.

.

BallinaPremtimeShkeli premtimin për Porto Romanon, në pritje të zotimit të dytë të Ramës për 2021

Shkeli premtimin për Porto Romanon, në pritje të zotimit të dytë të Ramës për 2021

MARINA DYRMISHI

Landfilldi i Porto Romanos në Durrës duhej të ishte mbyllur në vjeshtën e vitit 2019 dhe të kishin filluar punimet për ndërtimin e një parku të gjelbër, sipas një premtimi të kryeministrit Rama. Por deri në fillim të këtij viti nga Porto Romano vinin pamje të tonelata mbetjesh që digjeshin duke ndotur gjithë zonën. Megjithatë, pas tërmetit të 26 nëntorit Rama bëri një premtim tjetër, kthimin e landfillit në “Eco Park”. Presim 1 qershorin e vitit 2021!

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Në qershor të vitit 2018, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto Romano, në Durrës do shndërrohej në një park të gjelbër brenda 18 muajve.

“Ne kemi marrë një angazhim që ta mbyllim zonën kanceroze të fushës së mbetjeve. Besoj deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm”, është shprehur Rama në 2018-n.

Gjatë vitit 2019, i premtuar si viti kur do mbyllej ky vendgrumbullim, asgjë nuk ndryshoi në Porto Romano. Mbetjet e qytetit të Durrësit vazhduan të depozitohen atje.

Foto: Inva Hasanaliaj

Foto: Inva Hasanaliaj

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama vendosi që mbetjet inerte të qarqeve të Durrësit, Tiranës dhe Lezhës të transportoheshin në këtë landfilld. Fusha e plehrave në Durrës u mbyll vetëm në fillim të këtij viti dhe pavarësisht kësaj mbetjet e ngurta urbane, jo të riciklueshme, aktualisht qëndrojnë në këtë vendgrumbullim dhe në atë të Manzës.

Pas mbylljes së Porto Romanos, kryeministri dha një afat të ri për shndërrimin e landfilldit dhe ndërtimin në këtë vend të ‘Eco Park’.

Foto: Inva Hasanaliaj

“Sot jemi 7 dhjetor. I bie që në 1 qershor të 2021 këtu do të bëhet një festë për fëmijët me parkun e ri. Në 1 qershor të 2021 këtu do jetë festa më e madhe e parë ndonjëherë. Çdo katastrofë, me të gjitha të këqijat, sjell edhe shanset për të rimarrë fillin, për të çuar më para se c’ishte. Ky është shans për ta shfrytëzuar. Se me ato ritme financimi do të kërkonte 3 vite e ca projekti”, tha Rama.

Foto: Top Channel

Por ç’do të ndodhë me mbetjet e qytetit në qoftë se ky landfilld do të kthehet në park? Sipas kryeministrit mbetjet do të transportohen në kryeqytet në landfilldin i cili është dhënë me konçesion me një afat 30-vjeçar firmës “Integrated Energy BV SPV”, të cilës Bashkia Tiranë i paguan 29 euro për çdo ton mbetje. Kompania do të përfitojë rreth 6 milionë euro të tjera shtesë në vit nga rreth 210 mijë ton mbetjesh që llogaritet të prodhojë Durrësi në një vit (sipas analizave të Ministrisë së Mjedisit) dhe që do të transportohen drejt Tiranës.

“Faktoje” do verifikojë premtimin e kryeministrit për kthimin e landfillit të Porto Romanos në “Eco Park” në 1 qershor 2021, por ndërkohë konstatojmë se premtimin e dhënë në 2018-n për kthimin e tij në park të gjelbër, nuk e ka mbajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img