Rama: Çdo 3 minuta një sulm kibernetik, 48 lanë gjurmë brenda një viti

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po i bën ballë edhe përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale (AI)

52

Sebi Alla- Në Konferencën e tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s që u zhvillua në Tiranë, kryeministri Edi Rama zbuloi shifrën alarmante se çdo tre minuta vendi përballet me një sulm kibernetik, por ato që kanë lënë gjurmë janë 48 raste.

“Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur bëhet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48 edhe një herë kanë lënë gjurmë por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm”, tha kryeministri në konferencën e mbajtur në praninë e përfaqësuesve të 32 vendeve anëtare të aleancës.

Sulmet u “zbrapsën” me AI

Kreu i qeverisë ndërsa dha shifrën e lartë të sulmeve të vazhdueshme kibernetike tha se Shqipëria po i bën ballë edhe përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale (AI).

“Kur vjen fjala për infrastrukturën tonë shtetërore, digjitale apo fizike, jemi mes më të mirëve. Kjo sepse kemi qenë mes të parëve që kombinuam mbrojtjen kibernetike me AI, dhe është AI jonë brenda këtij muri mbrojtës kibernetike që bën punë 24 orë në ditë 7 ditë të javës për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e suleve të dëmshme”, tha Rama.

Gjatë tre viteve të fundit vendi ynë pësoi sulme të vazhdueshme kibernetike, duke u prekur institucione të rëndësishme, përfshi të dhëna të ndjeshme të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Gjithashtu nëpërmjet platformës “Telegram”, u publikuan të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë si pagat, (duke u hakeruar sistemi i Tatimeve), targat e automjeteve dhe të dhënat personale, ID-të e qytetarëve.

Rutte me videomesazh

Gjatë konferencës u shfaq edhe një video-mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili tha se aleanca po bëhet gjithmonë edhe më e fortë në botën dixhitale.

“NATO është aleancë vlerash të përbashkëta dhe do të vazhdojmë të promovojmë një reagim të bazuar në norma dhe të menjëhershëm në hapësirën kibernetike.

Në NATO askush nuk qëndron vetëm, të gjithë së bashku në këtë epokë dixhitale kundër çdokujt, që kërkon të na dëmtojë”, tha Rutte. Në konferencën dy ditore pritet të diskutohet për rëndësinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike dhe masat që nevojiten të merren nga vendet anëtare të Aleancës Euroatlantike.