“Pylli orbital” ishte një projekt që iu premtua banorëve të Patosit, në vitin 2019 kur kryetarja e bashkisë Rajmonda Balilaj, kërkonte prej tyre mandatin e 2-të. Vitin e kaluar vetë bashkia e Patosit, pranoi për Faktoje se realizimi i pyllit orbital ishte i pamundur, ndërsa këtë vit ajo deklaron se, pylli orbital pritet që nga projekt-ide të kalojë së shpejti në fazën e projektimit.
————-
Në 8 qershor të vitit 2019, kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj premtoi ndër të tjera edhe një ‘pyll orbital’.
“Kemi gati projektin e pyllit orbital”, deklaroi kryebashkiakja Balilaj nga fshati Sheqishtë, ndërsa u kërkonte qytetarëve të Patosit që ta votonin për një mandat të dytë.
Nëse bën një kërkim në internet për “pyllin orbital në Patos” shfaqet një video e Bashkisë e vitit 2018, për projektin e ri-pyllëzimit të fshatit Sheqishtë. Sipas postimit të Bashkisë, bëhet fjalë për një super park prej 10 ha, i projektuar në disa zona si, pylli orbital, zonat e piknikut-lëndinat, zonat sportive, basenet dhe kanalet ujore, zona kodrinore-pistë çiklizmi, zona e luleve. Por, ende sot ky projekt ka mbetur vetëm në letër.
Screenshot nga faqja e Bashkisë Patos në Facebook
Faktoje mëson se “pylli orbital” është ende një koncept-ide dhe ende nuk është buxhetuar. Ndërkohë, mësohet gjithashtu se Bashkia po përgatit dokumentacionin e pronësisë, pasi toka ku do të ndërtohet pylli është e zaptuar.
Ne ju drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Patos për të mësuar se në çfarë faze është projekti për ndërtimin e “pyllit orbital”. Nga përgjigja zyrtare na u bë e ditur se pritet të kalojë së shpejti në fazën e projektimit.
“Projekti për Pyllin Orbital është në fazën e koncept-idesë dhe së shpejti pritet që të kalojë në fazën e projektimit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Patos për Faktoje.
Përgjigja e Bashkisë Patos për Faktoje
Mirëpo, në një artikull të publikuar nga Faktoje më 26 nëntor të vitit 2020, Bashkia deklaronte se është i pamundur realizimi i projektit.
“Duke qenë se territori i Bashkisë Patos ka një shtrirje relativisht të vogël gjeografike, nuk është e mundur për të realizuar një pyll orbital, por Bashkia Patos ka mbjellë pemë në zona të caktuara duke formuar mini pyje, si në Shiqeshtë anës përroit të fshatit rreth 500 pemë, Rusinj (Mazarent, ish-vendedepozitimi i mbetjeve urbane) u pastrua dhe u pyllëzua me 600 fidan pemë, Argjinatura e lumit Seman me një gjatësi rreth 6.3 km u pyllëzua me 7000 pëme dhe gjelbërime me pemë në segmente të ndryshme rrugore dhe objekte arsimore“, njoftonte asokohe Bashkia Patos.
Duke u nisur nga të dhënat e mbledhura dhe përgjigja e Bashkisë Patos, Faktoje do ta kategorizojë këtë premtim TË PAMBAJTUR.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.