.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRiciklohet deklarata e Ramës se pa Serbinë do mbeteshim pa bukë

Riciklohet deklarata e Ramës se pa Serbinë do mbeteshim pa bukë

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama në një samit të mbajtur për nismën Open Balkan, është publikuar si transmetim i drejtpërdrejt i datës 28 qershor 2023. Verifikimi i Faktoje tregon se deklarata e Ramës se ‘me nisjen e luftës në Ukrainë, falë Serbisë kishim bukë për të ushqyer njerëzit’ është e një viti më parë, por është ricikluar në një kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë duke sjellë dizinformim.

Jona Plumbi

Situata e krijuar në Kosovë pas tensionit në komunat me shumicë serbe që nisi pas zgjedhjeve vendore të pjesshme, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe atje, ka prodhuar lajme të shumta në median shqiptare. Qendrimi zyrtar i Shqipërisë në këtë përplasje mes Kosovës dhe Serbisë e ka ndarë opinionin publik shqiptar në dy kampe të mëdha, ata pro dhe kundër propozimit që kryeministri Edi Rama i bëri ndërkombëtarëve për qetësimin e situatës përmes draftimit të ngritjes së asosacionit të komunave serbe në Kosovë.

Mes lajmeve lidhur me këtë situatë, një pjesë e mediave online kanë shpërndarë informacion të pavërtetë me qëllim nxitjen e reagimeve në rrjet. I tillë është rasti i Agora News, që në datën 28 qershor 2023 ka transmetuar të plotë konferencën e takimit të Open Balkan në Ohër të Maqedonisë, me titull “Rama nuk heq dorë nga bashkëpunimi me Vuçiçin: Pa Serbinë ne do të vdisnim për bukë”. Verifikimi i Faktoje tregon se konferenca i përket datës 8 qershor 2022, plot një vit më parë, dhe është ricikluar me qëllim për ta lidhur me konfliktin në Kosovë, me qëllim nxitjen e reagimeve në rrjet dhe rrjedhimisht edhe përftitimin monetar të medias online.

*imazh i publikimit video nga Agora News në 28 qershor 2023

Në datën 28 qershor 2023 Agora News shpërndau një video, të cilën e njoftonte si transmetim të drejtpërdrejtë. Titulli kryesor që media përdori gjatë transmetimit ishte “Përplasja Kosovë – Serbi”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për situatën e tensionuar aktualisht në veri të Kosovës. Gjithashtu, ekrani shënon edhe një citim të kryeministrit Rama që duket të ketë thënë se “pa Serbinë do vdisnim për bukë”.

Kushdo që e hap këtë video të gjatë 8 orë e 3 minuta, kupton se po bëhet fjalë për një konferencë të mbajtur në një samit të Ballkanit të Hapur. Ajo që jo çdokush di, është se ky takim në fakt është mbajtur në datën 8 qershor 2022.

Në vitin 2022 janë mbajtur dy samite për nismën e ballkanit të Hapur, një samit në Beograd në 2 shtator 2022 dhe një në në Ohër në 8 qershor 2022.

fjalën e tij kryeministri Edi Rama përdori luftën në Ukrainë për të treguar rëndësinë që sipas tij kishte nisma e Ballkanit të Hapur për Shqipërinë.

Që të mos vazhdoj me retorikën, më lejoni të ndalem tek disa fakte. Kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë, mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia, gjë që e kanë bërë historikisht, jo për shkak të Ballkanit të hapur dhe që nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse ne s’do kishim Ballkanin e hapur, sepse Serbia në Ballkanin e hapur është një partner që ka marrë përsipër detyrime dhe ka marrë përsipër reciprocitetin në atë që ne duam të ndërtohet si një solidaritet për të ardhmen. Mos vallë është pak gjë kjo? Apo mos vallë duhet ndonjë imagjinatë e jashtëzakonshme për të menduar në një moment të vetëm se çfarë do të ndodhte nëse ne nuk do merrnim dot gjithë atë sasi gruri të kontraktuar, ku do ta gjenim? E me çfarë do t’i ushqenim njerëzit të cilëve do t’i mungonte buka?” – Kryeministri Edi Rama  në Samitin e Open Balkan në Ohër, 8 qershor 2022

Por ndërsa është e vërtetë që kryeministri i kujtoi shqiptarëve furnizimin me “bukën e gojës” si arsye për të nxitur mbështetjen e nismës së Ballkanit të Hapur, fakt është se deklarata është bërë një vit më parë dhe jo gjatë zhvillimit të konfliktit në veri të Kosovës, që nisi në muajin Maj 2023.

Njëkohësisht vlen të përmendet se kryeministri Rama ka njoftuar mbylljen e procesit të Ballkanit të Hapur, në një intervistë televizive dhënë në datën 1 korrik 2023. Nisur nga këto të dhëna publike, videoja e shpërndarë si transmetim i drejtpërdrejt i konferencës së Open Balkan në Ohër nga Agora News kategorizohet si informacion i pavërtetë.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img