Nga Megi Iskurti
Me të dalë nga Tuneli i Murrizit, aty ku dikur udhëtimi drejt Tiranës ishte një pengesë e përditshme, sot sheh të lëvizin më shpejt njerëzit, mallrat dhe shpresat për një ekonomi të re.
Por ndërsa Rruga e Arbrit po vizaton një hartë të re ekonomike për këtë zonë, ndarja e re administrative pritet ta vendosë Klosin në një tjetër realitet.
Bashkimi me Burrelin do të zhvendosë qendrën e vendimmarrjes rreth 40 kilometra larg, duke i përfshirë banorët në dilemë se do të humbasin zërin në vendimet për territorin, investimet dhe zhvillimin e zonës së tyre.
“Për ne, Burreli është një kundra-tabelë”.
Fjalia e Ç.E., punonjës administrate në sektorin e energjisë elektrike, përmbledh ndjesinë e shumë prej atyre që kanë dalë në protestë kundër shkrirjes së Bashkisë Klos me atë të Matit.
Për ta, çështja nuk është thjesht një vijë e re në hartën administrative, por frika se një zonë që sapo ka nisur të marrë frymë nga Rruga e Arbrit mund të humbasë zërin e saj në vendimmarrje.
Rruga e re ka ndryshuar llogaritë e vjetra të distancës.
Tuneli i Murrizit e ka afruar zonën me Tiranën, vetëm rreth 18 kilometra larg, duke transformuar jo vetëm distancat fizike, por edhe drejtimin ekonomik e social të zonës.
Banorët, të cilët janë të zëshëm kundër këtij ndryshimi, thonë se sot nuk e shohin më veten të orientuar drejt një qendre tjetër administrative, por drejt një tregu shumë më të madh ekonomik.
Pikërisht mbi këtë argument ndërtohet një pjesë e kundërshtimit të tyre: frika se një bashkim me Matin mund të ndodhë pikërisht në momentin kur Klosi po përpiqet të ndërtojë një identitet të ri ekonomik.
“Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër bashkimit. Ata në Burrel do dominojnë, sepse këshilli bashkiak do të jetë me numër më të madh dhe fondet do vendosen atje. Kur bashkohen dy bashki bashkë, çfarë autonomie kemi ne për veten tonë?”, vëren Ç.E. për Faktoje.al.
A do të ikë vendi i punës bashkë me bashkinë?
Kjo pyetje nuk është vetëm e Klosit.
Në Dimal, protesta qytetare kundër bashkimit me Beratin po artikulon një shqetësim të ngjashëm: se pas shkrirjes së një bashkie nuk zhduket vetëm një strukturë administrative, por mund të lëvizin edhe shërbimet, aktiviteti ekonomik dhe, në fund, vetë njerëzit.
Vilson Shehu, aktivist i shoqërisë civile dhe një prej organizatorëve të protestës në Dimal, thotë për Faktoje.al se qytetarët kërkojnë që shërbimet të qëndrojnë aty ku janë.
Bashkia, sipas tij, ka rreth 35 mijë banorë dhe një aktivitet ekonomik që e bën atë një prej zonave më të rëndësishme të qarkut Berat.

Dimali, sipas Shehut, nuk mbahet vetëm nga administrata. Ai vëren për Faktoje.al se 20 biznese merren me eksportin e frutave dhe perimeve, deri në tregje si Dubai.
Shehu thotë se vlera e eksporteve arrin rreth 50 milionë euro.
Ai përmend gjithashtu sektorin e hidrokarbureve, ku sipas tij rreth 70% e bizneseve të qarkut Berat zotërohen nga sipërmarrës nga Dimali.
Në zonë operojnë edhe fabrika të arkave, ujit dhe vajit, si dhe organizata që thithin fonde nga Bashkimi Europian.
Për Shehun, kjo ekonomi është një nga arsyet pse shkrirja e bashkisë nuk mund të shihet thjesht si një ndryshim në hartë. Frika është se largimi i shërbimeve dhe dobësimi i strukturave lokale do të prodhojë të njëjtin efekt që, sipas tij, solli reforma territoriale e vitit 2014: shpopullimin.
“Reforma territoriale e vitit 2014 ishte një nga shkaqet kryesore të shpopullimit, sepse largoi shërbimet nga njerëzit”, thotë Shehu.
Ai sjell si shembull edhe koston konkrete për banorët e zonave të thella.
“Për një vërtetim të thjeshtë në Berat, një banor mund të përballet me të paktën një orë rrugë dhe shpenzime të konsiderueshme, sidomos për shkak të mungesës së transportit publik.
Në këtë logjikë, largimi i shërbimeve nuk është vetëm një problem administrativ. Është një kosto që mund t’i shtyjë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të kërkojnë një tjetër vend për të jetuar”, thotë ai.
Shehu e lidh pikërisht këtë me rrezikun e shpopullimit: një zonë që ka biznese, eksporte dhe vende pune mund të humbasë gradualisht banorët nëse shërbimet dhe vendimmarrja largohen prej saj.
Në Klos, kjo dilemë ka marrë një formë edhe më konkrete.
Banorët flasin për vendet e punës që mund të zhduken nëse bashkia shkrihet dhe për familjet që, në mungesë të tyre, mund të detyrohen të kërkojnë një të ardhme diku tjetër.
Në një qytet të vogël, ku administrata lokale është një prej burimeve kryesore të punësimit, ideja e reduktimit të strukturave administrative shihet pre tyre si një goditje që mund të ndihet përtej zyrave të bashkisë.

