Në Bashkinë Shijak jo vetëm që nuk janë ndërtuar pallatet e premtuara për familjet e pastreha, por ato janë reduktuar nga 3 në vetëm një pallat. Kjo pranohet zyrtarisht për Faktoje nga vetë Bashkia Shijak dhe nga Enti Kombëtar i Banesave. Ndonëse kryetari i Bashkisë së Shijakut, premtoi se do të ndërtohen 3 pallate për 75 familje të pastreha, Enti i Banesave thekson se do të ngrihet vetëm një, ku do të strehohen 25 familje.
———————————————————————————-
“Lajmi i mirë është se në Shijak do të ndërtojmë 3 pallate për të pastrehët”, premtoi më 29 janar të vitit 2021, Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Këtë premtim kryebashkiaku Arbana e ripërsëriti nëpërmjet një postimi në Facebook më 13 shkurt: “Do të ndërtojmë 3 pallate për të pastrehët”.
Screenshot, postimi i zotit Arbana, 13 shkurt 2021
Për shkak të interesit publik, Faktoje vendosi të verifikojë këtë premtim të zotit Arbana, duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shijakut. Ne e pyetëm këtë institucion se sa pallate do të ndërtohen dhe nëse ka nisur puna.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 28 shtator 2022
Në përgjigjen zyrtare, ky institucion bën të ditur se pallatet nuk janë ndërtuar ende, ndërkohë që e kanë gati sheshin e lirë dhe se zbatues i projektit është Enti Kombëtar i Banesave.
“Bashkia Shijak ka sheshin e lirë dhe është zbardhur leja e zhvillimit për ndërtimin e 3 pallateve. Jemi në pritje të Entit Kombëtar të Banesave që të fillojë punimet për ndërtimin e 3 pallateve, pasi ai është investitori dhe zbatuesi i këtij projekti.
Këto tre pallate do të ndërtohen në lagjen Popullore të Bashkisë Shijak, pranë Komisariatit të Policisë dhe Qendrës Shëndetësore Shijak. Ky truall është miratuar nga Këshilli Bashkiak për ndërtimin e pallateve për të pastrehët.
Rrjedhimisht për 3 pallate do të akomodohen 75 familje. Për sa i përket buxhetit për ndërtimin e këtyre pallateve nuk kemi dijeni, pasi Enti i Banesave është njësia e prokurimit për zbatimin e saj”, sqaron Bashkia Shijak.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Entit Kombëtar të Banesave.
Kërkesa për informacion dërguar Entit Kombëtar të Banesave, 28 shtator 2022
EKB sqaron se ky institucion do të ndërtojë vetëm një pallat për të pastrehët, ku do të akomodohen 25 familje.
“Enti Kombëtar i Banesave sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Bashkinë Shijak do të ndërtojë një Banesë 6 kate, nga këto 5 kate banim, një kat njësi shërbimi si dhe 1 kat parkimi nën tokë, me adresë Lagja Popullore, në pasurinë me Nr.20/4, Zona Kadastrale Nr.3369 në qytetin e Shijakut për strehimin e familjeve të pastreha të këtij qyteti.
Në këtë objekt do të strehohen 25 familje. Fondi i miratuar për ndërtimin e kësaj banese është 99.200.000 lekë me TVSH.
Puna për ndërtimin e kësaj banese nuk ka filluar, sepse jemi duke kryer procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e firmës sipërmarrëse që do të realizojë zbatimin e këtij investimi”, sqaron Enti Kombëtar i Banesave.
Faktoje ishte për verififkim në Shijak më 4 nëntor, për të parë se çfarë po ndodhte me projektin e rindërtimit për banesat kolektive. Në zonën mes Komisariatit të Policisë dhe Qendrës Shëndetësore ishte trualli i lirë, mirëpo aty nuk dukej asnjë shenjë për nisjen e punimeve.
Trualli i lirë mes Komisariatit dhe Qendrës Shëndetësore Shijak, 4 nëntor 2022
Banorë të zonës thanë se nuk ishin në dijeni se aty do të ngriheshin pallate. “Nuk e dimë çfarë do bëhet. Ne presim për vete që të futemi në shtëpitë tona, sepse jemi akoma me qira”, tha një 45-vjeçare.
Trualli i lirë mes Komisariatit dhe Qendrës Shëndetësore Shijak, 4 nëntor 2022
Në një verifikim të Faktoje një vit më parë, në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultonte se në shtator 2021 u hap procedura e tenderit për pallatin që do të ndërtohet nga EKB. Megjithatë, më shumë se një vit pas kësaj procedure, ende nuk ka nisur puna për ndërtimin.