Droni në këtë video nuk u shkri nga valët 5G. Autori i videos origjinal ka shpjeguar në TikTok se droni u rrëzua pasi radio sinjali u ndërpre, dhe më pas bateria mori flakë.

———————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale tregon si një dron në lëvizje bie dhe merr flakë pasi afrohet pranë një antene që presupozohet se i përket teknologjisë 5G.

“Kulla literalisht shkrin dronin,” thotë mbishkrimi në pjesën e sipërme të videos

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi, Faktoje përdori motorrin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search. Nga ky kërkim rezultoi se video origjinale është postuar fillimisht në TikTok më 3 nëntor 2021 nga llogaria @chaw_fpv.

Çfarë vëmë re fillimisht është se termi “5G”, apo “kulla 5G” nuk shfaqet askund në video apo në përshkrimin që e shoqëron.

Më tej, shohim se shkaku i rrëzimit të dronit është shpjeguar nga vetë autori në komentet e videos, dhe nuk ka të bëjë aspak me kullat apo teknologjinë 5G.

Duke iu përgjigjur një komentuesi që pyet se droni u rrëzua kur iu afrua kullës dhe më pas mori flakë, autori shkruan: “Radio sinjali u ndërpre, dhe bateria shpërtheu kur ra në tokë.”

Autori i videos nuk e ka përshkruar kullën në video si kullë 5G.

Siç “Faktoje” ka theksuar më parë, fakti që dy fenomene janë të lidhur në kohë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një lidhje shkak-pasojë mes tyre.

Rënia e dronit pasi ai fluturoi pranë kullës nuk do të thotë domosdoshmërisht se kulla e shkaktoi rënien e tij. Në fakt, dronet përdoren shpesh për të inspektuar kushtet dhe operimin e kullave radiotelefonike.