BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingKriza e çmimeve prek dhe arsimimin, sa po shpenzojmë për artikujt shkollorë!

Kriza e çmimeve prek dhe arsimimin, sa po shpenzojmë për artikujt shkollorë!

Ky vit shkollor nis me më shumë kosto për familjet shqiptare. Prindërit duhet të paguajnë më shumë për librat, për fletoret apo mjetet e tjera të nevojshme për fëmijët. Gjatë një verifikimi që Faktoje bëri në disa kancelari, vihet re një rritje me gati dyfish të çmimeve për shumë nga artikujt shkollorë.

—————————————————————-

“Me lajmin që ky vit i ri shkollor vjen me shumë risi për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, ju uroj një vit të mbarë e të suksesshëm!” -ishte ky urimi i bërë nga ministrja Evis Kushi.

Mirëpo, duket se ky vit i ri shkollor vjen i ashpër sa i përket kostove për prindërit shqiptarë. Një prej elementëve bazë për vitin shkollor janë librat, të cilët prindërit janë detyruar që t’i blejnë, pasi tekstet e dhëna falas janë të papërdorshëm. Për një nxënës të klasës së katërt, që ka 7 libra, kostoja shkon mestarisht rreth 4 mijë lekë të reja. Kjo kosto rritet në klasat më të larta të ciklit 9 vjeçar.

Ndërkohë, një nxënës i vitit të tretë gjimnaz ka një kosto edhe më të lartë, ku vetëm librat për një maturant kushtojnë 8700 lekë.

Përpos librave, nxënësit kanë nevojë për mjete shkollore, çanta, por edhe veshje. Faktoje pyeti në disa kancelari në Tiranë, ku na u konfirmua se ka pasur një rritje të përgjithshme të çmimeve për mjetet shkollore.

Foto e shkrepur në një nga kancelaritë në Tiranë, 12 shtator 2022

“Letra ka pasur shumë rritje. Nëse vjet në këtë periudhë një kuti me letra ishte 450 lekë, sot shkon në 600-700 lekë. Fletoret kanë pasur rritje gjithashtu. Nëse vjet ishin 30 lekë sot janë 50 lekë, ndërsa ato të mëdhatë nga 80 lekë në 130 lekë. Rritje kanë pasur të gjitha nga pak, lapsat dhe stilolapsat nga 10-20 lekë, në varësi të llojit të produktit. Bojërat janë rritur nga 50-100 lekë, varet nga marka. Vizoret po ashtu kanë pësuar rritje me 30 lekë. Pra, çdo gjë këtë vit është më shtrenjtë”, tregon pronarja e një kancelarie në Tiranë.

Foto e shkrepur në një nga kancelaritë në Tiranë, 12 shtator 2022

“Vihet re se ndryshe nga një vit më parë nuk i blejnë më lapsat, stilolapsat apo fletoret me pako. Tregohen më racionalë, marrin aq sa u duhen”, tregon një prej punonjesve të një kancelarie.

Grafiku i çmimeve sipas kancelarive

Nëse do të llogarisim edhe kostot për çantat, të cilat kanë çmime mbi 1500 lekë, për prindërit shqiptarë ky vit shkollor duket mjaft i vështirë financiarisht. Ndërkohë që fëmijët kanë edhe shumë nevoja të tjera, si kuletat apo edhe veshjet e reja, të cilat janë një kosto e shtuar për buxhetin e familjeve shqiptare.

Edhe sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ky vit shkollor rezulton më i shtrenjtë për familjet shqiptare, të cilat pak javë më parë kanë marrë nga qeveria edhe lajmin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në fashën mbi 800 kilovatorë. Referuar grafikut të INSTAT, shërbimet arsimore kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë dhe nga kurba shihet që kjo rritje ka kulmuar në 2022. Ndikimin më të madh në këtë rritje e patën mjetet shkollore dhe librat në ciklin 9-vjeçar nga klasa e 5-të deri tek e 9-a.

Screenshot nga faqja e INSTAT

Në muajin gusht, INSTAT raportoi se inflacioni kishte arritur në nivele rekord, duke kapur shifrën e 8%. Kjo përkthehet në shpenzime më të larta për familjet për të njëjtën sasi produktesh, duke nisur që nga ato bazë, si buka, vaji apo qumështi.

Nga ana tjetër vihet re se është përgjysmuar numri i nxënësve në arsimin parauniversitar, krahasuar me tri deklada më parë.

Këtë vit shkollor pritet të nisin klasën e parë 29 mijë fëmijë, 2.6 herë më pak se para dy dekadash dhe rreth 4% më i ulët se një vit më parë. Monitor raporton se referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT, në arsimin 9-vjeçar në vitin 2021 ishin 278 mijë nxënës me një rënie vjetore 3 për qind, ndërsa në 10 vite rënia ishte 34 për qind.

Në fillim të muajit shtator, kryeministri Edi Rama prezantoi paketën anti-krizë, ku ndër të tjera bëri të ditur se do të rritej paga minimale në 34 mijë lekë. Ndërkohë, premtoi mbështetje për familjet në nevojë, si dhe rritje të pagave për administratën publike dhe policinë e burgjeve, por shtrenjtimi i produkteve me këtë ritëm e bën të papërballueshme jetesën.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img