Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Studimet e kryera kanë hedhur poshtë këto aludime, duke theksuar fort se kjo nuk është e mbështetur shkencërisht.

————————————–

Postime të shpërndara në rrjetet sociale më 17 shkurt pretendojnë se vaksinat shkaktojnë autizëm, duke aluduar se së shpejti do kemi më shumë fëmijë autikë sesa joautikë.

Kjo është në valën e shumë informacioneve të rreme që qarkullojnë në internet për vaksinimin, që prej vitit 1970.

Me futjen e gjilpërave me helm, do vijë një ditë që numri i fëmijëve autikë do kalojë numrin e fëmijëve jo autikë. Por shkenca dhe trushplarët që e mbështesin verbërisht, nuk shikojnë asnjë lidhje të gjilpërave me autizmin”, shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Krahas postimi është publikuar edhe një foto, ku tregohen statistika në lidhje me autizmin ndër vite.

Të dhënat për numrin e rasteve me autizëm janë të paraqitura saktë në këtë foto. Megjithatë, rritja e rasteve të autizmit nuk ishte për shkak të vaksinimit, por për shkak të përmirësimit të diagnostikimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe kritereve të zgjeruara.

Arsyeja tjetër për rritjen e rasteve të regjistruara të çrregullimeve të spektrit të autizmit është “zëvendësimi i diagnozës”. Më parë, fëmijët me autizëm përfshiheshin në kategori të tjera, si kategoria e paaftësisë intelektuale.

Përveç kësaj, faktorët nën të cilët numri i çrregullimeve autike të identifikuara po rritet përfshijnë një rritje të ndërgjegjësimit për autizmin përmes mediave, përmirësimin e trajnimit të mjekëve dhe disponueshmërinë më të madhe të mjeteve të shqyrtimit dhe diagnostikimit për të identifikuar çrregullimet e spektrit të autizmit.

Një sërë studimesh dëshmojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk shkakton autizëm dhe rreziku për t’u prekur nga sëmundje, që mund të jenë edhe fatale, është shumë herë më i madh se çdo pasojë që mund të mendohet si pasojë e vaksinimit.  

Sipas Autism Speaks hulumtimet tregojnë se gjenetika është e përfshirë në shumicën dërrmuese të rasteve. “Fëmijët e lindur nga prindër të mëdhenj në moshë janë në rrezik më të lartë për të pasur autizëm. Prindërit që kanë një fëmijë me ASD kanë një shans 2% deri në 18% për të pasur një fëmijë të dytë, i cili gjithashtu është i prekur.

Studimet kanë treguar se midis binjakëve identikë, nëse një fëmijë ka autizëm, tjetri do të preket rreth 36% deri në 95% të rasteve. Tek binjakët jo identikë, nëse njëri fëmijë ka autizëm, atëherë tjetri preket rreth 31% të rasteve.

Edhe specialistët shqiptarë të shëndetit kanë argumentuar se vaksinat janë të sigurta.

“Nëse do ishte e vërtetë që vaksina shkakton autizmin, kjo rënia e madhe e vaksinimit, duhet të shoqërohej me rënie të autizmit, kjo është logjika. Ndërkohë autizmin e kemi në rritje”- sqaron doktor Ilir Alimehmeti.

Silva Bino, shefe e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP ka theksuar herë pas here se vaksinat mbrojnë shёndetin nё çdo fazё tё jetёs.

Siguria e përbërësve të vaksinës është demonstruar gjerësisht dhe lidhja midis vaksinave dhe autizmit ose ndonjë sëmundje tjetër nuk është e mbështetur shkencërisht dhe kjo është verifikuar nga Faktoje, por edhe nga kolegë të tjerë të verifikimit të fakteve, në një sërë artikujsh.

Shfaqja e një numri të madh fëmijësh të prekur me fruth gjatë javëve të fundit në Tiranë dhe Durrës, nxorri në pah problemin e shmangies së vaksinimit të fëmijëve nga familjarë që i besojnë pretendimeve të tilla të pabazuara.

Artikulli paraprakFamiljet pa bonus qiraje rikthehen në pallatet e pabanueshme
Artikulli tjetërMakineria gjigande e rafinerisë së naftës rrit dozat e konspiracionit HAARP
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.