Lajmi se presidenti Vladimir Putin ka ndaluar rrjetin 5G në Rusi është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky lajm e ka origjinën në një faqe satirike.

—————————————————-

Në çfarë duket si një përpjekje për të bashkuar konspiracionistët anti-5G me narrativat pro-Putiniste, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ndaluar teknologjinë 5G duke urdhëruar shkatërrimin e të gjithë kullave transmetuese 5G nëpër Rusi.

Lajmi origjinal është shfaqur për herë të parë në faqen online Real Raw News, më 5 gusht 2023. 

Në tekstin e këtij artikulli shpjegohet, ndër të tjera, se Putin e ka dhënë këtë urdhër pasi, në Prill 2023, 16 nxënës kishin përjetuar simptoma të “helmimit elektromagnetik”. Sipas këtij artikulli, në 6 qershor 2023, 11 nga 16 nxënësit e moshave 8-12 vjeç kishin vdekur.

Një kërkim i thjeshtë në Google, apo në faqet e mediave kryesore ruse tregon se asnjë media nuk ka raportuar mbi këto ngjarje shokuese, të cilat, nëse do të kishin qenë të vërteta, do të kishin bërë bujë në media.

Artikulli raporton më tej se, në mes të Korrikut, Putin u takua me kompanitë e telekomunikacionit dhe ekspertë të shëndetit. Gjatë këtij takimi, “zëvendës presidenti për infrastrukturën 5G i MTS [operatori më i madh telefonik në Rusi] Borya Vlasov” i tha Putin: “Shokët tanë në Perëndim bien dakort se 5G është e sigurt.” Në këtë çast, raporton artikulli, “Putin urdhëroi agjentin e sigurimit në krah të tij ta qëllonte Vlasov në lule të ballit. Pa hezituar, agjenti nxorri pistoletën e tij Makarov dhe ia futi në plumb ballit Vlasovit, ndërsa 15 njerëz shikonin.”

Nëse këto pretendime tingëllojnë qesharake, kjo është sepse, siç faqja Real Raw News deklaron në vetë-përshkrimin e saj, ajo “përmban humor, parodi, dhe satirë.“

Për të larguar më tej dyshimet, sipas mediave ruse, Rusia planifikon të kryejë testime të rrjeteve 5G në qytete me mbi një milionë banorë në 2025. Në 20 qershor 2023, kryeministri rus Mikhail Mishtusin tha se “për të përshpejtuar kalimin tek stacionet lokale për LTE dhe 5G, qeveria dhe pjesëmarrësit e tregut kanë adoptuar një plan për zhvillimin e rrjeteve moderne të telekomunikacionit.”