.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëQeveria ndan para për emigrantët vetëm në fantazinë e portaleve

Qeveria ndan para për emigrantët vetëm në fantazinë e portaleve

Një premtim i vjetër i kryeministrit Edi Rama për nxitjen e investimit të emigrantëve që kthehen në Shqipëri për t’u përfshirë në agroturizëm është risjellë nga portali lajmetverteta.com duke grumbulluar gati 10 mijë shikime. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky lajm është jo vetëm i vjetër, por edhe përmban informacion të pasakta për shumën e financimit të premtuar asokohe nga kryeministri.

Patris Pustina

Në një titull karakteristik të portaleve që publikojnë artikuj në dukje ekzkluzivisht për të tërhequr klikime, lajmetverteta.com deklaron: “Rama: Qeveria jep 5-10 mijë euro në dorë çdo emigranti shqiptar që”. Titulli i papërfunduar ka qëllim të mbledhë sa më shumë klikime duke shfrytëzuar kuriozitetin natyral që një fjali e tillë ngjall tek publiku. Gjithashtu, në tekstin e lajmit mund të konstatohet se mungojnë informacionet bazë për t’iu përgjigjur pesë pyetjeve thelbësore të cdo artikulli: Kush?, Çfarë?, Ku?, Kur?, Pse?

Në të vërtetë, ky premtim i Ramës ka më shumë se një vit që është bërë. Gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, kryeministri ndaloi në qytetin e Belshit më 12 prill. Ai shtroi planin e tij për të rikthyer në Shqipëri të rinj që kanë emigruar jashtë vendit, së bashku me eksperiencën dhe kapitalin e tyre, duke premtuar se: “Gjatë mandatit të tretë, do të japim 5.000 euro grant çdo emigranti që do të vijë në Shqipëri për të rindërtuar shtëpinë e gjyshërve,” për ta kthyer atë në biznes agroturizmi.

Siç kuptohet, Rama nuk ka premtuar para “në dorë” si pretendon titulli i artikullit. Për më tepër, në fjalën e tij ai ka premtuar vetëm 5.000 euro grante.

Një verifikim i mëtejshëm zbulon se as shifra “5-10 mijë” nuk është e re. Ajo është shfaqur muaj më parë, në Prill 2022, kur disa portale kanë ricikluar dekalaratën një-vjeçare të Ramës, duke ndryshuar, për ndonjë arsye, shumën e premtuar nga kryeministri. Ndoshta edhe pse në vitin 2022, 5.000 euro nuk vlejnë aq sa vlenin në 2021. Të ndërgjegjshëm për inflacionin e thellë, këto portale e kanë dyfishuar shumën e ‘premtuar’ nga kryeministri, duke menduar, ndoshta, se 5.000 euro nuk mund të ‘blejnë’ më aq shumë klikime.

 

Titulli i papërfunduar, me qëllim mbledhjen e klikimeve, si dhe gabimet drejtshkrimore brenda artikullit, janë, siç “Faktoje” ka vënë në pah dhe më parë, tregues të besueshëm se një lajm duhet trajtuar me skepticizëm. Realiteti i tanishëm i krizës së thelluar ekonomike ku gjendet vendi duhet të shërbejë gjithashtu për të qenë skeptikë ndaj një lajmi që pretendon se qeveria do të shpërndajë para në dorë. Megjithatë, shumë lexues kanë rënë pre e këtij keqinformimi, duke e marrë të mirëqenë dhe duke komentuar kryesisht me qëndrime kundërshtuese.

 

 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img