BallinaGjurmo ParanëRindërtimit i konvikteve të studentëve, asnjë gati për vitin e ri akademik

Rindërtimit i konvikteve të studentëve, asnjë gati për vitin e ri akademik

Ina Allkanjari

Përfundimi i rindërtimit të rezidencave studentore, të cilat do të ishin gati për të mirëpritur studentët në nisje të këtij viti akademik, ishte një prej premtimeve të kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nga verifikimi në terren, që Faktoje bëri rezultoi se nga 17 konvikte, pjesë e procesit të rindërtimit, ende asnjëra nuk është gati për të akomoduar studentët dhe se afatet për rindërtimin e disa prej tyre janë shkelur.

——————————

“Po punohet në disa kantiere në Universitetin e Mjekësisë, në Universitetin Bujqësor, edhe te inxhinieria e Ndërtimit. Pra do të ketë disa kampuse, që kur të rinjtë të rikthehen në shtator apo në tetor në varësi se kur do të hapet shkolla, t’i mirëpresim studentëtt realisht në konvikte, që si fillim janë çliruar”.  Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në 12 shkurt 2021, ku theksoi se konviktet do të jenë gati për të akomoduar studentët në fillim të vitit akademik 2021-2022.

Pavarësisht deklaratave se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta, ende asnjë nga rezidencat studentore nuk janë gati për të akomoduar studentët.

Fondi i alokuar për rindërtimin e Rezidencat Studentore Universitare është bërë me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 212, datë 11.03.2020 ku janë përcaktuar 10 konvikte. 8 prej të cilave në kampusin e Universitetit Bujqësor në Kamëz dhe 2 të tjera pranë Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

Screenshot,   rindërtimi i godinave RSU nr.2 (mjekësia) dhe RSU nr.3 Universiteti Bujqësor

Ndëkrohë 7 rezidenca të tjera studentore kanë si burim financimi VKM nr. 1134 datë 24.12.2020 dhe janë planifikuar për rindërtim dhe rikonstruksion në kampusin e Qytet Studentit.

Screenshot VKM nr. 1134, rindërtimi dhe rikonstruksioni i objekteve arsimore në RSU nr.1

 

8 godina të Universitetit Bujqësor, duhet të përfundojnë brenda vitit

Rreth 2200 studentëve të Universitetit Bujqësor në Kamëz priten të akomodohen në 8 godina të reja janë në proces rindërtimi. Sipas Open Procurment Albania data e lidhjes së kontratave për 8 rezidencat studentore RSU nr. 3 rezulton muaji tetor 2020, ndërsa kohëzgjatja e ndërtimit të këtyre godinave është parashikuar të jetë 13 muaj.

Tabela e krijuar nga Faktoje, RSU nr.3 godinat e planifikuara për rindërtim

Faktoje verifikoi në terren në datë 20 tetor 2021, ecurinë e këtij procesi ku evidentoi se ende nuk ka përfunduar ndërtimi i asnjë prej konvikteve.

Tabela e punimeve RSU nr.3 godina nr.1

Në tabelën e punimeve, nuk tregohet data se kur ka nisur procesi i ndërtimit, por tregohet se godina nr. 1 në Universitetin Bujqësor do të ndërtohet brenda 13 muajve.

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.1

Inxhinieri i godinës nr.2 Noel Vata, tregon për Faktoje se kjo godinë mund të jetë gati brenda janarit 2022.

“Me këtë ecuri që kemi, shpresojmë që brenda këtij viti të jetë e përfunduar, punimet kanë filluar në fund të janarit. Godinat janë 5 kate dhe kanë një kat bodrum, ka dy ashensorë, shkallët e emergjencës, shkallët për përdorim të përditshëm, shkallët të cilat dalin në tarracë”, -u shpreh inxhinieri Noel Vata.

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.2

Përsa i përket godinës nr. 3 në korpusin e UB, inxhinieri Zoi Dhimetrika tregon se punimet parashikohet të përfundojnë rreth muajit prill 2022.

“Ky objekt do të ketë edhe disa ndryshime në strukturë, pasi do të implementohet edhe një laborator, gjithashtu do të duhet të realizohet një ashensor më i madh për shkak të pajisjeve. Mendojmë se kjo godinë mund të jetë e përfunduar rreth muajve mars-prill 2022. Punimet për këtë godinë kanë në korrik, pasi në këtë zonë kalonin telat e korrentit”, tregon inxhinieri i godinës.

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.3

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.4

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.5

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.6

Përgjegjësi i punimeve në godinë nr.7 Ismet Islamaj, tregon për Faktoje se kjo godinë pritet të përfundojë në muajin dhjetor.

“Punimet kanë nisur rreth një vit më parë në dhjetor. Afati është 13 muaj, jemi në kohë me procesin e rindërtimit. Kjo godinë është 6 kate së bashku me bodrumin”, tregon përgjegjësi i punimeve Ismet Islamaj.

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.7

Rezidenca studentore nr.3 godina nr.8

Faktoje evidentoi se 8 godinat e planifikuara për rindërtim në kampusin e Universitetit Bujqësor ende nuk kanë përfunduar, ndërsa një pjesë e tyre nuk mund të jenë gati për të mirëpritur studentët brenda afateve të parashikuara në kontratat e lidhura.

