Një nga projektet më të mëdha të Bashkisë Fier në vitet e fundit ka qenë rehabilitimi i lumit Gjanica dhe ndërtimi i shëtitores krah tij. Sistemi i lumit është ndarë në tre lote, dhe punimet vijojnë prej disa vitesh.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2023, kryebashkiaku Armando Subashi i premtoi banorëve vijimin e punimeve për këtë projekt madhor, duke e paraqitur si një nga prioritetet e mandatit të tij. Në fakt, projekti është një investim i qeverisë qendrore.
Vijimi i punimeve për lumit Gjanica u rikthye edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2025, këtë herë me praninë e kryeministrit Edi Rama. Në një inspektim të kantierit së bashku me drejtuesen e qarkut Fier, Belinda Balluku, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe kryebashkiakun Subashi, Rama theksoi rëndësinë e projektit.
“Në kantierin e punimeve të lotit 3 të projektit të rigjenerimit dhe mobilimit urban të lumit Gjanica, deri dje një gangrenë mjedisore e mbindotur në tërë gjatësinë e lumit, e burim përmbytjesh në zemër të qytetit, ndërsa sot një nga shëtitoret më të bukura në Shqipëri, e cila e plotëson mozaikun e transformimit urbanistik që vazhdon në Fierin e rilindur,” deklaroi Rama.
Drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, shtoi se loti i tretë, me gjatësi 5 kilometra, plotëson të gjithë gjatësinë e lumit brenda qytetit dhe punimet për betonimin e shtratit priten të përfundojnë deri në gusht. I gjithë projekti synohet të përfundojë brenda vitit, duke u integruar me dy lotet e tjera të realizuara më parë.
Verifikimi në terren
Në shtator 2025, Faktoje kontaktoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të pyetur mbi ecurinë e projektit dhe mori përgjigjen se punimet e fazës 3 të lumit Gjanica pritet të përfundojnë brenda muajit qershor 2026, një afat që përputhet me tabelën e punimeve të vendosur në nisje të segmentit.



Faktoje përshkoi segmentin e lumit nga Sheshi Pavarësia deri te Unaza Nuredin Aliu (1.23 km nga totali 5 km të lotit 3). Aty duket se punimet janë ende në vijim dhe pjesa tjetër e lotit ende nuk ka përfunduar.




Rehabilitimi i lumit Gjanica është një nga ato projekte madhore që zgjat në kohë dhe përdoret në mënyrë të njëpasnjëshme në fushata të ndryshme, vendore apo të përgjithshme, nga politikanët.
Duke marrë parasysh që punimet janë ende në zhvillim dhe përfundimi i projektit pritet pas rreth 8 muajsh, premtimi për vijimin e punimeve të lumit Gjanica kategorizohet si pjesërisht i mbajtur.