se ka nisur procesi mësimor në këtë shkollë.

“Shkolla 9-vjeçare Vorë, e sapo rindërtuar nga donatorë ka nisur procesin mësimor. Shkolla me një kapacitet prej njëzet e tetë klasash, dy laboratorë dhe një palestër si dhe frekuentohet nga 701 (shtatëqind e një) nxënës”, njofton Bashkia Vorë.

Faktoje udhëtoi drejt Vorës më 21 shtator. Në qendër të saj, ishte ngritur shkolla e re 9-vjeçare, e cila ende nuk ishte hapur për të pritur nxënësit. Inxhinieri tregoi për Faktoje se aty fillimisht ka qenë një shkollë e vjetër e dëmtuar nga tërmeti, ndërsa sot është ngritur një objekt i ri me standarte europiane.

Shkolla 9-vjeçare Vorë, foto 21 shtator 2022

“Shkolla ka 27 klasa në total dhe është e pajisur me laboratorë informatike, fizike, kimie, salla aktivitetesh dhe bibliotekë. Në dhjetor të vitit të kaluar nisi puna për ndërtimin e saj, besoj shpejt do hapet. Janë në proces kompletimi klasat”, tha ai.

Shkolla 9-vjeçare Vorë, 21 shtator 2022

Ne bëmë një verifikim në këtë shkollë sërish më 7 tetor, ku konstatuam se më në fund nxënësit po e zhvillonin mësimin në ndërtesën e re. Na u bë e ditur nga prindërit se fëmijët e tyre ishin transferuar në shkollën e re, prej 3 tetorit.

Faktoje mësoi nga komunikimi me banorë të zonës se para hapjes së shkollës së re, nxënësit e zhvillonin mësimin me turne te gjimnazi “Isa Boletini”, i cili ndodhej shumë pranë kësaj shkolle.

Shkolla 9-vjeçare Vorë, 3 tetor 2022

Referuar të dhënave nga faqja zyrtare e EU4schools, punimet për ndërtimin e shkollës kanë nisur më 06.12.2021 dhe objekti dorëzohet te përfituesi në datën 12.10.2022. Objekti ka kapacitet për 781 nxënës.

Screenshot nga EU4school

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë

Ne udhëtuam edhe drejt fshatit Bërxullë, pjesë e Bashkisë Vorë për të parë nga afër nëse ishte funksionale shkolla e re 9-vjeçare aty. Gjatë verifikimit në terren konstatuam se shkolla ishte hapur që në nisje të këtij vitit shkollor, pra në 12 shtator. Nxënësit dhe prindërit treguan se kushtet brenda saj janë shumë të mira, por ka disa mungesa në mjetet e nevojshme si pajisje sportive apo perde për klasat.

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë

“Nuk është plotësisht e kompletuar. Na kanë kërkuar lekë për perde, për leckë për të larë vendin, për të blerë gjëra për fiskulturë”, shprehen nxënës dhe prindër.

Shkolla 9-vjeçare Bërxullë

Në lidhje me këtë objekt, Bashkia e Vorës thekson: “Shkolla 9-vjeçare Bërxullë, e saporindërtuar nga donatorë ka nisur procesin mësimor. Shkolla ka një kapacitet prej tetëmbëdhjetë klasash, tre laboratorë dhe një palestër si dhe frekuentohet nga 303 (treqind e tre) nxënës”.

Sipas EU4schools, data e fillimit të punimeve për ndërtimin e shkollës është 22.12.2021 dhe data e dorëzimit të objektit 10.10.2022. Kapaciteti i kësaj shkolle është 361 nxënës.

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar rezulton se hapja e dy shkollave të reja në Vorë mund të quhet një premtim i mbajtur, paçka se ato janë pjesë e projektit të financuar nga BE “EU4school”. Shpresojmë që bashkitë përfituese nga këto projekte, të mësojnë edhe nga standardi europian për respektimin e afateve të vendosura kur vjen fjala tek realizimi i veprave publike.

Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img