Nuk është e vërtetë se qeveria shqiptare do të mbështesë me shtëpi falas çiftet e reja. Një premtim i vjetër i kryeministrit Edi Rama gjatë kongresit të fundit të PS-së është risjellë me një titull keqinformues nga portalet për të mbledhur klikime.

Patris Pustina

Në kulmin e një periudhë krize ekonomike që po kalon e gjithë bota, artikulli i portalit shkoder.info për dhënien e shtëpive falas për çiftet e reja nga qeveria shqiptare, nuk mund të kalonte pa interesin e duhur. Ky postim ka marrë deri më tani mbi 2 mijë shikime në Facebook. 

Më 6 tetor 2022, artikulli deklaron se “ditën e sotme, në Kongresin e PS”, Rama kishte folur edhe për të rinjtë. Ky është treguesi i parë që duhet të bëjë lexuesin të dyshojë, sepse në Tetor 2022 nuk ka patur Kongres të Partisë Socialiste.

Në fakt, Rama ka folur në Kongresin e Partisë Socialiste në 9 prill 2022, 6 muaj më parë.

Brendia e artikullit përbëhet nga një citat i fjalimit të mbajtur nga Rama në këtë Kongres. Specifikisht, Rama foli për përdorimin e procesit të rindërtimit si themel për të ngritur një strukturë të re përkujdesjeje shoqërore me ndërtimin e banesave sociale. 

Kemi hyrë në këtë mandat me një eksperiencë shumë të madhe dhe fare të re falë procesit të rindërtimit, prandaj ky 4 vjeçar është dhe koha e duhur për të hedhur themelet e një procesi të ri përkujdesjeje shoqërore, duke e kthyer tani modelin e rindërtimit në model të ndërtimit në masë të shtëpive sociale, të shtëpive për ata që nuk kanë mundësi, qofshin më të varfër, qofshin dhe të rinj që martohen dhe me të drejtë duan të bëjnë atë që kam bërë unë që kur isha i vogël, se ju e dini unë jam martuar i vogël, nuk duan të jetojnë me vjehrrin dhe me vjehrrën, dua një shtëpi për vete”.

Artikulli i portalit mbyllet me këshillën e pretenduar të Ramës për të rinjtë: “Martohuni shpejt si unë. Çifteve të reja do u japim shtëpi falas.” Megjithatë, edhe në fjalën e tij 6 muaj më parë, Rama nuk është treguar në asnjë moment aq bujar sa të premtonte, siç pretendon artikulli, shtëpi falas.

Ky premtim nuk është bërë nga Rama, dhe duket të jetë shpikje e portalit, ashtu si dhe titulli i dizenjuar për të mbledhur klikime. Lexuesi skeptik duhet të ketë parasysh se, përveç faktit se Kongresi i Partisë Socialiste është mbajtur që në Prill të këtij viti, është e dyshimtë që kryeministri do të premtonte banesa falas në një kohë krize globale ekonomike.