BallinaUncategorizedPortalet që përhapin teoritë e pabazuara në fakte shkencore mbi formën e tokës

Portalet që përhapin teoritë e pabazuara në fakte shkencore mbi formën e tokës

Një deklaratë e bërë nga konspiracionisti Alfred Cako mbi formën e tokës është publikuar pak ditë më parë nga portali “Shiko.News”. Faktoje konstatoi se lajmi i risjellë nga portali është i vjetër dhe se në muajin gusht nuk është bërë një deklaratë e tillë nga Alfred Cako. Mediat online duket se kanë qenë përhapëset më të mëdha të kësaj “teorie”, ndonëse nuk është e bazuar në fakte shkencore.

————————————————————————————————————-

Portali “Shiko.News” ka publikuar një artikull më 2 gusht, në lidhje me një deklaratë të Alfred Cakos, ku ky i fundit shprehet se: ‘Toka nuk është e rrumbullakët’.

Alfered Cako leshon perlen e rradhes.Toka nuk eshte e rrumbullaket dhe as rrotullohet”, është ky titulli i lajmit të shpërndarë nga kjo media online.

Screenshot nga portali Shiko.News

Që në titull ka gabime të shumta, që nga emri i Alfred Cakos, te mënyra e të shkruarit me “e” dhe jo me “ë”, e deri të gabimet drejtshkrimore. Një tregues ky që të shton dyshimet mbi vërtetësinë dhe seriozitetin e një portali.

Nëse do shohim më tej në brendësi të shkrimit vihet re se nuk përfshihet asnjë citim i Cakos, apo emisioni ku është bërë kjo deklaratë. Në fund të shkrimit është vënë një video, ku thuhet se është bërë deklarata nga konspiracionisti.

Faktoje bëri një kërkim në Google, ku rezulton se kjo teori e Cakos, e pabazuar në fakte shkencore është bërë në dhjetor të 2021 gjatë një interviste të tij për emision “Ndryshe”.

Deklarata e bërë nga Alfred Cako shihet që është shpërndarë masivisht në media të ndryshme në vend asokohe.

Disa nga portalet që e kanë shpërndarë janë: Gazeta Express, Adrianet.al, Forum-al.com.

Në 17 janar të këtij viti, i ftuar në Top Channel, Cako përsëriti të njëjtën “teori”, e cila u përhap sërish masivisht në mediat online.

Që nga portali SOT te Jetoshëndetshëm, e publikuan në faqet e tyre deklaratën e Alfred Cakos.

Nga kërkimi rezulton se portali “Shiko.News” e ka publikuar lajmin më 2 gusht, duke e sjellë për lexuesit si një artikul aktual. Mirëpo, kjo deklaratë e Cakos nuk është bërë në muajin gusht, por në dhjetor të 2021 dhe në janar të 2022.

Qëllimi i një publikimi të tillë është të tërheqë sa më shumë lexues, duke risjellë në vëmendje një teori të pabazuar në fakte shkencore.

NASA: Toka është e rrumbullakët

Po t’i referohemi të dhënave të NASA (Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës, pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës) toka është e rrumbullakët.

“Njerëzit e dinë që Toka është e rrumbullakët prej më shumë se 2000 vitesh. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticit të verës dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Ata përdorën pozicionet e yjeve dhe yjësive për të vlerësuar distancat në Tokë. Ata madje mund të shihnin hijen e rrumbullakët të planetit në hënë gjatë një eklipsi hënor. (Ne ende mund ta shohim këtë gjatë eklipseve hënore.)

Sot, shkencëtarët përdorin gjeodezinë, e cila është shkenca e matjes së formës, gravitetit dhe rrotullimit të Tokës. Gjeodezia ofron matje të sakta që tregojnë se Toka është e rrumbullakët”, argumenton NASA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img