BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëRindërtimi në Shijak, banorët ende nuk kanë në dorë certifikatat e pronësisë

Rindërtimi në Shijak, banorët ende nuk kanë në dorë certifikatat e pronësisë

Ina Allkanjari

Rindërtimi i banesave individuale dhe pallateve në Shijak pas tërmetit të 26 nëntorit ka qenë një ndër zotimet e kryebashkiakut Elton Arbana, i cili ka premtuar afate të njëpasnjëshme për përfundimin e tyre. Në muajin shkurt Arbana deklaroi se, në muajin gusht bashkia Shijak do të ndajë certifikatat e pronësisë për çdo familje shijakase. Në muajin tetor 2021, Faktoje verfikoi se jo të gjitha shtëpitë individuale kanë përfunduar në Shijak dhe për rrjedhojë shumë familje nuk kanë arritur të marrin certifikatat e pronësisë.

———-

“Asnjë familje në Shijak nuk do të jetë e pastrehë. Në muajin gusht do të jetë Bashkia e Shijakut që do të ndajë apartamentet dhe certifikatat e pronësisë sipas vlerësimit të dosjeve për çdo familje”. Premtoi ndër të tjera kreu i Bashkisë Shijak në 13 shkurt 2021 në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Premtimi i Kryetarit të Bashkisë Shijak, datë 13 shkurt 2021

Faktoje prej disa kohësh ndjek nga afër procesin e rindërtimit në Shijak, duke verifikuar premtimet e dhëna në kohë të ndryshme gjatë këtij viti, përmes vëzhgimit në terren dhe informacioneve zyrtare të bashkisë Shijak.

 Përgjatë muajit gusht, periudhë kjo që Bashkia Shijak duhet të përfundonte ndarjen e çertifikatave të pronësisë për të gjithë familjet e prekura nga tërmeti, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Shijak për ecurinë e procesit të rindërtimit.

   Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Shijak, datë 17.08.2021

 Në përgjigjen për Faktoje, bashkia Shijak shkruan se pallatet nuk kanë përfunduar ende së rindërtuari.

Përgjigja e Bashkisë Shijak drejtuar Faktoje

 Faktoje ju drejtua sërish bashkisë Shijak me një kërkesë të dytë për informacion lidhur me numrin e banesave individuale të prekura nga tërmeti, që po rindërtohen në Shijak, sa prej tyre kanë përfunduar dhe sa shtëpi individuale janë në proces përfundimi.

“Në të gjithë Bashkinë Shijak janë 800 banesa individuale që po ndërtohen, 567 prej të cilavë në Loti 1, të cilat kanë përfunduar së rindërtuari dhe 233 banesa në Loti ll, 65% e të cilave janë gjithashtu të përfunduara. Në të gjithë bashkinë Shijak, përsa i përket procesit të rindërtimit ka përfunduar Loti I prej 567 banesash individuale dhe në Lotin e ll prej 233 banesash individuale kanë përfunduar 65% prej tyre. Përsa i përket procesit të përfundimit të rindërtimit të banesave individuale në gjithë bashkinë Shijak janë edhe 35% e banesave për të përfundur në Loti i ll”,- shkruan kjo bashki në përgjigjen e saj zyrtare.

Përgjigja e Bashkisë Shijak datë 25.08.2021

 Banesat individuale

Ndonëse në muajin gusht kreu i bashkisë Arbana, premtoi se duhet të ndante certifikatat e pronësisë për gjithë banorët e Shijakut të prekur nga tërmeti, në vëzhgimin e bërë në muajin tetor evidentuam se ende një pjesë e banesave individuale janë në proces.

Banorë të lagjes “Erzen” në Shijak u shprehën për Faktoje se disa prej banesave të prekura nga tërmeti ende janë në proces rindërtimi dhe nuk kanë përfunduar, ndaj nuk kanë marrë ende në dorë certifikatat e pronësisë.

