BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë lajmi për arrestime për skemën e pensioneve

I rremë lajmi për arrestime për skemën e pensioneve

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama në muajin maj, mbi skemën e abuzimit në shpërndarjen e pensioneve të pleqërisë, jo vetëm është rikthyer pas pesë muajve si aktual, por ka pësuar edhe ndryshime të qëllimshme në përpjekje për të marrë klikime nga lexuesit.

Pensionistët mbeten lexuesit më besnikë të shtypit të shkruar sepse kanë krijuar rutinën e tyre të blerjes së gazetës dhe konsumit të ngadaltë të lajmeve për të mbushur kohën e shumtë të lirë në dispozicion. Por, mesa duket, në epokën post-covid dhe rritjen e përdorimit të telefonave smart, edhe në hapësirën online ka nisur të zërë vend lexuesi i moshës së tretë.

Lajmi i publikuar më 5 tetor në portalin ddc24news.com, me përmbajtje skemën e pensioneve dhe arrestime të paralajmëruara nga kryeministri Rama, është klikuar të paktën nga 1,218 lexues të interesuar.

Titulli bombastik “Kemi zbuluar diçka me pensionet”/ Rama paralajmëron ‘arre.stime’: Shume shpejt do…”, me plot gabime të qëllimshme dhe hapësira mes fjalëve është një tregues së dicka nuk shkon me lajmin. Në brendësi të tekstit me gabime drejtëshkrimore ndër të tjera shkruhet:

“Jemi në një situatë të turpshme me pensionet, me dhënien e marrjen e tyre në dorë, jo nëpërmjet bankës.”

Screenshot nga lajmi i portalit ddc24news.com

“Faktoje” verifikoi më tej këtë lajm për të zbuluar se portali ka risjellë në vëmendje të lexuesve deklaratën e bërë nga Kryeministri Edi Rama në 6 maj, gjatë një takimi të zgjeruar me drejtues të sektorit bankar, takim i cili kishte në qendër të diskutimeve revolucionin digjital.

Pesë muaj më parë, gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, kryeministri ndër të tjera foli edhe për një skemë abuzimi që njësia antikorrupsion kishte nën hetim lidhur me shpërndarjen e pensioneve të pleqërisë.

“Njësia jonë antikorrupsion po heton disa raste dhe shumë shpejt, besoj do kemi rezultate për të çuar para drejtësisë strukturat brenda sistemit të dhënies së pensioneve apo të postës, të cilat operojnë në mënyrë kriminale dhe kapërcimi nga ky nivel në një nivel transparence dhe shpejtësie është i mundur vetëm nëpërmjet teknologjisë.” – deklaroi Rama në 6 maj të këtij viti.

Përtej një riciklimi të një lajmi të vjetër, nga krahasimi që ne i bëmë deklaratës së kryeministrit me lajmin e portalit në fjalë, rezulton se autorët e lajmit kanë shtuar pjesën e “arrestimeve” në fjalën e Ramës, me qëllim për të krijuar më shumë interes dhe klikime.

Por as gabimet dhe as mungesa e plotë e informacionit nuk e ka bërë këtë lajm të palexueshëm. Është për të ardhur keq që sa më shumë klikime t’u japim këtyre lajmeve të rreme, aq më të interesuar do të jenë prodhuesit e tyre për të vijuar që të abuzojnë me vërtetësinë e lajmeve.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img