Ç.E. thotë se, sipas llogaritjeve (asgjë zyrtare) që qarkullojnë mes punonjësve, nga rreth 300 vende pune që lidhen sot me administratën lokale, mund të humbin rreth 100 deri në 150 prej tyre.
Përllogaritjet mes vedi mjaftojnë për të ndezur një tjetër debat tek banorët: nëse puna zhduket, sa prej atyre që jetojnë sot në Klos do të kenë arsye të qëndrojnë?
Në një zonë ku largimi i të rinjve ka qenë prej vitesh një realitet, humbja e vendeve të punës shihet si një shtysë tjetër për të ikur. Disa prej banorëve, në biseda, e lidhin drejtpërdrejt reformën me frikën se familjet do të detyrohen të kërkojnë punë diku tjetër, edhe pse asgjë zyrtare nuk është sqaruar deri më tani se si do të funksionojë reforma e re territoriale.
Në parim, përtej numrit të vendeve të punës, pas çdo vendi që mund të humbasë është një familje që mund të largohet, një shtëpi që mund të mbetet bosh dhe një tjetër arsye që Klosi të humbasë banorë.

“Janë familje që mbahen me ato paga. Janë para që hyjnë në tregun tonë, në dyqane, në shërbime. Nëse ikin këto, largohet edhe një pjesë e ekonomisë së Klosit”, thotë Ç.E.
Ai e përllogarit ndikimin në rreth 1 milion euro në vit, duke argumentuar se humbja nuk do të prekë vetëm punonjësit, por gjithë zinxhirin ekonomik lokal.
Por shqetësimet e banorëve nuk ndalen vetëm te vendet e punës në administratë.
Për ta, shkrirja nënkupton edhe largimin e shërbimeve nga qytetari.
Ata kujtojnë se edhe më parë kanë përjetuar mbylljen e shërbimeve lokale, duke e përkthyer fjalën “shkrirje” jo si bashkim, por si humbje të një strukture që ishte më pranë tyre.
“Me rrugën e re ne mund të shkojmë më shpejt në Qendrën Spitalore Universitare (QSUT) në Tiranë për 20 deri në 25 minuta, prandaj nuk shoh asnjë arsye apo lidhje për të shkuar në Burrel, ku rruga zgjat 45 minuta. Unë nuk e kuptoj pse nuk na bashkojnë me Tiranën”, thotë Ç.E., i cili shton se me shkrirjen e bashkive, banorët do të detyrohen të shkojnë në Burrel për çdo gjë, përfshirë konsultat mjekësore, taksat dhe dokumentet e tokës, gjë që e konsideron një kthim prapa.
Një territor që kërkon të ruajë zërin e vet
Zenel Karaj, një prej banorëve që ka qenë ndër iniciatorët kryesorë për krijimin e Bashkisë Klos në vitet e para të demokracisë dhe anëtar i këshillit bashkiak nga viti ’92 deri në 2019, e sheh debatin nga një kënd tjetër.
Sipas tij, çështja kryesore duhet të rrahë diku tjetër: çfarë do të ndodhë me potencialin ekonomik të Klosit pas bashkimit.
Karaj thotë për Faktoje.al se Klosi ka një perspektivë zhvillimi që nuk e ka pasur më parë. Sipas tij, shkrirja po bëhet sepse Klosi ka më shumë resurse se Mati, ndërsa ndërmend këtu minierat, turizmin dhe afërsinë me Tiranën.
Ai argumenton se Burreli është zhvilluar historikisht si një qytet industrial, i lidhur me uzinën dhe ekonominë e dikurshme të industrisë së rëndë, ndërsa Klosi sot ka një tjetër mundësi përmes turizmit dhe burimeve natyrore.
Karaj e lidh kundërshtimin edhe me historinë e zonës. Ai thotë për Faktoje.al se Klosi nuk është një qendër e krijuar rishtazi, por një territor me një trashëgimi të vjetër administrative dhe historike.
Sipas tij, në arkivat e Tiranës ekzistojnë dokumente që tregojnë rëndësinë e hershme të kësaj zone. Ai përmend periudhën e Mbretit Zog, kur, ndonëse Burreli u zhvillua si qendër industriale, qendra e pushtetit në territor ishte e lidhur me Klosin.
Ai përmend gjithashtu Kalanë e Skënderbeut dhe Rrugën e Arbërit si pjesë të identitetit historik të zonës.

