Terminali i Sarandës ka përfunduar

Terminali i ri i autobusëve në Sarandë është tashmë funksional, por mënyra e qarkullimit vijon të ngrejë debat.

29

Jona Cenameri

“Për herë të parë në qytetin e Sarandës do kemi një parkim publik këtë sezon dhe besoj bëhet gati në fund të qershorit, tek Terminali i ri që hapet, do jenë 90 poste parkimi”, tha kryebashkiaku i Sarandës Oltion Çaçi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 5 maj të vitit të kaluar pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. 

Faktoje.al udhëtoi drejt Sarandës më 11 shtator të një viti më parë dhe verifikoi në terren Terminalin e Autobusëve. 

Në objekt punohej ende, ndërsa duket larg përfundimit të veprës, ndonëse kishte kaluar çdo afat dhe premtim. Punimet nisën më 10 nëntor 2023, dhe si kohë e përfundimit ishte përcaktuar 14 muaj. Investitor ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa vlera e objektit kap shumën 573.187.955.24 lekë. 

Faktoje u rikthye këtë vit në Sarandë, në fund të muajit korrik, për të parë nëse punimet kishin përfunduar.

Nga verifikimi në terren rezulton se terminali ka përfunduar, një fakt që e pohon edhe vetë Bashkia Sarandë pas dërgimit të kërkesës për informacion.    

Përfundimi 

Terminali është gjithashtu funksional, duke zhvendosur aty një pjesë të transportit që më parë operonte nga qendra. Për pasojë premtimin e kryebashkiakut te Sarandës, Oltion Çaçi, do ta konsiderojmë të mbajtur.  

Saranda përballet prej vitesh me trafik të rënduar gjatë sezonit turistik.  Para përfundimit të terminalit mungesa e tij shihej si një problem për trafikun. 

Megjithatë, mënyra e re e organizimit ka sjellë edhe ankesa të tjera. 

Në 10 gusht në raportimet mediatike u pasqyrua se drejtues të disa linjave të fshatrave ankohen se zhvendosja e ndalesave vështirëson udhëtimin sidomos për pensionistët, të cilët duhet të ndërrojnë mjet për të mbërritur në qytet. 

Në të njëjtën kohë, drejtues të linjave ndërqytetase e vlerësojnë terminalin pozitivisht, duke argumentuar se sjell më shumë rregull në transport.

Faktoje e verifikoi konkretisht situatën në terren. Autobusët që dalin nga terminali duhet të vazhdojnë deri te rrethrrotullimi për të ndryshuar drejtimin dhe më pas të rikthehen. 

Gjatë verifikimit pati edhe trafik në segmentin pranë terminalit, por ai nuk ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në terren.