Vendimi i qeverisë së Kosovës për të dhënë mbështetje financiare për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare është ricikluar nga një portal, në përpjekje për të marrë klikime. Portali sjell në vëmendje një njoftim të muajit janar nga ministri i financave të Kosovës, si risi për publikun.
“Të gjithë fëmijët deri në 16 vjeç mund të përfitojnë shtesa mujore.” Ky është titulli i një artikulli të publikuar më 6 shkurt nga portali jnews3.com.
Më tej në brendësi të lajmit, citohet një status i ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati lidhur me vendimin në fjalë.
“Ministri i Financave. Hekuran Murati, ka thënë se nga tani e tutje të gjithë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare, mund të përfitojnë nga shtesat mujore. Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se me këtë është përmbushur në tërësi një nga premtimet kryesore të Qeverisë. Shtesat për fëmijë janë deri në 10 euro në muaj për ata që janë mbi moshën dyvjeçare. Nga 20 euro në muaj marrin fëmijët nën dy vjeç.” – shkruhet në artikull, ndërkohë që e vërteta është se mbështetja ka nisur të shpërndahet më herët.
Nga verifikimet rezulton se statusi i ministrit të Financave është publikuar më 3 janar të këtij viti, kur hyri në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për të shtrirë mbështetjen financiare për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, ndërkohë që vitet e shkuara ndihma me para nga buxheti i shtetit të Kosovës ishte e dedikuar për fëmijët deri në moshën 2 vjeçare.
Sipas këtij programi mbështetjeje, fëmijët deri në moshën 2 vjeç marrin çdo muaj 20 euro në formën e një bonusi, ndërsa për të gjithë fëmijët nga 2 deri në 16 vjeç mbështetja e qeverisë është 10 euro çdo muaj.
Ripublikimi i këtij vendimi dy muaj më pas nga portali jnews3.com është një përpjekje e qartë për të marrë klikime, duke mos dhënë informacionin e saktë, por duke e ‘shitur’ skemën e mbështetjes financiare për fëmijët deri në 16 vjeç si risi.
Sipas informcaioneve zyrtare, aplikimi për të ashtuquajturën ‘Shtesa për Fëmijë’ është vazhdimisht i hapur në platformën eKosova, kurse pagesa bëhet me datë 25, apo ditën vijuese të punës, të çdo muaji.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjete sociale bën të ditur se nga mbështetja financiare do të përfitojnë mbi 340 fëmijë nën moshën 16 vjeç.