BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRama nuk kërcënoi BE me Shqipërinë e madhe

Rama nuk kërcënoi BE me Shqipërinë e madhe

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka kërcënuar me bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në rast se refuzohet hyrja në Bashkimin Evropian. “Faktoje” verifikoi një lajm që qarkullon së fundmi nëpër portale për të konfirmuar se bëhet fjalë për një keqinformim që bazohej në një intervistë të vjetër të Ramës.

Patris Pustina

Bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të vijë kur të dyja vendet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është qëndrimi i shprehur publikisht nga Edi Rama por edhe drejtuesit e tjerë politikë të vendit tonë. Përkundër këtij qëndrimi, disa portale shqiptare kanë qarkulluar së fundmi një artikull, titulli i të cilit pretendon se kryeministri shqiptar është shprehur se “nëse Shqipërisë i refuzohet hyrja në Bashkimin Europian, ajo do të bashkohet me Kosovën.” 

Artikulli citon më tej një intervistë me gazetën gjermane “Merkur”, ku është shprehur ky qëndrim i Ramës. 

Pas kërkimeve të “Faktoje”, rezulton se intervista e dhënë për “Merkur” nga zoti Rama është publikuar gati një vit më parë, më konkretisht në 28 tetor 2021.

Brenda tekstit të artikullit, megjithatë, mungon fjalia konkrete në të cilën Rama ka bërë deklaratën e pretenduar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Megjithëse kryeministri Rama ka folur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE gjatë intervistës, ai nuk thotë në asnjë pjesë të saj se ka ndonjë gjasë që Shqipëria do të bashkohet me Kosovën në çfarëdolloj formati.

Intervistuesi i “Merkur” është interesuar mbi rrezikun që mund të sjellë në BE përshfirja e problemeve që ekzistojnë në Ballkan, si përshembull konflikti i Kosovës. Kësaj Rama i është përgjigjur se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për vetë sigurinë e tij, sepse rajoni nuk duhet lënë në dorë të influencave të huaja, qofshin kineze, ruse, apo të radikalizmit fetar.

Pjesa e intervistës nga duket se është frymëzuar fantazia e portalit është kur intervistuesi pyet Ramën:

M: Disa në rajon kanë frikë se ju doni të bashkoheni me Kosovën për të formuar Shqipërinë e Madhe…

R: Këto lojëra të mendjes janë shumë më të mundshme jashtë BE sesa brenda saj.

Për një shkrues artikujsh sensacionalist përgjigjia e Ramës shndërrohet lehtë në një titull që do të mblidhte shumë klikime. Për një lexues kritik, është e qartë se Rama po nënkupton se alarmet për Shqipërinë e Madhe do të uleshin nëse vendi (ose vendet) do të ishte pjesë e BE. 

Rama nuk po kërcënon se do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën nëse i mohoet anëtarësimi në BE. Një gjë e tillë do të binte ndesh dukshëm me, ndër të tjera, politikën e tij të jashtme me rajonin, specifikisht iniciativën Open Balkan, që synon një ‘bashkim’ ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Rama qëndron në krah të presidentit serb Aleksandar Vuçiç si një nga përkrahësit më të zëshëm të Open Balkan në rajon.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img