BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLajm i rremë shtrimi në spital i kryeministrit Rama

Lajm i rremë shtrimi në spital i kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama nuk është në gjendje të rëndë shëndetësore. Lajmi i publikuar nga portali main.abntimes24.com mbi gjendjen e rënduar të shëndetit të kreut të qeverisë është i pavërtetë. “Faktoje” verifikoi se portali ka ricikluar një fotografit të kryeministrit 5 vite më pare duke dhënë gjak, të cilën e kanë modifikuar në mënyrë të tillë që të jep idenë se ai ndodhet në spital.

Lajmet për shëndetin e kryeministrit të një vendi nuk mund të kalojnë pa tërhequr vëmendjen e lexuesve. Pikërisht me këtë synim, më 2 tetor, portali main.abntimes24.com ka shpërndarë një lajm që flet për gjendje të rënduar shëndetësore të kryeministrit Edi Rama. Lajmi bëhet edhe më i besueshëm ndërsa shoqërohet me një fotografi të kryeministrit të shtrirë në krevat nën kujdesin e personelit shëndetësor.

Screenshot nga portali main.abntimes24.com

Në përpjekje për të marrë sa më shumë klikime, portali e shoqëron lajmin me një titull të hapur dhe tre pikat që të nxisin më tej kureshtjen e lexuesve: “Edi Rama Ne Gjendje Te Re.Nde Shendetesore / Ja Cfare Ka ..”.

Veç gabimeve drejtshkrimore në titull, edhe teksti në brendësi të lajmit është i mbushur me fjali të pasakta, duke dëshmuar se autorët e lajmit nuk kanë ndonjë kujdes të veçantë për të fshehur më tej gënjeshtrën me këtë lajm.

Medial kane publikuar nje lajm i cili eshte marre nga nje mik i Edi Rames i cili kishte treguar qe Edi Rama eshte ne gj endje te r ende pasi ishte pikerisht miku i tij qe e kishte derguar ne spi.tal. Ai tha qe ishim duke ndenjur ne shtepine e tij dhe papritmas e h mbi v etedi jen dhe e dergova shpejt ne mje kim.” – shkruhet ndër të tjera në brendësi të tekstit.

Screenshot nga portali main.abntimes24.com

Nga kërkimet e “Faktoje” rezulton se lajmi është i pavërtetë dhe është shëmbulli tipik i dizinformimit të publikut, me fjalë boshe dhe tituj bombastikë që tërheqin lexuesit.

Verifikimet tregojnë gjithashtu se fotografia kryesore që shoqëron lajmin mbi gjendjen shëndetësorë të kryeministrit është shkrepur në vitin 2017, në ambjentet e Kryeministrisë gjatë një fushate dhurimi gjaku.

 

Screenshot nga faqja e kryeministrit Edi Rama në tëitter, 14 shtator 2017

 

Portali në fjalë ka modifikuar fotografinë e vitit 2017, duke e prerë në mënyrë të atillë që të japë idenë se kryeministri Rama ndodhet në spital dhe e risjell për lexuesit pesë vite më vonë.

Ndërkohë, nga data 2 tetor që është publikuar ky lajm e deri më sot, Kryeministri Edi Rama ka pasur dalje të shpeshta publike, të cilat tregojnë se gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë e rënduar.

Foto e marrë nga rrjetet sociale të Kryeministrit Edi Rama, 14 shtator 2017

 

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img