“Prej tërmetit deri disa ditë më parë unë kam qëndruar me qera, përfitova bonusin mujor nga bashkia për shkak se shtëpia ime u shpall e pabanueshme. Një bonus prej 18.000 lekë, pasi familja ime përbëhet nga 4 persona. Në fillim të shtatorit jam futur në shtëpinë time, ndërkohë ka disa banesa të tjera të cilat janë drejt fundit, por nuk kanë përfunduar akoma ndaj ende nuk kemi marrë certifikatat e pronësisë. Janë pak me vonesë, por rëndësi ka që arritëm deri këtu dhe banesat po rindërtohen”, tregon për Faktoje L. banor i Shijakut, i cili tashmë ka hyrë në shtëpi të re.

Lagjja “Erzen”, Shijak

Një punëtor, i cili ndodhet në oborrin e një prej banesave ende të papërfunduara tregon për Faktoje se dritat në këtë shtëpi janë lidhur më datë 24 shtator dhe brenda pak ditësh banesa do të jetë e përfunduar.

Lagjja “Erzen”, Shijak

Pallatet në Shijak

Inxhinier B. i disa prej pallateve të cilat po ndërtohen në lagjen “Lugina” në Shijak tregon për Faktoje se në këtë zonë janë rreth 13 pallate që po ndërtohen.

Lagjja “Lugina” Shijak

“Firma jonë ka përsipër 5 pallate. Ideja është që pallatet të përfundojnë në fund të dhjetorit, por është e vështirë të realizohet. Me njërin prej pallateve kemi ecur, gati kemi përfunduar muraturën, por është e vështirë të jenë gati në dhjetor. Besoj për t’i mbyllur me çelësa do të duhen edhe disa muaj pas dhjetorit”, -tregon inxhinieri.

Lagjja “Lugina” Shijak

Lidhur me procesin e rindërtimit në Shijak, kreu i Bashkisë, Elton Arbana tregon në një intervistë për Faktoje se loti i parë i banesave individuale ka përfunduar, ndërsa është ende në proces loti i 2 dhe i 3.

 Të gjithë banesat individuale, pjesë e Lotit të I-rë, gjithësej  567 banesa individuale kanë përfunduar. Këto banesa kanë mbaruar brenda vitit 2020, madje kemi qenë bashkia e parë që përfunduam procesin e lotin e I-rë. Ju i referoheni lotit të dytë dhe të tretë, pasi aplikimet janë rihapur edhe në muajin korrik edhe në muajin tetor dhe për shkak të diferencave të aplikimeve, d.m.th aplikimi i dytë shkon me lotin e dytë, aplikimi i tretë që ne jemi në fazën e përgatitjes së dosjeve dhe s’kemi filluar ende, pasi kanë shumë volum, Pra aktualisht po vazhdojmë me lotin e tretë. Loti i dytë ashtu siç ju e thatë, janë disa banesa që priten të përfundojnë që të përmbyllim edhe lotin e dytë.”, -shprehet për Faktoje Arbana.

Përsa i përket ndërtimit të pallateve në këtë bashki Arbana thekson se pjesa më e madhe e tyre janë në fazën e karabinasë dhe në disa ka filluar edhe muratura dhe suvatimi i brendshëm.

“Po punohet me dy turne me hapa të shpejt dhe një pjesë e mirë rreth 30-40% e tyre mund të përfundojnë brenda muajit dhjetor. Do bëjmë ç’është e mundur që tre pallatet e para të përfundojnë brenda muajit tetor, pasi ka përfunduar suvatimi nga brenda, pllakat dhe pjesët hidraulike, ka mbetur vetëm dyer dritare”, tregon kreu i bashkisë Shijak.

 Nisur nga informacioni i grumbulluar nga bashkia Shijak dhe verifikimi në terren, vendosëm që premtimin e kryebashkiakut të Shijakut, se në muajin gusht do të ndahen apartamentet dhe certifikatat e pronësisë sipas vlerësimit të dosjeve për çdo familje në Shijak ta kategorizojmë “Gjysmë të mbajtur”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img