Pretendimi: Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë ka ndërhyrë në raportin paraprak për zgjedhjet të OSBE/ODIHR për të hequr emra personash të angazhuar në krim elektoral
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Pasi misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR botoi raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit 2025 më 28 prill, një artikull “ekskluziv” i medias shqiptare “Syri” raportoi se nga ky raport ishin fshirë një sërë emrash të përmendur si të përfshirë në krime zgjedhore, me ndërhyrjen e ambasadorit te Bashkimit Europian në Tiranë.
Sipas artikullit të mësipërm, “OSBE/ODIHR ka pasur në raport emra banditësh, drejtorësh, shefa policie në Elbasan që janë angazhuar në krim elektoral, por që me ndërhyrjen e zyrtarëve të BE në Tiranë, emrat janë hequr nga raporti. Ky vendim ka ardhur me argumentin që Shqipëria ka hapur negociatat dhe nuk mund ta vizatojmë si vend me krim dhe manipulim zgjedhjesh.”
Megjithatë, artikulli me autor anonim nuk citon ndonjë burim dhe nuk sjell ndonjë provë që mbështet këto pretendime të jashtëzakonshme.
Më 1 maj, delegacioni i BE në Tiranë përgënjeshtroi këto pretendime përmes një postimi në Twittter ku sqarohej se “artikulli nga Syri.net që pretendon se Delegacioni i BE-së në Shqipëri ose ambasadori i saj ndërhynë për të hequr emrat nga raporti zgjedhor i OSBE/ODIHR është i rremë.” Më tej, “raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe të bazuara vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve.”
Një ditë më pas, më 2 maj, edhe ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, mohoi sërish këtë pretendim pas një takimi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Bashkimi Europian as nuk ndërhyn dhe as nuk manipulon. Lajmi se ne kemi ndërhyrë në raportin e ODIHR është plotësisht i pavërtetë. ODIHR është një organizatë e pavarur dhe vepron në mënyrë të pavarur; ne nuk mund të ndërhyjmë në raportet e tyre. Ne besojmë tek ODIHR, i cili është përgjegjës për monitorimin e procesit,” deklaroi Gonzato.