Makineria masive në këtë video nuk ka lidhje me projektin studimor shkencor HAARP në Alaskë. Ajo është një makineri e përpunimit të naftës në rafinerinë e kompanisë Dangote, në Nigeri.

————————————————————–

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një gogol. Në botëkuptimin konspiracionist, veprimtaria e tij djallëzore përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Së fundmi, në rrjetet konspiracioniste po qarkullon video e një makinerie gjigande, e cila pretendohet se është pjesë e HAARP.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Ndërkohë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se makineria gjigande në video nuk ka lidhje me HAARP.

Ajo është një makineri e përdorur në procesin e rafinimit të naftës, e cila i përket rafinerisë Dangote në Nigeri, mbi 11 mijë km larg Alaskës, ku ndodhen antenat e HAARP.

Makineria e mësipërme kryen një nga proceset më të rëndësishme që ndodhin në rafineritë e naftës, të quajtur FCC. Me anë të këtij procesi, nafta e papërpunuar kthehet në benzinë dhe nënprodukte të tjera të vlefshme.