MARJO BRAKAJ
Shqipëria u përfshi zyrtarisht në hartën e vendeve të prekura nga koronavirusi “COVID-19” më 9 mars pas identifikimit të dy personave të prekur. Por më 7 mars, gjatë një takimi me banorët e Shijakut, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria nuk rrezikohej nga “COVID-19”, duke akuzuar mediat se po përhapnin panik përmes dezinformimit. Prej asaj dite e deri më sot Shqipëria iu nënshtrua “morsës” së masave drastike që së fundi prekën edhe Buxhetin e Shtetit.
Gjatë një takimi me banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit në Shijak më 7 mars, Kryeministri Rama u shpreh:
“…ka në Shqipëri që me qëllim duan të përhapin panik, shpresojnë të bëhet rrëmujë, urojnë që njerëzit të humbasin arsyen e të dalin rrugëve e pastaj të dali ku të dali, e dini shumë mirë kush i ushqen, e pse i ushqen, thonë se ka ardhur, e kemi fshehur etj, është e pamundur të ndodhë se jemi pjesë e rrjetit të koordinuar me OBSH, mos ardhtë kurrë, por i kemi bërë përgatitjet, nëse vjen do e përballojmë”
Më 9 mars, pas shpalljes së dy rasteve të prekur nga koronavirusi, kryemnistri Rama u shpreh se situata është e menaxhueshme.
Më herët, më 25 shkurt kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi se Shqiperia ishte potencialisht e rrezikuar nga koronavirusi duke kërkuar njëherazi që qeveria të merrte masat e nevojshme.
“Qeveria duhet të ndalë menjëherë propagandën dhe të marrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia, kryesisht nga rajonet ku corona virusi ka përhapjen më të madhe. Ndërkohë që Shqipëria ndodhet përballë rrezikut potencial të prekjes nga corona virus, mijëra bashkëqytetarë ndodhen në kushte të mjerueshme për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit”, u shpreh Basha.
“Faktoje”, përmes një kërkese për informacion, pyeti në Institutin e Shëndetit Publik mbi kapacitetet e sistemit spitalor në vend, e kryesisht mbi masat parandaluese infektive. Edhe pse e ka detyrim ligjor kthimin e përgjigjes, ISHP nuk dha informacion.
Më 15 shkurt Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se Shqipëria ka kapicetet e mjaftueshme për një përballje të mundshme me përhapjen e koronavirusit “COVID- 19”.
“Jemi sot një hap përpara për forcimin e kapaciteteve tona për identifikimin dhe zbulueshmërinë e koronavirusit të ri, pasi Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara, për përgjigjen e sistemeve shëndetësore për trajtimin e pacientëve, për zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj epidemive”, tha ministrja.
Manastirliu e mbylli fjalën duke u shprehur se Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat u mbështetën edhe nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Më 16 mars, në emisionin “Opinion” ministrja e Shëndetësisë, pas përshkallëzimit të situatës nga infektimet me koronavirus, deklaroi se sistemi shëndetësor I kishte marrë tashme masat dhe së shpejti do shtohej stoku i pajisjeve mjekësore.
“Ne kemi sasi të konsiderueshme, mos shqetësoheni fare, ne kemi pajisjet e nevojshme dhe po hapim laborator tjetër. Edhe sot, edhe në fund të javës do të vijnë teste. Nuk është për t’u vendosur në dyshim. Ne i kemi marrë masat, qeveria është angazhuar për të vendosur cdo gjë në dispozicion. Do të shtojmë flotën e respiratorëve që do të kemi në dispozicion. Në publik dhe jo publik janë 200, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi marrë masat për t’u forcuar”, deklaroi Manastirliu.
Një ditë pas deklaratës në “Opinion”, më 17 mars, Ministria e Shëndetësisë dhe mbrojtes Sociale hapi me një procedurë urgjente të prokurimit të drejtpërdrejtë, bëri kërkesë publike për oferta për pajise respiratore. Fondi maksimal i tenderit ishte rreth 120 milionë lekë ose afërsisht 1 milionë euro.
Gjithashtu më date 21 mars, 12 ditë pas rasteve të para mekoronavirus, qeveria bleu të tjera materiale mjekësore për përballimin e situatës nga koronavirusi.
Më 22 mars, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, Buxheti i Shtetit u ndryshua. Nga Buxheti i Shtetit, për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19, do të alokohen direkt 12 miliardë lekë, ku 6.5 miliardë lekë do të shkojnë për sektorin social, duke iu siguruar lehtësime dhe mbështetjeve punëmarrësve dhe qytetarëve të prekur nga pezullimi i punës. Po ashtu 2.5 miliardë lekë do të shkojnë për sektorin e shëndetësisë, për blerje pajisjesh, medikamentesh, materiale mjekësore, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe për ekipet mjekësore.
Të hënën, më 23 mars ministrja e Shëndetësisë, në një konferencë për media njoftoi se ishin siguruar masa të tjera mbrojtëse dhe se stoku do vijojë të rritet.
“Kemi siguruar 25,000 maska FFP2 dhe FFP3. 140,000 maska FFP2 dhe FFP3. Po planifikojmë krijimin e një stku tjetër me +200,000 maska të të njëjtit llloj. Po rrisim stokun me 10,000 veshje special dhe planifikojmë rritjen e stokut me 50,000 veshje speciale në vijim. Sa i përket elementëve të tjerë, helmeta nitriti, syza mbrojtëse, dezinfektantë kemi siguruar stok të mjaftueshëm. Kemi një sasi stoku, mbi 500,000 maska të theshjta dhe dhe 650,000 doreza sterile dhe josterile”, deklaroi Manastirliu.