Nuk ka prova se rritja e vdekshmërisë së tepërt në Mbretërinë e Bashkuar ka lidhje me vaksnimin anti-Covid. Grupmoshat me vdekshmërinë më të lartë janë ato më pak të vaksinuarat. Autorët e studimit ia atribuojnë këtë rritje pasojave afatgjata të Covid-19 dhe pamjaftushmërisë së një sistemi shëndetësor të mbingarkuar.
———————————————-
Një koment i botuar në gazetën shkencore The Lancet po përdoret në rrjetet anti-vaksinim për të mbështetur pretendimet se vaksina anti-Covid është e dëmshme apo vdekjeprurëse.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht në Instagram më 3 janar nga komentatorja britanike Katie Hopkins.
Në video, Hopkins i referohet një komenti të publikuar në revistën shkencore The Lancet, në Dhjetor 2023.
Sipas tij, 28 mijë vdekje më shumë seç pritet janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në gjysmën e parë të vitit 2023. Më tej, vdekshmëria e tepërt ishte më e lartë tek të rriturit e rinj (20-44 vjeç) dhe të moshës së mesme (45-64 vjeç).
Konspiracionistët janë të shpejtë t’i lidhin këto vdekje të tepërta me vaksinimin anti-Covid.
Megjithatë, vetë komenti i publikuar shpjegon se “shkaqet e këtyre vdekje të tepërta kanë gjasa të jenë më shumë se një dhe mund të përfshijnë efektet e drejtpërdrejta të infektimit me Covid-19.” Më tej, këto vdekje mund të jenë gjithashtu pasojë e një Shërbimi Shëndetësor shtetëror të mbingarkuar, gjë që ka çuar në ndërprerje apo përkeqësim të diagnostikimit dhe kurimit të sëmundjeve kronike dhe akute.
Një nga bashkëautorët e komentit, Stuart McDonald, tha për Reuters se pasojat afatgjata të Covid-19 dhe mungesa e mjekimeve parandaluese gjatë pandemisë janë dy nga shpjegimet e mundshme për këtë rritje në vdekshmërinë e tepruar.
Ai citoi një raport të vitit 2021 nga Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF) që kishte gjetur se gjysmë milion njerëz që duhet të kishin marrë barna për rregullimin e tensionit, nuk i kishin marrë ato. “Kështu,” shpjegoi McDonald, “ata po vinin vërdallë pa mjekime parandaluese.”
Një tjetër faktor që mund të shpjegojë vdekjet e tepërta janë vonesat e sistemit shëndetësor britanik. Sipas të dhënave zyrtare, në 2018/19 mbi 3 mijë njerëz pritën mbi 12 orë për të marrë shërbim në urgjencë. Në vitin 2021/22, ky numër arriti mbi 98 mijë.
McDonald nënvizoi se vdekshmëria e tepërt ishte më e lartë tek të rriturit e rinj (20-44 vjeç) dhe të moshës së mesme (45-64 vjeç).
“Kjo tregon se janë grupet më të reja që po përjetojnë nivelin më të lartë të vdekjeve të tepërta,” tha ai. “Kështu, janë grupet që jane më pak të vaksinuar. Grupet më të moshuara, në të cilat vaksinimi ishte në shkallë më të lartë dhe dozat përforcuese janë administruar më shpesh, po përjetojnë më pak vdekje të tepërta në terma relative.”
Fakti që grupmoshat më pak të vaksinuara po shohin vdekshmërinë e tepërt më të lartë bie në kundërshti me teorinë se vdekshmëria e tepërt shkaktohet nga vaksinimi anti-Covid.
Më tej, siç shpjegoi dhe McDonald, “nuk ka prova të forta shkencore që mund të sugjerojnë sado pak se vaksinat po shkaktojnë më shumë dëme seç po parandalojnë. Bazuar në çka unë kam parë deri tani, vaksinat pa dyshim kanë sjellë një ulje të dëmtimeve shëndetësore të pamasë.”