BallinaFaktometerE Pavërtetë3 të pavërtetat e ministres së Shëndetësisë

3 të pavërtetat e ministres së Shëndetësisë

Stina e vjeshtës, bashkë me shqetësimet dhe pikëpyetjet në lidhje me COVID-19 shoqërohet edhe me frikën për një valë të re infektimesh për shkak të mbivendosjes me gripin e zakonshëm sezonal. Shifrat ditore të infektimeve, edhe pse me ndonjë luhatje të lehtë, nuk po shënojnë ulje. Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër garanton se ka çdo gjë nën kontroll duke dhënë shifra dhe ilustrime krahasuese, për të cilat verifikimi i “Faktoje” ka treguar një tjetër realitet.


Gjatë një interviste televizive Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, dha disa deklarata mbi situatën e krijuar nga Covid në vend dhe numrin e të infektuarve në krahasim me fqinjët e rajonit. “Faktoje”, e cila edhe më herët ka bërë verifikime për këtë çështje konstatoi disa të pavërteta në intervistën e zonjës Manastirliu në “Open”.

1) “Masat në shkolla po zbatohen dhe vazhdojnë të zbatohen”- deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Faktoje” në shkollat e disa qyteteve, me nisjen e vitit të ri shkollor, në Kukës, Mirditë, Vlorë, situata nuk përkonte me konfirmimin e zonjës Manastirliu. Thuajse në të gjitha shkollat 9-vjeçare kishte mungesë të ujit të rrjedhshëm, ndërsa në disa të tjera mungonin edhe tualetet, ndërkohë që kërkohet respektimi i protokollit dhe larja e shpeshtë e duarve.

Shkollat në Mirditë, mes mungesës së ujit dhe mësimit në klasa kolektive

Kukës e Vlorë, pandemia dhe mungesa e ujit në shkolla

2) “Të gjithë e kanë marrë bonusin e akorduar nga qeveria. Të gjithë ata që janë angazhuar në situatën e pandemisë, i kanë marrë bonuset. 2500 mjekët, infermierët, shoferët e ambulancave, sanitare të gjithë i kanë marrë dhe do të vazhdojnë t’i marrin.”- deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Mjekët, duhej të merrnin një bonus mujor prej 1 mijë eurosh për qëndrimin në vijën e parë të luftës me COVID-19, sipas një zotimi të artikuluar nga kryeministri Rama në fillim të pandemisë, zotim që sipas ministres Manastirliu është përmbushur. Por gjatë verifikimit të kryer më herët, Faktoje mësoi se në spitalin “Shefqet Ndroqi” kjo pagesë nuk merrej prej muajit qershor.

Prej muajit qershor personeli mjekësor i “Shefqet Ndroqit” nuk e merr bonusin e premtuar!

3) “Shqipëria ka sot numrin më të ulët të të infektuarve krahasuar me mesataren e vendeve europiane dhe atyre të rajonit duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Për rastet totale për 1 milion banorë të fataliteteve, Shqipëria është në një pozicion që lë prapa vendet e rajonit duke përjashtuar vetëm Serbinë.”- deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojties Sociale Ogerta Manastirliu.

Në të vërtetë, Shqipëria krahasuar me Maqedoninë e Veriut, ka numrin më të ulët të testimeve edhe për milion banorë. Përshembull që prej fillimit të pandemisë, Maqedonia e Veriut ka kryer disa herë më shumë teste për rastet e COVID-19, sesa Shqipëria. Kjo është arsyeja sipas ekspertëve të shëndetësisë, pse Shqipëria del me një numër më të ulët të prekurish nga COVID-19 apo viktima të shkaktuara prej këtij virusi.

Shqipëria, as gjysmën e testeve të Maqedonisë në ditë

Nisur nga të dhënat që Faktoje ka grumbulluar, 3 deklaratat e Ministres Manastirliu do t’i kategorizojmë Të Pavërteta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img