Po Lexoni:
Qendrat shëndetësore të rikonstruktuara, por jo në funksion të qytetarëve

Qendrat shëndetësore të rikonstruktuara, por jo në funksion të qytetarëve

ANXHELA RUÇI

Rehabilitimi i 100 qendrave shëndetësore për 2019-n konsiderohet i kryer nga ministrja e Shëndetësisë, sipas një postimi në rrjetet sociale. Nga 6 qendra “të reja” shëndetësore që “Faktoje” përzgjodhi të verifikojë nga jugu ne veri, rezultuan se jo të gjitha janë funksionale për pacientët.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale për vitin 2019 ka pasur si objektiv kryesor rehabilitimin e 100 qendrave shëndetësore/ambulancave anembanë Shqipërisë, në kuadër të 300 qendrave që do të rikonstruktohen brenda mandatit të dytë të qeverisë “Rama 2”.

Në fillim të muajit janar, ministrja Ogerta Manastirliu shpërndau në rrjetin e saj social Twitter një video të shoqëruar me përshkrimin “12 muaj në 12 minuta, investimet në shëndetësi, përmbledhjet e kryera në vitin 2019”.

Në këtë video cilësohet si premtim i mbajtur jo vetëm rikonstruksioni i 100 qendrave shëndetësore, por edhe ofrimi i një shërbimi më cilësor për 500 mijë qytetarë dhe përmirësimi i kushteve të punës për 800 mjekë dhe infermierë.

Për të verifikuar këtë deklaratë, në zgjodhëm në mënyrë rastësore 6 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rikonstruktuara gjatë 2019-s. Nga vëzhgimi ynë në terren rezultoi se 3 qendra ishin të rehabilituara, por jo funksionale, 1 ishte funksionale pjesërisht, ndërsa 2 ishin në gjendje pune.

  • Qendra Shëndetësore Tushemisht në Pogradec është rikonstruktuar, por nuk është e hapur për 500 banorët që mbulon kjo qendër.

Qendra shëndetësore Tushemisht,Pogradec

Një mjek (me kohë të pjesshme) dhe infermierja i presin pacientët në ambjentet e kopshtit të fëmijëve.

Shënimi në dritaren e Qendrës së rikonstruktuar Shëndetësore Tushemisht

  • Qendra Shëndetësore në fshatin Skuraj në Kurbin është rikonstruktuar, por ndërtesa 2-katëshe nuk është e hapur për banorët. Prej 3 muajsh 600 banorët e zonës e marrin shërbimin në mjediset e shkollës së fshatit, në dispozicion të të cilëve është vetëm 1 infermiere, ndërsa për vizitë tek mjeku duhet të shkojnë në qendrat e tjera larg vendbanimit.

Qendra Shëndetësore Skuraj, Kurbin

  • Ambulanca e fshatit Çërragë në Belsh, e cila ka përfunduar rikonstruksionin në nëntor të 2019-s nuk është e hapur për komunitetin prej 900-banorësh që duhet të marrë shërbim në këtë ambulancë. E cilësuar nga ministria si “e vogël”, ajo nuk ka mjek në shërbim, ndërsa infermierja e jep shërbimin në një ambjent ngjitur me lokalin e fshatit.

Ambulanca Çërragë, Belsh

Ambienti i përkohshëm ku marrin shërbim banorët e Çërragës

  • Ambulanca Paskuqan 1 në Kamëz është rikonstruktuar po në vitin 2019.

Ambulanca Paskuqan 1

Por nga vëzhgimi që bëmë në këtë qendër, konstatuam se mobiljet ishin ende të paketuara me qese, mungonte tabela orientuese, ndërsa në muret e ndërtesës së re ishte shfaqur tashmë myku. Për numrin e banorëve që mbulon kjo qendër dhe se sa mjekë shërbejnë, nuk kemi informacion, por në korridorin e ngushtë vumë re radhë njerëzish që prisnin me fëmijët e tyre në një mjedis pa ngrohje.

Ambientet e brendshme të Ambulanës Paskuqan 1

Nga verifikimi i rastësishëm që “Faktoje” bëri në terren, vetëm dy qendra shëndetësore rezultuan se ishin në gjendje pune edhe pas rikosntruksionit.

  • Qendra shëndetësore nr.2 Nartë në Vlorë, e cila u rikonstruktua gjatë vitit 2019 është e hapur për 2340 banorë dhe në shërbim të tyre janë 3 infermierë dhe 1 mjek.

Qendra Shëndetësore Nartë, Vlorë

  • Qendra e fundit që ne inspektuam ishte ajo e Vaut të Dejës në Shkodër, e cila mbulon 11986 banorë në shërbim të të cilëve janë 23 infermierë dhe 2 mjekë familje. Kjo qendër është financuar nga programi IADSA dhe bashkia Vau i Dejës, por ministria e ka shënuar në listën e saj të investimeve.

Qendra Shëndetësore Vau i Dejës, Shkodër

Ambientet e brendshme të Qendrës Shëndetësore Vau i Dejës

Në postimin e saj në rrjetin social Twitter, ministrja i konsideron të përfunduara 100 qendrat shëndetësore/ambulanca dhe funksionale për banorët që marrin shërbim në to. Nga verifikimi ynë në terren, më shumë se gjysma e qendrave ishin jo funksionale pavarësisht investimeve dhe punimeve që janë kryer përgjatë vitit 2019. Nisur nga verifikimet e “Faktoje” në terren, deklaratën e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu do ta klasifikojmë si gjysmë të vërtetë.

icon
Shkruani fjalën dhe shtypni enter.