BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraRindërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave të dëmtuara nga tërmeti nuk u përmbush as për vitin shkollor 2021-2022

Rindërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave të dëmtuara nga tërmeti nuk u përmbush as për vitin shkollor 2021-2022

EDIT NIKOLLI

Në vitin e dytë shkollor që pasoi tërmetin e 26 nëntorit 2019, premtimet për 143 shkolla të rindërtuara dhe rikonstruksionin e atyre të dëmtuara, nuk janë përmbushur. Faktoje mori në verifikim 12 objekte arsimore në bashkitë Shijak, Kamzë, Kurbin, Kavajë e Rrogozhinë, të planifikuara për rindërtim ose rinkonstruksion. Kulmi i zvarritjes së procesit të rindërtimit ndër objektet arsimore të verifikuara, rezulton në shkollën 9 vjeçare Milot. Ndërtesa e dëmtuar, jo vetëm që nuk po rikonstruktohet, por gjysma e saj përdoret si qendër shëndetësore, pasi qendra ekzistuese u dëmtua rëndë nga tërmeti.

—————————————————————————————————

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021 fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit.”- u zotua kryeministri Rama në një deklaratë për shtyp në fund të vitit 2019, kur ende nuk ishin llogaritur dëmet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Më 12 mars qeveria miratoi përmes një VKM fondin prej 7.9 miliradë lekësh për programin e rindërtimit të 59 shkollave.

Pak ditë më vonë, BE dhe UNDP akorduan fondin prej 15 milionë eurosh për rindërtimin e 22 shkollave të reja në kuadër të këttij procesi ndërsa në 24 prill 2020 qeveria njoftoi nisjen e operacionit për 103 shkolla.

Në fillim të vitit shkollor 2020-2021, Faktoje konstatoi se asnjë nga 143 shkollat në bashkitë e goditura nga tërmeti (Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Shijak, Kurbin të planifikuara për rindërtimin nuk i hapi dyert shtatorin e vitit të kaluar, ndërkohë që viti shkollor kaloi më tepër përmes platformave online dhe mësimit të kombinuar, për shkak të pandemisë. Megjithatë, kryeministri nuk hezitoi të përsëriste zotimin se këto shkolla do të ishin gati në vitin shkollor 2021-2022.

Postimi i Kryeministrit Rama

Nga gushti i vitit të kaluar e deri më sot, Faktoje ka identifikuar një numër premtimesh të shkelura për afatet e rindërtimit të shkollave, në disa prej bashkive të godituar nga tërmeti.

Në fund të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë verifikimin e radhës, mbi ecurinë e procesit të rindërtimit dhe rikonstruksionit të objekteve arsimore në disa prej bashkive ku planifikohej që shkollat e dëmtuara nga tërmeti të ishin përfunduar.

Para se të shkonte në terren, Faktoje bëri një verifikim të Vendimeve të Këshillit të Ministrave për shpërndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit për rindërtimin dhe rikontruksionin e shkollave në 10 bashki për vitin 2021 dhe identifikoi disa prej tyre.

Tabela e krijuar nga Faktoje me VKM-të e viti 2021, Ndërtim dhe Rikonstruktim i shkollave të prekura nga fatkeqesitë natyrore

 

Fillimisht shkuam në gjimnazin e Milotit, pjesë e bashkisë Kurbin, një shkollë me dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që sipas dokumentit që disponon Faktoje, ka të planifikuar shumën prej mbi 53 milionë e 367 mijë lekë, bashkë me rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare.

Gjimnazi Milot, bashkia Kurbin

Në këtë shkollë konstatuam se nuk kishte nisur ende ndërhyrja për rikonstruksion.

Mjediset brenda gjimnazit në Milot, kati i tretë i ndërtesës

Kati i tretë i kësaj shkolle ishte jashtë funksionit për arsye të dëmtimeve të shumta në infrastrukturë, çfarë e bën të pamundur zhvillimin e mësimit.

“Na kanë thënë se do të ndërhyjnë në rikonstruktimin e dy ndërtesave arsimore në Milot, por deri tani nuk është bërë gjë.”-iu komunikua Faktojes nga personat që ruanin objektin.

Shkolla 9-vjeçare Milot

Verifikimin e vijuam në shkollën 9 vjeçare Milot. Nga biseda me personat që ndodheshin në ndërtesë, na u konfirmua se megjithë dëmtimet e dukshme, aty do të zhvillohej mësim.

Shkolla 9-vjeçare Milot

Ndërtesa e shkollës 9 vjeçare Milot është e ndarë në dy pjesë, ku njëra shërben për mësim dhe pjesa tjetër si qendër shëndetësore, pasi ajo ekzistuese doli jashtë funksionit nga tërmeti i nëntorit 2019.

 

Ne shkuam edhe në gjimnazin “16 shtatori” në Shijak, e cila sipas një përgjigjeje zyrtare nga FSHZH është përfunduar tërësisht, bashkë me Kopshtin Muçaj dhe kopshtin nr. 1. I gjithë projekti sipas FSHZH, ka kushtuar 137 milionë e 361 200 lekë.

Gjimnazi 16 Shtatori, Shijak

Nga verifikimi në terren rezulton se shkolla është përfunduar.

