BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëRruga në Bërxullë, peng i premtimeve të shkelura elektorale

Rruga në Bërxullë, peng i premtimeve të shkelura elektorale

Ndonëse është premtuar shumë herë nga zyrtarët publikë gjatë këtyre viteve, rruga e fshatit Bërxullë në bashkinë Vorë, nuk është shtruar ende. Faktoje ishte në Bërxullë më 21 shtator, ku banorë të shumtë ngritën shqetësimin në lidhje me gjendjen në të cilën është lënë rruga. Ata shprehen se të gjitha premtimet e bëra janë thjesht për të marrë votën.

——————————————————————————-

Gjatë fushatës elektorale për Bashkinë e Vorës, deputeti socialist, Blerim Shera premtoi shtrimin e rrugës në fshatin Bërxullë.

“Është projektuar në buxhetin e Bashkisë rruga në qendër Bërxullë”, deklaroi më 26 shkurt 2022 kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore ka një interes dhe impakt të madh te banorët, ndaj Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtij premtimi të bërë nga kryebashkiaku Shera rreth 8 muaj më parë.

Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë Vorë, por ende nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion, pavarësisht ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit, pas tejkalimit të afatit ligjor.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë, 16 shtator 2022

Ne ishim në fshatin Bërxullë më 21 shtator, ku biseduam me banorë të zonës në lidhje me shtrimin e rrugës. Ata tregojnë se është premtuar ndër vite riparimi i saj, por asnjëherë nuk është kryer.

“Kjo është rruga e katundit, të tjerat janë shtruar, ndërsa kjo nuk është prekur me dorë.

Kush është futur këtu, si PD, PS apo të tjerë, të gjithë na kanë premtuar shtrimin e rrugës, por asnjë s’e ka bërë deri tani. Votat i duan, por nuk na kanë bërë gjë”, tregon një pensioniste për Faktoje.

Rruga në Bërxullë, 21 shtator 2022

Banorë të tjerë tregojnë problemet që ka sjellë rruga e shkatërruar.

“Rruga, shiheni vetë! Në verë të mbyt pluhuri, ke frikë të hapësh dritaret të ajrosësh shtëpinë. Në dimër të mbyt balta, nuk ke ku të ecësh. Shumë kohë më parë, i kanë hedhur zhavorr, se asnjëherë nuk është vënë dorë taman”, tregon një 32 vjeçare.

Rruga në Bërxullë, 21 shtator 2022

 Më tej, ajo shton: “Nuk ka ardhur njeri të interesohet për ta shtruar, punimet nuk kanë nisur. Shpresojmë ta bëjnë, do na shpëtojnë”.

Rruga në Bërxullë, 21 shtator 2022

Gjatë një kërkimi të bërë në faqen e Bashkisë së Vorës nëse ka parashikim në buxhet të përcaktuar për shtrimin e rrugës në fshatin Bërxullë, rezulton se nuk ka një zë më vete për këtë. Në dokumentin e projekt-buxhetit afatmesëm (2022-2024) përcaktohet se vlera për investime gjatë vitit 2022 është 238,499,907 lekë, ndërsa për vitin 2023 shuma është 255,827,041 lekë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Vorës, njësia administrative Bërxullë ka 10.700 banorë. “Janë bërë investime nga Bashkia Vorë në Bërxullë e Domje duke rikonstruktuar kopshtet sipas standardeve bashkohore dhe investim madhor për rrugën e Bërxullit e në vazhdim në zonën e Domjes 1 dhe Domje 2”, thuhet në faqen e Bashkisë Vorë.

Pavarësisht se janë bërë investime për rrugën kryesore të fshatit Bërxullë, rrugët në brendësi të lagjeve duket se janë lënë në harresë.

Nisur nga verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për shtrimin e rrugës në Bërxullë, do ta kategorizojmë si Të Pambajtur.

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

Përditësim

*Lajmi i publikuar më datë 10 tetor është përditësuar në datën 12 tetor, pas përgjigjes së Bashkisë së Vorë.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje që mban datën 10 tetor, Bashkia e Vorës bën të ditur se rruga u shërben 4500 banorëve.

“Ndërtimi i rrugës me objekt ‘Sistemim, Asfaltim Rrugëve Hashnjet, Hakëve dhe Tafëve, Njësia Administrative Bëexullë, Bashkia Vorë”, është në proces prokurimi dhe vlera e fondit limit është 89,875,959 lekë. Ndërtim i rrugës ‘Sistemim, Asfaltim Rrugëve Hashnjet, Hakëve dhe Tafëve, Njësia Administrative Bëexullë, Bashkia Vorë’ ju shërben 4500 banorëve”, njofton zyrtarisht Bashkia Vorë.

Përgjigjia e Bashkisë Vorë, 12 tetor 2022

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img