Kryeministri Edi Rama më 8 prill njoftoi se hapja graduale e vendit si pasojë e pandemisë “Covid-19” do shoqërohej edhe me ndryshime në Kodin Rrugor. Ato qenë parashikuar të miratoheshin brenda mesit të prillit, por në seancën plenare “online” të 16 prillit u votuan vetëm ndryshimet në Kodin Penal. Por a janë vërtetë të nevojshme ndyshimet në Kodin Rrugor?
“Masat e reja shtrënguese, për të cilat po përgatitemi t’i drejtohemi Parlamentit për ndryshime në Kodin Penal & Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte, nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim, duke siguruar shëndetin e çdo qytetari,” shkruante kryeminitsri Edi Rama në një status në rrjetin social “Facebook” më 8 prill.
Rama shtoi se ndryshimet në Kodin Rrugor do miratoheshin brenda datës 15 prill.
“Brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave lehtësuese në qeveri, si edhe të masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë,” – deklaroi Rama.
Por, në seancën e datës 14 prill, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut nuk e kishte në rendin e ditës çështjen e Kodit Rrugor.
Rendi i ditës, Komisioni i Ligjeve
Po ashtu edhe në seancën plenare të datës 16 të Parlamentit, në rendin e ditës nuk u përfshinë diskutime mbi Kodin Rrugor, por u miratuan vetëm ndryshimet në Kodin Penal me 88 vota “pro”.
Më herët ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte parlajmëruar ndryshime në Kodin Rrugor me qëllimin uljen e numrit të aksidenteve në vend.
Ndryshimet e sugjeruara u prezantuan më 27 shkurt në Konferencën e Nivelit të Lartë për sigurinë rrugore.
Në thelb, ndryshimet në Kodin Rrugor parashikojnë ashpërsimin e ndërshkimeve ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, duke rritur kështu dhe vlerën e gjobave.
Por për ekspertin e sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, këto ndryshime nuk sjellin efekt, duke përmendur përvojën e deritanishme me ndryshimet e njëpasnjëshme.
“Kodi ynë rrugor është ndryshuar katër apo pesë herë mesatarisht, nuk e them dot ekzakt, por gjithmonë ne kemi bërë gabime dhe kodin rrugor e kemi devijuar nga boshti i tij. Tashmë aty flitet edhe si bëhet regjistrimi në autoshkollë dhe kjo tendencë vazhdon të jetë përsëri, pra njerëzit, qoftë dikasteri i infrastrukturës qoftë dikasteri i policisë, duan të marrin kompetenca, kjo është ideja e tyre që duan të bëjnë ndryshime në Kod. Kjo nuk ka lidhje me sigurinë rrugore. Ne duhet të bëjmë një Kod të paanshëm, të saktë, të qartë dhe të ndihmojmë qytetarët”, u shpreh eksperti Hoxha për “Top Channel”.
Deklaratën e kryeministrit Rama do e kategorizojmë si e “Pa vërtetë“.