Shkolla “Aleksander Moisiu”, Bashkia Kavajë

 

Në fund të muajit gusht Faktoje shkoi në shkollën “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, objekt në proces rikonstruksioni. Sipas punonjësve në terren, puna për objektin pritej të mbyllej brenda shtatorit, ndërsa për infrastrukturën e jashtme dhe palestrën duhej ende kohë.

Shkolla “Aleksandër Moisiu” bën pjesë në listën me 9 shkolla në bashkitë Kamzë/Kavajë të planifikuara për rikonstruksion dhe për të cilat janë parashikuar gjithsej 244 mln e 685 991 milionë lekë te reja.

Ne kërkuam për tabelën e punimeve në kantier, ashtu siç e përcakton ligji, por nuk gjetëm një të tillë.

Shkolla 9 vjeçare “Qamil Gjuzi” bashkia Rrogozhinë

Ne shkuam në shkollën “Qamil Gjuzi” në bashkinë Rrogozhinë e cila sipas VKM rezulton objekt arsimor për rindërtim bashkë me shkollën Lekaj, me fonde në vlerë 62 mln 039 042 lekë të reja. Në pamjen e jashtme shkolla nuk të jepte përshtypjen e një objekti për t’u rindërtuar, ndërsa nëna e dy nxënësve që mësonin aty na tha:

“Unë kam dy fëmijë në këtë shkollë, dëmtime nga tërmeti nuk ka pasur me sa kam dijeni unë dhe nuk është restauruar”.

Edhe shkolla Lekaj, ishte objekt ekzistues që është planifikuar për indërtim deri në momentin e verifikimit, nuk kishte ndonjë shenjë se aty do të ndërhyej.

Verifikimin e vazhduam në shkollën “Qamil Xhani” në bashkinë Kavajë, e cila përfshihet në listën e 9 shkollave të bashkive Kamzë/ Kavajë.

Rikonstruksioni i shkollës “Qamil Xhani”

Punimet kanë filluar në muajin qershor të këtij viti, dhe sipas afatit që shfaqet në tabelën e kantierit, duhet të përfundojnë para pranverës së vitit të ardhshëm.

Tabela e Rikonstruksionit të shkollës “Qamil Xhani”, bashkia Kavajë

Në çerdhen Zallmner, bashkia Kamzë nuk është bërë asnjë ndërhyrje, edhe pse objekti ndodhet në listën e VKM për rindërtim me fonde të parashikuara në vlerën 67 638 407 lekë nga buxheti i shtetit.  Disa nga punonjëset e çerdhes, të cilat refuzuan të identifikoheshin na konfirmuan:

“Kati i tretë është jo funksional, sepse ka shumë dëmtime, rënie suvaje, banjot nuk mund t’i përdorim për fëmijët, sepse kanë nevojë për ndërhyrje. Na kanë thënë se do vijnë të ndërhyjnë, e kanë bërë planin, por nuk e dimë se kur do të fillojnë”.

Çerdhja Zallmner, Kamzë

Verifikimin e vazhduam në shkollën 9 vjeçare “Kamza e Re”.

Shkolla 9-vjecare, “Kamza e re”

“Shkolla Kamza e re, është në proces përfundimi, brenda shtatorit do të jetë gati për të pritur nxënësit. Kemi punuar me orare të zgjatura për ta përfunduar në kohë” -tha për Faktoje inxhinieri që ndiqte zbatimin e projektit.

Tabela e rikonstuksionit të shkollës 9-vjecare “Kamza e Re”, 26 gusht 2021

Në Valias, pjesë e bashkisë Kamzë, punimet për rindërtimin e shkollës “Niko Hoxha”, me vlerë rreth 190 mln lekë të reja, janë shumë larg përfundimit.

Shkolla 9-vjecare “Niko Hoxha”, Valias

Në këtë kantier mungonte tabela me të dhënat e projektit dhe afatet e punimeve.

Gjimnazi “Isa Boletini”

Faktoje shkoi pranë gjimnazit “Isa Boletini” në Kamzë, i cili ndodhet në listën e objekteve për t’u rikonstruktuar. Nga vëzhgimi në terren edhe pse po punohej, rikonstruktimi ishte shumë larg përfundimit brenda 27 shtatorit.

Personat përgjegjës për zbatimin e projektit, refuzuan të tregojnë se kur pritej të përfundonin punimet, ndërkohë që tabela në kantierin e ndërtimit tregon se ai ka një afat prej 5 muajsh.

Tabela e projektit të rikonstruksionit të gjimnazit ‘Isa Boletini ‘, Kamzë

Gjimnazi “Ibrahim Rugova”, bashkia Kamzë

Objekti i fundit arsimor që verifikuam, ishte gjimnazi “Ibrahim Rugova”, po në Kamzë, i cili i është nënshtruar rikonstruksionit me fonde në vlerë 178 500 00 lekë të reja nga buxheti i shtetit. Edhe këtu punonjësit në terren nuk garantuan se shkolla do të ishte funksionale në 27 shtator, megjithatë konfirmuan se po punoninin me kapacitet të plotë.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Faktoje dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Lexo edhe: Viti i ri shkollor shtyhet me 3 javë, MASR pa strategji për plotësimin e boshllëqeve që shkaktoi pandemia

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img