BallinaFaktometerPa kategoriSa të papunë shkaktoi pandemia sipas kryeministrit?

Sa të papunë shkaktoi pandemia sipas kryeministrit?

AURORA SHPATAJ & MERXHAN DACI

Shifrat për të papunët që shkaktoi pandemia e Covid-19 janë kthyer në një gjëegjëzë, po t’u referohesh deklaratave të anëtarëve të qeverisë, opozitës dhe të dhënave zyrtare. Që prej pezullimit të aktivitetit të bizneseve në prill e deri më sot, kryeministri Rama ka dhënë shifra me ndryshime drastike mbi këtë fenomen. Faktoje, gjatë verifikimit të deklaratave të kryeministrit, zbuloi edhe një të pavërtetë ‘të përsëritur’ prej tij lidhur me të dhënat për vendet e rajonit.

——————————————————————————————

Në 9 qershor gjatë një bisede në emisionin “Open”, periudhës së pandemisë Rama deklaroi:

Nëse do shifra operative, deri në periudhën e fillimit të muajit maj kemi pasur rreth 70 mijë persona që kanë humbur vendin e punës. Por thashë është dinamike që do të thotë se shumë prej tyre janë rikthyer. Ne duhet të shohim bilancet e fundit të majit e sot ne jemi në fillim të qershorit për t’iu dhënë juve një shifër të saktë mbi ato që janë, ato që mungojnë edhe mbi ata që ishin.

Më herët, në datë 14 prill, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, bënte këtë parashikim në një intervistë televizive:

Neve sot flasim për një numër të papunësh që marrim nga regjistrat e administratës tatimore që shkon në 50 mijë të papunë e që mund të rritet në vijim dhe mund të shkojë dhe në një numër më të lartë, por të gjithë këto masa që po marrim janë masa për të parandaluar ndarjen në tregun e papunësisë.” – parashikonte Denaj

Në 29 shtator Rama, gjatë një komunikimi në rrjetet sociale u shpreh se si pasojë e krizës nga pandemia, humbën vendin e punës 33 mijë persona, duke përgjysmuar kështu shifrat e deklaruara më herët.

Për personat që humbën vendin e punës gjatë karantinës, sot kemi një shifër të saktë. Kemi 13 mijë persona ende të pariintegruar, nga rreth 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës. Krahasuar me vendet e tjera, besoj se hyjmë tek vendet që kemi humbur më pak. Sot jemi në kushtet kur janë 1 milion minus në Rumani, apo 45 mijë në Kosovë. Serbia 200 mijë.” – u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, opozita, në bazë të vlerësimit të ekspertëvë të saj flet për një numër shumë më të lartë të papunësh nga pandemia, në krahasim me ato që artikulon kryeministri.

Qeveria të mos lerë pa vëmendje asnjë shqiptar. Janë 100 mijë të papunë nga pandemia. Këtu llogarisim edhe ekonominë informale.” –  tha Alfred Rrushaj nga Partia Demokratike.

Çfarë thonë shifrat zyrtare për Shqipërinë?

Sipas INSTAT në tremujorin e dytë të 2020-s mars-maj, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,9 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,4 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,5 pikë përqindje.

Më konkretisht, nëse në muajin shkurt të këtij viti kishim 539,812 persona të punësuar, në muajin maj kemi 506, 384, sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Diferenca flet për rreth 33 500 të papunë, aq sa deklaroi kryeministri.

Kjo shifër i korrrespondon deklaratës së Ramës në 29 shtator, një shifër e përgjysmuar në krahasim me atë që vetë kryeministri deklaroi në 9 qershor kur fliste për 70 mijë të papunë. Sigurisht që këto të dhëna nuk përfshijnë punonjësit në të zezë, që sipas vlerësimeve të ekspertëve janë të larta.

LEXO EDHE: https://faktoje.al/zbutja-e-papunesise-ne-shqiperi-e-kushtezuar-nga-rikthimi-i-pandemise/

Të papunët në Shqipëri në raport me rajonin

Të dhënat nga Agjencia e Punësimit në Kosovë tregojnë se gjatë katër muajve të parë të vitit 2020 ka të regjistruar mbi 37 mijë persona të papunë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit  së Serbisë për tremujorin e dytë 2020, humbën vendin e punës 72 300 persona.  Kjo shifër rrëzon deklaratën e zotit Rama sipas të cilit, në Serbi gjatë kësaj periudhe u shënuan 200 mijë të papunë.

LEXO EDHE: https://faktoje.al/kryeministri-rama-jep-shifra-te-paverteta-mbi-testimet-per-covid-19-ne-ballkan/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img