Barbara Halla
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia ka nisur të prodhojë lajme të cilat përhapen me shpejtësi edhe në vendin tonë. Mediat në Shqipëri përkthejnë informacionin qe e marrin nga këto burime, një prej të cilëve është kanali i lajmeve Telegram të quajtur General CBP (Генерал СВР). Ky kanal ka 295,000 ndjekës dhe menaxhohet nga një përdorues që e quan veten Mike Wazowski, sipas personazhit të filmit të animuar, Monster’s Inc.
“Vladimir Putin dhe miqtë e tij thuhet se kanë nisur përgatitje për tu arratisur nga Rusia, nëse ofensiva e tij në Ukrainë dështon,” thuhet në videon e publikuar nga portali Pamfleti në Facebook.
Një version i shkruar i këtij lajmi shfaqet edhe në website-in e portalit, ku rreshtohen disa deklarata të tjera sipas të cilave Putin vuan nga probleme shëndetsore, dhe është i ndërgjegjshëm që po e humbet luftën. Për këtë arsye, sipas lajmit të publikuar nga Pamfleti, ai tani po planifikon të kërkoj azil në Siri, dhe do të ketë nevojë për lejen e Turqisë që të udhëtojë përmes hapsirës së saj ajrore.
Faktoje u përpoq të gjente burimin e këtij lajmi për ta verifikuar, por kjo qe e pamundur duke qenë se mungonin të dhënat e duhura. Shikuam edhe studimet mbi Telegramin si burim informacioni mbi Rusinë, si dhe historikun e pretendimeve se Putin është sëmurë apo po humbet mbështetje në Rusi.
Së pari, burimet e cituara nga Pamfleti nuk janë të besueshme apo të verifikueshme. Ata i referohen një kanali lajmesh në Telegram, të quajtur General CBP (Генерал СВР) i cili citon një burim të pa identifikuar brenda Kremlinit. Ky kanal ka 295,000 ndjekës dhe menaxhohet nga një përdorues që e quan veten Mike Ëazoëski, sipas personazhit të filmit të animuar, Monster’s Inc.
Përpara se të publikohej nga Pamfleti në orën 18:45 e datës 29 korrik, ky lajm është publikuar nga portali Gazeta Shqiptare në orën 17:38. Më pas, ai u shpërnda nëpër media të tjera, duke përfshirë portalin Pamfleti, Sot, dhe ABC Neës.
Në fakt, lajmi i publikuar nga Pamfleti është kopjuar fjalë për fjalë nga publikimi i Gazetës Shqiptare. Kjo tregon se Telegrami vetë, nuk është burimi i përdorur nga Pamfleti. Por edhe Gazeta Shqiptare nuk ka hedhur lajmin specifik të publikuar nga Telegrami, dhe për më tepër natyra e lajmit dhe e burimit në Kremlin, e bënë të pamundur të verifikosh vërtetësinë e pretendimeve që shkruan.
Majtas: Pamfleti; Djathtas: Gazeta Shqiptare.
Është e vërtetë se, censura e fortë e vendosur nga Kremlini ndaj mediave ruse, sidomos përsa i përket luftës në Ukrainë, i ka shtyrë shumë rus të kërkojnë lajme nëpër kanalet e ndryshme të Telegramit, ku kontrolli i qeverisë ruse është më i dobët.
Në të njejtën kohë, një analizë nga Foreign Policy tregon se lajmet e shpërndara në Telegram nuk janë të besueshme. Telegrami vetë është identifikuar si një “vektor dizinformimi”, dhe përdoret rregullisht nga qeveria ruse për të përhapur propagandë.
Lajme mbi gjendjen shëndetësore të Putin kanë vite që qarkullojnë në internet, dhe janë rritur në numër që kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë. Sipas një monitorimi të kryer nga Faktoje në hapsirën mediatike shqiptare, lajme të tilla publikohen gati çdo javë në portale të ndryshme. Bazuar shpeshherë në portaletet e stilit tabloid në Britaninë e Madhe, ato citojnë shpeshherë imazhe të ndryshme të Putin ku identifikohen pastaj edhe probleme shëndetësore. Rishtazi, Kremlini i refuzoi këto thashetheme.
Si përfundim, artikulli i qarkulluar nga Pamfleti dhe media të tjera pretendon se Putin po i përgatit këto plane pasi lufta në Ukrainë nuk po shkon mirë, dhe mund t’i duhet të arratiset. Ndër vite, Putin e ka vendosur apartin shtetëror rus nën kontrollin total, duke konsoliduar kështu pushtetin e ti. Ndonëse një puç nuk është i pamundur, ai tingëllon i pasigurtë, duke qenë se Putin i ka spastruar rangjet e qeverisë dhe ushtrisë nga armiqtë. Edhe nëse lufta në Ukrainë nuk shkon siç ai e dëshiron, gjë e cila ende nuk dihet, kjo nuk do të thotë se e ardhmja e Putin brenda në Rusi është në rrezik.
Putin ka pasur eksperienca ushtarake me rezultate të paqarta si në Gjeorgji ne 2008, dhe në Ukrainë në 2014. Këto përvoja në luftë nuk e kanë cënuar pushtetin, përkundrazi. Sipas sondazheve të kryera si nga institute shtetërore statistikash, edhe nga organizata qeveritare, lufta në Ukraine i ka rritur mbështetjen ndaj presidentit Rus. Sipas Levada Center, në prill 2022, 83% e rusëve i miratonin veprimet e Putin, përkundrejt 71% në shkurt të 2022.
Burim: Reuters
Nuk është i qartë synimi i lajmeve të shumta mbi shëndetin e Putin, apo teori grushte shteti kundër tij. Ndoshta ato përpiqen të gjejnë arsye shtesë për të shpjeguar veprimet dhe vendimet e marra përkunrejt Ukrainës. Apo duan të rrëzojnë mbështetjen që ai ka në Rusi, ose të japin shpresa se me ikjen e Putin, mund ti vijë fundi dhe ekzistencës së një Rusie agresive. Por nuk ka aspak prova që Putin është sëmurë, apo përgatitet të arratiset nga Rusia. Edhe nëse dështon plani që ka për Ukrainën, kjo nuk do të thotë që populli rus do t’i kthej krahët.
*Foto kryesore marrë në web