 

2 godinat e Universitetit të Mjekësisë, gati vitin e ardhshëm

“Konviktet e studentëve të Universitetit të Mjekësisë do të jenë gati në vitin e ri akademik, me kushte më të mira dhe të njëjtën cilësi si godinat rezidenciale studentore të Inxhinierisë”,- deklaroi Kreu i Bashkisë Erion Veliaj

Por, ky vit i ri akademik i gjeti të papërfunduara 2 godinat e planifikuara për rindërtim, ku pritet të akomodohen rreth 200 studentë të mjekësisë.

Data e lidhjes së kontratave për 2 rezidencat studentore RSU nr. 2 rezulton muaji tetor 2020, ndërsa kohëzgjatja e ndërtimit të këtyre godinave është parashikuar të jetë 13 muaj dhe 15 muaj.

Tabela e krijuar nga Faktoje, RSU nr.2 godinat e planifikuara për rindërtim

“Godinat nr 3 dhe nr 4 janë ndërtuar nga fillimi. Përsa i përket godinës nr. 3 pritet të përfundojë vitin tjetër. Ka rreth 8 muaj që ka nisur procesi i rindërtimit, aktualisht jemi në fazën e muraturës dhe përfundimit të katit të fundit. Godina është 9 kate së bashku me bodrumin. Godina nr. 4 është pak më përpara me procesin e rindërtimit”, tregon për Faktoje, inxhinieri Agim Kaleshi.

Rezidenca studentore nr.2 godina nr.3

Rezidenca studentore nr.2 godina nr.4

Në disa prej godinave në Qytetin Studenti ende nuk ka nisur rindërtimi

Në Rezidencën Studentore Universitare nr.1 në Qytet Studenti, sipas VKM nr. 1134 datë 24.12.2020 janë planifikuar për rindërtim 3 godina, konkretisht konvikti nr. 15, 16 dhe 18. Ndërsa janë përcaktuar për rikonstruksion 4 godina,  20-21 dhe 22-23. Në total qeveria ka akorduar fondin prej 1,608,555,182 lekë për rindërtimin/rikonstruksionin e këtyre godinave.

Tabela e krijuar nga Faktoje, RSU nr.1 godinat e planifikuara për rindërtim/rikonstruksion

 Nga verifikimi në terren godina nr. 16 ndonëse është planifikuar për rindërtim pas tërmetit të 26 nëntorit, ende nuk është shembur dhe studentët vijojnë të akomodohen në këtë konvikt.  Vlera e alokuar për rindërtimin e kësaj godine sipas VKM NR. 11341 është 311,425,288 lekë, ndonëse ende nuk ka asnjë shenjë të rindërtimit.

RSU nr.1 godina nr.16

Dy godina të tjera, të cilat duhet të rindërtohen nga fillimi janë konvikti nr. 15 dhe nr.18. Konvikti nr. 15 ende nuk e ka nisur procesin e rindërtimit, ku deri më tani ka përfunduar vetëm shembja dhe është ende në fazën e heqjes së inerteve.

RSU nr.1 godina nr.15

Inxhinieri i godinës nr.18 tregon për Faktoje se procesi i rindërtimit për këtë rezidencë ka rreth 1 muaj që ka nisur dhe është planifikuar të përfundoj brenda 12 muajve.

“Ka 1 muaj që ka nisur ndërtimi për godinën numër 18. Nga momenti i nisjes së ndërtimit është planifikuar që të përfundoj brenda 12 muajve. Dy kate janë ngritur deri në këto momente, në total do të jetë 7 kate plus 1 kat bodrum. Në këtë zonë kjo është godina e parë që ka nisur punën për rindërtim”, tregon inxhinieri i godinës nr.18, Erald Gjiriti.

RSU nr.1 godina nr.18

Tabela e punimeve, RSU nr.1 godina nr.18

Gjatë verifikimit të godinave të cilat janë planifikuar për rikonstruksion, konkretisht konvikti nr. 20-21 dhe konvikti nr. 22-23 nuk gjetëm asnjë tabelë të punimeve.

Jemi duke realizuar restaurim total dhe përforcim objekti për godinat 20-21. Këto dy godinave po i bëhet një restaurim rrënjësor, objektit po i ngelen vetëm tulla dhe kollonat.  Restaurimi ka rreth dy muaj që ka nisur dhe po ecim me ritme të mira, nuk mund të të them se kur pritet të përfundoj pasi varet se si do të vijojë procesi i punës, pasi godina ka qenë shumë e amortizuar”, tregon inxhinieri Xhefson Isaj.

RSU nr.1 godina nr. 20-21

RSU nr.1 godina nr. 20-21

Në godinën nr. 22-23 nuk kishte asnjë gjurmë të punëtorëve përgjatë datës 20 tetor 2021, ndonëse edhe këto konvikte janë planifikuar për rikonstruksion.

RSU nr.1 godina nr. 22-23

RSU nr.1 godina nr. 22-23

Faktoje prej disa kohësh monitoron procesin e rindërtimit të objekteve arsimore në kryeqytet. Ndonëse transparenca është fokusi i këtij procesi, gjetja e informacionit, për ecurinë e rindërtimit të objekteve arsimore mbetet një sfidë. Shpesh është e nevojshme që të dërgohen kërkesa për informacion, të cilat shoqërohen me vonesa dhe informacion jo të plotë.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img