Prej më shumë se dy javësh, naftëtarët e Rafinerisë së Përpunimit të Thellë të Naftës së Ballshit, ndodhen në grevë urie. Dhënia e pagave të prapambetura dhe rifillimi i punës në uzinë mbeten dy kërkesat e tyre kryesore. Në këtë situatë të përsëritur me naftëtarët, Mininistria e Infrastrukturës dhe Energjisë justifikohet se kjo është pasojë e privatizimit të ish-ARMO në vitin 2008. Por Konfederata e Industrive të Shqipërisë akuzon se kompani të tipit “guackë”, që ndërrojnë njëra-tjetrën kanë shkaktuar situatën ku naftëtarët ndodhen sot, të shoqëruar me një dëm qindra milionë dollarë e që duhet të hetohet nga drejtësia.
Thuajse një muaj nga protesta e naftëtarëve të Ballshit në Fier dhe Tiranë, para Ministrisë së Infrastrukturës, situata jo vetëm nuk ka marrë zgjidhje, por është përshkallëzuar.
Pasi nuk u pritën nga askush në protestën para godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, naftëtarët vendosën të hyjnë në grevë urie.
“Faktoje”, të martën pyeti një prej protestuesve, naftëtar në Rafinerinë e Ballshit, Taulant Yzeiraj, lidhur me situatën.
Kemi 16 ditë në grevë urie. Disa prej shokëve kanë pasur probleme shëndetësore. Janë transportuar edhe në spital. Askush nga institucionet shtetërore nuk reagon. Jemi në të drejtën tonë. Po kërkojmë pagat dhe rinisjen e punës. Sot do futemi në rafineri. As dokumentat dhe librezat nuk na i japin. Do qëndrojmë deri në fund – i tha “Faktojes”, naftëtari Yzeiraj.
I vetmi reagim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi këto zhvillime është një deklaratë e Zëvendës-ministrit, Ilir Bejtja në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, i cili më 12 tetor akuzoi qeverinë e Partisë Demokratike për privatizimin e vitit 2008.
S’kemi pasur asnjëherë fuqi vendimarrëvese, për ngritjen e një këshilli mbikqyrës, apo caktimin e një administratori. Shteti ka qenë gjithmonë në minorancë. Ky ka qenë procesi i privatizimit. I korruptuar dhe i dështuar. Që në fazën e pare, që në mënyrën se si u privatizua si u lanë kapitalet. Ka një proces i cili është i gjithi një dramë, i lindur nga familja Berusha dhe të gjithë njerëzit përreth tyre që në 2008 – u shpreh Bejtja.
Kryeministri Edi Rama, të martën, gjatë prezantimit të iniciativës për heqjen e akcizës për naftën për fermerët, u pyet edhe mbi çëshjen e naftëtarëve.
Sapo të kemi një përgjigje të re do ia jap atyre. Kjo është një marrëdhënie kapitaliste. Nuk është marrëdhënie me shtetin. Deri tani nuk e kam gjetur zgjidhjen. Nuk kemi mundësi të zgjidhim atë problem nëse nuk e merr përsipër kompania private – u shpreh Rama.
Konfederata e Industrive të Shqipërisë akuzon politikat në 30 vite për situatën e krijuar në ish-ARMO.
Zhvillimet e fundit dramatike në rafinerinë e ish- Armo, janë pasojë e pritshme e politikave tellësisht të dështuara në sektorët strategjikë të ekonomisë në 30 vite – raporton konfindustria.
Konfindustria akuzon se kompani të tipit “guackë”, që ndërrojnë njëra-tjetrën kanë shkaktuar dëme me qindra milionë dollarë e kësisoj duhet të hetohen nga drejtësia.
Gjendja në sektorin e hidrokarbureve është edhe më e vështirë nga prania në numër të madh të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale. Kompanitë e tipit “guackë”, që ndërrojnë njëra-tjetrën, kanë shkaktuar dëme me qindra milionë dollarë në dëm të shtetit shqiptar, përfshi edhe rastin e rafinerisë ish-ARMO. SPAK, BKH, SHISH dhe agjencitë partnere të kryejnë zbulimin dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të zotëruesve të vërtetë të kompanive “guackë”, të përfshira në skandalet në fushën e hidrokarbureve– thuhet në reagimin e Konfindustria.
Konfindustria vlerëson se vetëm nga sektori i hidrokarbureve, dëmet e pësuara për ekonominë, buxhetin, biznesin dhe qytetarët, llogariten në mbi 10 miliard dollarë.
Pasi u privatizua në vitin 2008, rafineria e Ballshit u mor në administrim në mars 2018 nga kompanitë “Tosk Energji dhe Bylis Energji”. Së fundmi, Rafineria e Ballshit administrohet nga kompania “Allum Enterprises”, e cila ka negociuar me naftëtarët, por pa dhënë ndonjë zgjidhje konkrete për rifillimin e punës dhe pagesën e rrogave të prapambetura.
Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se Bankers dhe Allum kishin arritur marrëveshje për rifillimin e punës në KPTHN-në e Ballshit, por deri më tani puna ende nuk ka nisur, ndërsa konflikti me naftëtarët po thellohet.