BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookReperit Noizy nuk iu dogjën tre lokale brenda një ditë

Reperit Noizy nuk iu dogjën tre lokale brenda një ditë

Portalet kanë publikuar së fundmi një artikull ku aludojnë se reperit Noizy i janë djegur brenda të njëjtës ditë tre biznese dhe nënës së tij i është shkrumbuar makina. Verifikimet provojnë se ngjarjet janë të shtrira në kohë të ndryshme ndryshe nga sa njoftohet për të tërhequr klikime.

Zjarri i rënë në lokalin në Durrës në pronësi të reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, në të gdhirë të 11 qershorit, ka ngjallur interes nga lexuesit në portale. Pothuajse të gjitha mediat online ngjarja është pasqyruar bazuar në ato pak të dhëna që mund të ofronte komunikata e policisë për ngjarjen. Por të nesërmen, duke dashur të vijojnë më tej lajmet, disa portale kanë njoftuar se reperit iu dogjën gjithashtu dy biznese të tjera si dhe iu vu flaka automjetit të nënës së tij, duke mos e specifikuar kohën kur kanë ndodhur këto ngjarje.  

Lajmi i paverifikuar në lidhje me djegien e makinës së nënës së Noizy dhe dy bizneseve të tjera është publikuar fillimisht nga media kosovare “Indeksonline” dhe më pas është kopjuar dhe shpërndarë gjerësisht edhe nga media të tjera si: “Syri.net”, “Rilindja Demokratike”, “Gazeta Enigma”, “Zgjohu shqiptar”, “Gazeta Express”.

Ndërkohë, “Standard.al” ka shkuar edhe më larg, duke i lidhur në një ditë të gjitha sulmet e supozuara ndaj Noizyt: “Burime për mediat bëjnë të ditur se sot atij i janë bërë shkrumb e hi edhe dy lokale të tjera”.

Në shkrimin e publikuar, portali nuk ka asnjë referencë apo burim se ku bazohet mbi këto detaje, duke cituar thjesht “burime për mediat”. Veç kësaj, në artikull theksohet se këto janë “dy biznese të tjera që bëhen shkrumb e hi, pas djegies së lokalit në Durrës”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali “Standard.al”

Për sa i përket këtij të fundit, Policia e Shtetit njoftonte më 11 qershor: “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 1, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit B. R. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”.

Referuar të dhënave nga policia, lokali ishte në pronësi të babait të reperit, por nuk jepet asnjë detaj mbi shkaqet e ngjarjes. Ndërsa, në media u raportua se shkak i zjarrit ishte bërë një shkëndijë elektrike në kuzhinën e restorantit.

Mirëpo, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit nuk ka asnjë njoftim tjetër për sa i përket djegies së makinës së nënës së reperit apo edhe të dy biznesve të tjera në pronësi të familjes së tij.

“Faktoje” kontaktoi zyrën e shtypit të Policisë së Shtetit, të cilët bënë të ditur se: “Çdo njoftim për datën 11 qershor e kemi dhënë në media”. Vetë këngëtari, Rigels Rajku, nuk i është përgjigjur ende interesimit tonë. 

Ne bëmë edhe një verifikim të fotos së përdorur nga portali, ku rezulton se ajo i përket një viti më parë, saktësisht qershorit të 2022-t. Një vit më parë u njoftuar se u vendos një sasi tritoli në lokalin e reperit pas një konflikti që ai pati me një reper tjeter. Mjafton një verifikim i thjeshtë në lajmet e publikuara më parë për të kuptuar se ngjarjet apo sulmet ndaj objekteve në pronësi të Noizyt dhe familjarëve të tij nuk kanë ndodhur në të njëjtën ditë por të shtrira në kohë. 

Shënim:

Data 19 qershor 2023 faqja https://indeksonline.net/ e ka korrigjuar shkrimin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img