BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriElbasan, ende nuk ka nisur shpërndarja e druve të zjarrit me çmim të reduktuar për familjet në nevojë

Elbasan, ende nuk ka nisur shpërndarja e druve të zjarrit me çmim të reduktuar për familjet në nevojë

 

Thuajse 2000 familje në qytetin e Elbasanit duhet të marrin dru për ngrohje me çmim të reduktuar nga Bashkia, sipas deklaratës së bërë dy muaj më parë, nga kryebashkiaku Llatja. Nga një verifikim i Faktoje, rezulton se deri më sot ende nuk është bërë shpërndarja, ndonëse temperaturat kanë nisur të ulen ndjeshëm. Për familjet në nevojë sigurimi i ngrohjes me çmim të reduktuar është i domosdoshëm pasi në treg një metër kub dru është dyfishuar duke shkuar deri 7-8 mijë lekë, ose dyfishi i çmimit me të cilin shiteshin vjet.

Bardha Nergjoni

Në një postim video në rrjetin social Facebook, Kryetari i bashkisë Gledian Llatja i ndjekur nga koordinatori i deputetëve të qarkut të Elbasanit Damian Gjiknuri, deklaroi se do të ndihmohen deri në 2 mijë familje me lëndë drusore për ngrohje me çmim të reduktuar. Duke theksuar faktin se do të jetë një dimër i vështirë dhe bashkia do të ndërmarrë nisma në mbrojtje të shtresave në nevojë, Llatja tha se do të marrin lëndë drusore deri në 3 metër kub ato familje që marrin ndihmë ekonomike dhe pensionistët e vetmuar në qytetin e Elbasanit.

“Këto familje do të përfitojnë me çmimin prej 3800 lekësh për metër kub duke e marrë me gjysmën e çmimit në treg” – tha Llatja. Ai deklaroi se kjo nismë do të ndihmojë në reduktimin edhe të konsumit të energjisë elektrike.

Postimi bashkë me videon e deklaratave të kryetarit të bashkisë Elbasan mban datën 11 shtator 2022. Kur kanë kaluar gati dy muaj nga kjo deklaratë, procesi i shitjes së lëndës drusore nga bashkia për ngrohje ende nuk ka filluar. Në fushën e druve, tek ish godinat e ujësjellësit në Elbasan paraqiten dhjetëra qytetarë çdo ditë për të pyetur nëse ka nisur shitja e druve me çmim të reduktuar. Megjithatë deri tani nuk ka një përgjigje se kur do të nisë. Roja i objektit thotë se çdo ditë përballet me qytetarë që kërkojnë të marrin drutë. Madje ai tregon se kanë ardhur edhe me mandate pagesash në duar, por skanë mundur të marrin gjë.

“Nuk e dimë kur do ndahen, por dru këtu ka shumë. Janë qindra metër kub. Këtu vijnë shumë të moshuar dhe të tjerë. Por deri tani askush nuk ka marrë. Nuk e dimë ku ka ngecur, por thanë që pas datës 15 ndoshta do fillojnë”.

Venddepozitimi i druve në Elbasan

 

Një i moshuar që jeton vetëm me bashkëshorten ka ardhur të pyesë në fushën e druve. Bedriu ka shtëpi një përdhese në lagjen ‘Dyli Haxhire’.

“Kam ardhur disa herë këtu e nuk kam marrë drutë. Sigurisht që 3 metër kub nuk mjaftojnë për dimrin. I kam siguruar dhe dy të tjera. Të paktën 5 duhen se nuk i dihet, por këto 3 metër kub që këta kanë thënë nuk e di se kur do t’i marr. Jetoj vetëm me gruan dhe nuk kam mundësi t’i blej 7500 apo 8 mijë metërkubin sa ka shkuar këtë vit druri. Jam i detyruar të pres bashkinë”.

Besim Shahini i ka blerë drutë në tregun e lirë me çmim gati dyfish të atij me të cilin do t’i blejnë nga bashkia.

“Drutë i kam ngrohjen bazë në shtëpi dhe çdo vit blejmë. Këtë vit çmimi ka shkuar jasht çdo parashikimi. Kam blerë 8 m3 me 7500 lekë metërkubi. Kaq janë të pamjaftueshme për shtëpinë time pasi kam edhe fëmijë të vogël në shtëpi dhe një bashkëshorte të sëmurë që kërkojnë ngrohje gjatë gjithë ditës. Nuk kemi marrë ndonjë lehtësi nga shteti për drutë dhe nuk dimë gjë në mund të përfitojmë”.

 

Shtëpi e një familjeje në Elbasan

 

Iftimi Shaka thotë se ka marrë shumë pak lëndë drusore nga vjet.

“Me rritjen e çmimit nuk kam marrë pesë sa merrja më parë, por 2 metër kub. Pjesën tjetër të dimrit do mundohem ta përballojmë me gaz se më duket më lirë se druri apo korenti. Unë jam vetë i gjashtë në familje dhe çmimet janë të papërballueshme. Ka raste kur fëmijët e mi mbeten edhe pa bukë, kështu ngrohja është e fundit”.  Shaka thotë se nuk ka asnjë informacion se bashkia jep dru me gjysëm çmimi. “Nuk më ka thënë njeri gjë. Do iki të pyes mos marr dhe unë për të gatuar dhe ngrohje. Nuk paguajmë dot faturat e energjisë elektrike”.

Alketa Dedja thotë se familja e saj merr vetëm ndihmë ekonomike dhe janë të papunë. “Dru do blej shumë pak, vetëm 1 metër kub dhe atë do ta përdor nëse bën shumë ftohtë. Gatuaj me gaz, për t’u larë lahemi me ujë me kazan dhe nuk harxhojmë energji elektrike. Me ndihmën ekonomike që marr nuk më del vetëm të laj faturat dhe të mbaj djalin në shkollë”. Edhe Alketa tregon se nuk ka informacion për blerjen e lëndës drusore për ngrohje me çmimin e përgjysmuar nga bashkia. “Nuk kam informacion dhe nuk më ka thënë njeri. Nëse është e vërtetë do shkoj të marr pasi më duhen për t’u ngrohur dhe gatuar këtë dimër”.

Ne u interesuam pranë Bashkisë në lidhje më afatin se kur do nisë shitja e druve me çmim të reduktuar. Sipas informacionit nga ky institucion, janë mbyllur kontratat koncesionare të shfrytëzimit të lëndëve drusore dhe janë miratuar vetëm dy kompani për shfrytëzim për ngrohje të lëndës drusore në territorin e saj.

 

Kryetari i bashkise Gledian Llatja i kontaktuar me telefon, deklaroi se shpërndarja e druve kundrejt tarifës së vendosur për meter kub do të nisë këto ditë, pa specifikuar një datë të saktë dhe kategoritë përfituese.

Aktualisht në formatin të dhënat e hapura gjendet vetëm një kontratë e tillë për shfrytëzimin e lëndës drusore për ngrohje të objekteve shkollore nga bashkia Elbasan që është lidhur për një kohëzgjatje pesëmujore duke filluar nga muaji nëntor 2022.

Në bashkinë Elbasan që numëron rreth 170 mijë banorë, 2500 familje përfitojnë ndihmë ekonomike dhe rreth 300 të moshuar rezultojnë se jetojnë vetëm. Ata od të jenë pjesë e skemës së shpërndarjes së druve të zjarrit me çmim të reduktuar, bashkë me familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img