“Një zone nuk mund t’i hiqet historia dhe identiteti vetëm me një vendim administrativ”
“Një zone nuk mund t’i hiqet historia dhe identiteti vetëm me një vendim administrativ”, vëren me nerv ai.
Një mendje me të është edhe Ç.E.
“Mati është një nga trevat më të hershme të lidhura me Arbërinë mesjetare. Nëse bie Mati, ka rënë Shqipëria”, vëren me pezm ai.
Porta e re e turizmit malor
Për banorët e Klosit, një nga argumentet më të forta kundër bashkimit është ajo që ata e shohin si një moment të ri zhvillimi pas Rrugës së Arbërit.
Në zonë janë shtuar investimet private, veçanërisht në turizëm dhe struktura pritëse. 16 bujtina dhe lokale të reja kanë nisur të shfaqen në zona që më parë ishin jashtë vëmendjes së vizitorëve.
Shtigjet e kodrinave, kullat trekatëshe, urat me harqe me gurë zalli dhe lumi Mat janë ‘dritarja e re’ prej ku turistët duan që të shohin ato vise. Turizmi është bërë malli i ri për ta.
Flamur Bala, drejtori i turizmit në Bashkinë Klos, e konsideron Rrugën e Arbrit si një faktor që ka ndryshuar perspektivën e zonës, duke sjellë më shumë interes për turizmin lokal dhe duke hapur mundësi për investime të reja.

Sipas tij, Klosi ka potencial për t’u kthyer në një destinacion të turizmit malor, falë natyrës, historisë dhe pozicionit të tij pranë kryeqytetit.
“Numri i turistëve ka kaluar 120 mijë në vit”, thotë ai për Faktoje.al, ndërsa shpjegon se vetëm 20 mijë prej tyre vizituan Livadhet e Ketit, të cilat ofrojnë një nga lulet më unike që rriten në Shqipëri. Ka shumë emra për të.
Ndonëse prej shumicës njihet si lulja e Poetit, shumë syresh e njohin edhe si lulja Narcis apo lule Zoje. Ndërkohë, sipas të folmes klosiane ajo njihet si lule “batra”, prej ngjyrës së saj të bardhë.

“Kemi resurse, kemi turizëm, kemi pasuri natyrore. Ne kërkojmë që këto të zhvillohen këtu, jo të vendosen nga dikush që nuk e njeh zonën”
Pikërisht këtë potencial banorët thonë se duan ta menaxhojnë vetë.
“Kemi resurse, kemi turizëm, kemi pasuri natyrore. Ne kërkojmë që këto të zhvillohen këtu, jo të vendosen nga dikush që nuk e njeh zonën”, thotë Ç.E.
Përpos turizmit, ata kanë rizgjuar edhe tregtinë.
Pa shumë ojna, në disa stenda të improvizuara ndanë rrugës, vendasit ofrojnë frutat e bahçes, vezët e fshatit, gjalpin e bërë në shtëpi, fasulen, perimet e kopshtit.

Tani, ky qytet, i cili rrethohet nga 33 fshatra, ka rifituar statusin e dikurshëm si “porta e pasme e kryeqytetit”. Sakaq, edhe atë si “rrugë tregtie”.
Përshkallëzim deri në bllokimin e Rrugës së Arbrit
Banorët kanë zgjedhur protestën si mënyrën për të kundërshtuar shkrirjen me Bashkinë Mat.
Në ditët e fundit, ata janë mbledhur para institucioneve vendore, duke kërkuar që Klosi të ruajë statusin e bashkisë dhe të mos shkrihet në një njësi më të madhe administrative.
Në protestë, pakënaqësia nuk është drejtuar vetëm ndaj vendimit për ndarjen territoriale, por edhe ndaj mënyrës se si, sipas tyre, po merret ky vendim.
Ata thonë se për këtë çështje nuk janë pyetur mjaftueshëm dhe kërkojnë që zëri i komunitetit të merret në konsideratë.
Protesta nuk synon të mbetet vetëm në shesh.

Karaj paralajmëron për Faktoje.al se do të vijojnë kundërshtimin e tyre dhe, nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen, janë gati të përshkallëzojnë reagimin deri në bllokimin e Rrugës së Arbrit, duke lejuar në të vetëm kalimin e ambulancave dhe emergjencave.
Mandej thotë gjithashtu se, nëse Bashkia Klos do të bashkohet me Bashkinë Mat, ata mund të mos marrin pjesë në zgjedhjet e vitit 2027.
Debati për këtë temë nuk mbyllet me një protestë në mbrëmje.
Ai gjallon edhe të nesërmen në tavolinat e kafeneve, në dyqanet e vogla buzë rrugës dhe te njerëzit që rreken të tregojnë se çfarë mund të humbasë Klosi nga ky ndryshim.
Në ikje, rruga drejt Tiranës përshkohet për pak minuta, ndërsa mbrapa Klosi mbetet një vend që nuk të kërkon të rrish, por di ta bëjë të vështirë largimin.






