Pretendimi: Kjo video tregon protestat që po mbahen në Argjentinë kundër ligjit të presidentit Javier Milei që u jep të drejtë të huajve të blejnë tokë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon përplasje me policinë në protestat që po mbahen në Argjentinë kundër ligjit të presidentit Javier Milei që u jep të drejtë të huajve të blejnë tokë, mes të cilëve dhe izraelitëve.

Më 6 gusht, mijëra qytetarë argjentinas, të mobilizuar nga grupe të majta dhe sindikata, u mblodhën jashtë Senatit të Argjentinës kundër projektligjit “Paprekshmëria e Pronës Private”, i cili po debatohej në sallë. Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji kundër demonstruesve në qendër të Buenos Aires, duke shpërndarë turmën.
Projektligji synonte të thjeshtonte procedurat e dëbimit, të ndryshonte rregullat mbi përdorimin e tokës bujqësore dhe të vendosë kufizime të reja mbi sekuestrimin e pronës private nga qeveria. Propozimi do të kishte rritur gjithashtu kufirin e tokës që mund të zotërohej nga blerësit e huaj nga 15% në 25%. Megjithatë, pas reagimeve, qeveria e hoqi kapitullin mbi blerjen e tokës nga të huajt.
Qeveria e Milei shpreson se reforma do të ndihmonte vendin të tërheqë investime, por kritikët paralajmërojnë kundër “kolonizimit, fragmentimit, përçarjes dhe ballkanizimit” të Argjentinës. Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Atdheu nuk është në shitje.”
Sipas një studimi të vitit 2025 nga studiues të Universitetit të Buenos Aires dhe institucione të tjera akademike, thuajse 5% e territorit të Argjentinës është tashmë në pronësi të të huajve. Studimi gjeti se në disa rrethe përqindja e pronarëve të huaj tashmë tejkalon kufirin aktual prej 15%.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon protestat e vitit 2026, por një demonstratë nga gati 10 vite më parë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video shfaqet në një artikull i medias argjentinase infobae nga Janari 2018. Sipas artikullit, video tregon “sulmin ndaj Policisë së Qytetit të Buenos Airesit në Plaza de los Dos Congresos më 18 dhjetor [2017], ndërsa projektligji për reformën e pensioneve po debatohej në Dhomën e Deputetëve.”

Demonstratat u mbajtën kundër reformës të pensioneve që u miratua nga qeveria e djathtë e Mauricio Macri në fund të 2017. Përveç një greve të përgjithshme të udhëhequr nga sindikata më e madhe e vendit, protesta masive u zhvilluan edhe para parlamentit në kryeqytet për disa ditë. Ato rezultuan në një numër arrestimesh dhe lëndimesh, por demonstratat nuk arritën të pengonin miratimin e reformës. Mijëra protestues u mblodhën përpara kongresit, përfshirë sindikalistë, studentë, opozitën politike dhe kundërshtarë të tjerë të ndryshimit për të përafruar pensionet me inflacionin. Policia sulmoi protestuesit me plumba gome, topa uji, shkopinj gome dhe gaz lotsjellës.
Video e mësipërme tregon momentin kur një oficer policie u plagos dhe humbi dëgjimin për shkak të lëndimeve. Video u botua si provë në çështjen penale kundër dy protestueve, dhe disa media argjentinase e paraqitën këtë filmim si provë se protestuesit, disa prej të cilëve të maskuar, ishin të dhunshëm ndaj policisë, dhe jo thjesht anasjelltas.






